Ekselenca e ekselencës/ Vlerësohen në UET 168 studentët me mesataren mbi 9.5

“Qëllimi im nuk ka qenë që të jem ekselente. Qëllimi im ka qenë që të marr maksimumin.” Ishin këto fjalët e Argenta Hetit, studentes së masterit në programin Administrim Biznesi gjatë dhënies së certifikatave të vlerësimit për Rrjetin e Ekselencës. Në mbyllje të këtij viti akademik, Universiteti Europian i Tiranës nderoi168 studentët me mesataren mbi 9.5.
Heta nuk është mes studentëve me mesatare absolute 10, por historia e saj ishte ndryshe për shkak se ajo tashmë ndjek masterin e tretë në UET. Pas studimeve bachelor dhe master në një universitet shtetëror, ajo kaloi në UET, ku ndoqi fillimisht masterin profesional, Menaxhim Marketingu.
“U njoha me UET dy vite më përpara. Kisha eksperiencë në marketing, në një nga kompanitë më të mëdha në vendin tonë dhe vendosa që të përfaqësoj njohuritë e mia akademike me një master profesional në Marketing. Pasi e mbarova, po ndjehesha shumë mirë që isha e angazhuar, që po mësoja dhe doja akoma më tepër. Vendosa që të bëj një master tjetër.” Argenta Heta nuk premton se ky do të jetë cikli i fundit të studimeve. “Kam marrë dhe kam dhënë maksimumin te UET, por qenka një kënaqësi e veçantë që të jesh ekselente”, shprehet më tej.
Teksa i cilësoi ekselenca e ekselencës, rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja, sqaroi se për këtë vlerësim janë përzgjedhur të gjithë studentët që kanë dhënë provimet e semestrit të parë, të cilët kanë ruajtur rezultatet më të larta. Duke uruar që edhe në këtë semestër të kenë po të njëjtat arritje, Kruja theksoi se pasi krahasoi rezultatet e studentëve nga një nivel në tjetrin, pra nga shkolla e mesme në bachelor dhe nga bachelori në master, konkludoi shmangie shumë të vogla.
“Por dallova në një përqindje që kishte një rritje të ndjeshme nga niveli i parë n tjetrin. Ishin studentë të masterit profesional, që me sa duket kanë ardhur aty ku duhet. Falënderoj pedagogët që kanë qenë një shembull inspirues dhe që iu kanë nxitur të punoni mirë.”, theksoi rektorja në fjalën e saj, teksa shpërndau certifikatat për studentët me mesataren 10.
Për studentët që janë drejt përfundimit të ciklit master, ajo i ftoi të konsiderojnë mundësitë e doktoratave në UET në disa profile, ekonomiks, shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, psikologji, studime kulturore, ndërsa pritet të hapen edhe në arkitekturë dhe ndërtim.
Teksa shpërndau certifikatat e vlerësimit për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, i cili kishte edhe numrin më të lartë të studentëve ekselentë, dekania prof. asoc. dr. Teuta Xhindi, tha se kjo është dita kur pedagogët dhe universiteti ndjehen krenarë duke parë punën e tyre dhe të studentëve.
Më tej, ajo këshilloi studentët, që përtej rezultateve, të përfshihen edhe në aktivitete ekstrakurrikulare që kanë të bëjnë me përfaqësimin e universitetit dhe që impaktojnë në formimin e studentëve.
“Ne jemi fakulteti i gjërave të bukura dhe programeve të pasionit, të talenteve dhe duam sa më shumë ekselentë”, ishte kërkesa e dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. dr. Belina Budini, duke përgëzuar gjithë studentët dhe kolegët për punën e bërë.
Renditja e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në vendin e dytë, sipas numrit të ekselentëve, për dekanen prof. asoc. dr. Voltisa Gjergji është e kuptueshme, pasi në degët e mjekësisë shkojnë ata studentë që janë më të disiplinuar dhe janë më të prirur të sakrifikojnë nga ditët e pushimit dhe kënaqësitë e tjera. Më tej, ajo i ftoi studentët që janë në mbyllje të studimeve, që të mbeten në kontakt me UET. “Ne kemi nevojë për ju pasi jeni ai kontingjent te i cili do të mbështetemi për punimet shkencore. Unë do të kisha kënaqësinë që një pjesë prej jush t’i shihja në universitete si kolegë të ardhshëm.”
Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, prof. asoc. dr. Ervis Iljazaj, dha një këshillë për studentët që prekin dimensionet ndërkombëtare të punës dhe karrierës. “Duhet të ndiheni njëlloj si kolegët tuja në Europë e më tej. Nuk keni asnjë gjë më pak, përkundrazi. Kudo që të shkoni ndihuni të barabartë, konkurroni të barabartë dhe tregohuni të tillë.”
Dekani i Studentëve, Kristi Bello shpërndau më tej certifikatat për studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit si dhe për të gjithë anëtarët e Qeverisë Studentore, institucionit që përfaqëson kërkesat e studentëve dhe kujdeset që secili të jetojë eksperiencën më të mirë studentore.
Vlerësimi i studentëve të Rrjetit të Ekselencës është tashmë një praktikë e hershme, e përvitshme, që kremton arritjet, përkushtimin dhe pasionin e studentëve ekslentë, të cilët kanë pasur gjithmonë zgjedhje të parë të studimit Universitetin Europian të Tiranës.