Mimi Kodheli në FORUMET UET: Vetëm edukimi na çon në BE, duhet të njohim detyrimet tona

Takimi i trembëdhjetë i Forumeve UET riktheu në auditorin e Universitetit Europian të Tiranës ish- ministren e Mbrojtjes, kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlament, njëkohësisht drejtuese e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, znj. Mimi Kodheli.
Dikur pedagoge e UET, në vitet e hershme të këtij universiteti (2007-2009), Kodheli ishte e ftuar nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, në një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët për çështjen e sovranitetit ekonomik dhe integrimit global, në kuadër të përafrimit të Shqipërisë me unionin.
“Përpos shumë elementëve që mund të thuhen për një personalitet të rëndësishëm të ekonomisë dhe politikës në Shqipëri, unë do të specifikoja faktin që ajo ka hyrë në histori si gruaja e parë në Shqipëri që ka marrë detyrën e ministres së Mbrojtjes”, theksoi moderatorja e këtij forumi, përgjegjësja e Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit, dr. Elona Shehu.
Duke e cilësuar kënaqësi rikthimin në këtë auditor, Kodheli tha se jeta e saj si akademike u ndërpre në një moment kulmor të karrierës politike, kur mori detyrën e ministres së Mbrojtjes, për ta ndërlidhur më tej angazhimin e saj profesional me çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE.
“Sot që flasim, Shqipëria ka momentin e artë për ta shkurtuar rrugëtimin e saj politik dhe ekonomik drejt mbylljes së procesit të integrimit, me besimin dhe shpresën se do të jetë në gjendje të zgjerojë dhe t’i thellojë reformat”, theksoi Kodheli.
Ajo tha se Shqipëria duhet të respektojë institucionet qendrore evropiane, prandaj jo vetëm që kërkohet reformim i politikave në ekonomi, por edhe thellim i reformave për t’u përshtatur me një treg të provuar dhe të tentuar, por të pashkelur ende.
Duke e quajtur një proces delikat, Kodheli nënvizoi se duhet të punohet më tepër për të sqaruar publikun, profesionistët, se cilat do të jenë detyrat në të ardhmen, përtej përfitimeve të jashtëzakonshme që do të ketë.
“Kryefjala që do të na përgatiste për në BE është një fjalë dhe e vetme: Edukimi. Ne pa profesionstë, të çfarëdolloj kategorie, nuk do të shkojmë dot gjëkundi. Do të jemi një klasë punëtore e shfrytëzuar, e nën paguar, që mund të kënaqemi me cilësinë e jetës atje, por nuk do të arrijmë t’i rrimë kurrë përballë tregut europian ashtu siç duhet.”
Çështja e dytë e rëndësishme që, sipas saj, shqiptarët duhet të përgatiten, janë kuotat. Duke iu referuar bujqësisë, Kodheli theksoi se kuotat për prodhim do të jenë të përcaktuara, e përveç kësaj duhet të ndjekin me rigorozitet kriteret e cilësisë dhe standardet e prodhimit.
“Duhet folur pafundësisht me bizneset, prodhuesit, për të rritur cilësinë e produktit që kanë. Duhet të tregojnë origjinën e produktit në detaje.”
Sondazhet e kryera që tregojnë rënien e besimit të qytetarëve brenda unionit, nga 57% në 2007-ën në 42%, pavarësisht rritjes eksponenciale të ekonomisë. E po kështu ka rënë besimi te qeveritë dhe institucionet e vendeve anëtare në 35%, që sipas Kodhelit u lexua si një çalim i politikës. Për të, rikthimi i besimit te njerëzit është një punë e madhe që sapo ka startuar.
“Besimi rritet duke rritur transparencën, duke treguar se çfarë jemi duke bërë, duke folur për gjëra konkrete, qoftë bazike dhe duke shpjeguar në të gjitha aulat se çfarë do të bëhet me tregun e punës nesër.”
Si ish-ministre e Mbrojtjes, Kodheli u ndal edhe te siguria globale, ndryshimi i retorikës politike, rikthimi i konflikteve të armatosura, duke e rikthyer edhe njëherë vëmendjen te shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Por ajo theksoi, se politikisht Shqipëria është aktualisht i vetmi vend në rajon që ruan stabilitetin, duke rritur imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.
Ish-ministrja dha në fund disa këshilla për të gjithë studentët dhe të rinjtë, për të cilët tha se sot iu mungon besimi dhe modelet, duke i inkurajuar të besojnë se ky vend të bëhet.
“Besimi do t’ju bëjë të realizoni edhe të pamundurën. Nuk ka rëndësi se ku besoni, te vetja apo diku tjetër. Duhet të keni disa shembuj, modele. Besoni se ky vend mund dhe duhet të bëhet. Është më evropian se shumë vende evropiane.”