Nga Universiteti i Kembrixhit në UET/ Aldri Çela rikthen në debat Kamynë: Absurditeti tejkalon historinë

Takimi i tretë për këtë vit akademik i Shkollës Kontekstualiste, në Universitetin Europian të Tiranës, solli në auditor një emër të ri të filozofisë dhe njohës të mirë të historisë së saj për periudhën e mesjetës. I larguar nga Shqipëria në moshën 9-vjeçare, Aldri Çela rikthehet tashmë si pedagog filozofie, duke iu bashkuar auditorit të UET për të ndarë me studentët eksperiencën e tij në Itali dhe Britaninë e Madhe, mes studimeve dhe emrave të njohur të fushës.
Edhe pse ende i panjohur për mjedisin shqiptar, Çela ka një rrugëtim mjaft interesant në zhvillimin profesional dhe akademik, i cili karakterizohet nga pasioni dhe angazhimi i tij për filozofinë. Pas shkollës së Mesme Klasike Beccaria në Milano, ai vijoi studimet Bachelor për filozofi në Universitetin e Milanos dhe më tej përfundoi studimet Master në Shkencat Filozofike. Po ashtu, ai ka pasur eksperiencë të vyer në universitetet më të mira europiane. Përveç vizitës kërkimore në Universitetin e Edinburgut në Skoci, ka fituar në 2020-ën bursën Gates Cambridge, përmes së cilës zhvilloi doktoraturën në Universitetin e Kembrixhit në fushën e historisë së filozofisë, nën udhëheqjen e përfaqësuesve të Shkollës Kontekstualiste të Kembrixhit.
Kjo shkollë, e themeluar në vitet ’60 të shekullit të kaluar, ka pasur ndër përfaqësuesit e saj kryesorë studiuesin dhe autorin Quentin Skinner, i cili argumentonte se, për të kuptuar një vepër dhe një autor, duhet të kuptosh kontekstin historik në të cilin ai ka shkruar. Quentin Skinner, në vitin 1969, shkruante se “ne duhet të mësojmë të mendojmë vetë” dhe se zgjidhjet për problemet me të cilat përballemi në të tashmen nuk do të gjenden përmes një studimi të ideve të së kaluarës.
I njohur tashmë me këtë lloj metodologjie, Çela tha se zgjodhi të kontekstualizojë autorin, dramaturgun dhe filozofin Albert Kamy, për faktin se ai ka qenë një figurë intriguese, të cilën ka dashur prej kohësh ta njohë dhe studiojë, veçanërisht idenë e tij mbi absurditetin e jetës. Duke e cilësuar absurdin si një copë puzzle-i që nuk përshtatet me tërësinë, Çela tha se ai mund të lexohet si një përplasje mes kërkesës sonë për kuptim dhe heshtjes së pafundme të botës.
“Nëse Skinner, përmes qasjes kontekstualiste, na tregon se historia është ajo që i jep kuptim veprimeve dhe ekzistencës njerëzore, Kamy na kujton se absurditeti nuk mund të mposhtet nga një projekt historik apo normativ. Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, respekti për individin, përvoja e përbashkët njerëzore dhe afirmimi i ekzistencës së njëri-tjetrit janë ato që i japin vlerë njeriut përballë absurditetit”, shpjegoi Çela.
Studiuesi i historisë së filozofisë tha se Kamy mbetet aktual edhe në ditët e sotme, jo sepse na jep përgjigje, por sepse na ndihmon të qëndrojmë me ndershmëri përballë pyetjeve që nuk kanë përgjigje.

