Ish-ministri Fatmir Xhafaj në FORUMET UET për bilancin e Reformës në Drejtësi: U nda qartë gjyqësori nga politika

Ish-ministri i Drejtësisë, drejtuesi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Z. Fatmir Xhafaj ishte i ftuar në Forumet UET, të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Në qendër të bashkëbisedimit me pedagogët dhe studentët e këtij fakulteti, nën moderimin e dekanit prof. asoc. dr. Ervis Iljazaj, ishte Reforma e Drejtësisë, mënyrën se si ajo u realizua, efektet pozitive që i solli shtetit dhe shoqërisë shqiptare, sulmet që ka pësuar herë pas herë nga politika si dhe çështjet e reja që kanë lindur gjatë funksionimit dhe zbatimit të saj.
“Është reforma që përflitet dhe debatohet si asnjë reformë tjetër dhe kush më mirë se Xhafaj mund të flasë për këtë gjë, pasi konsiderohet kujdestari i Reformës në Drejtësi në Shqipëri”, theksoi Iljazaj në hyrje të takimit.
Duke e cilësuar reformë shumëdimensionale, Xhafaj tha se rëndësia e saj vjen edhe për shkak të gjerësisë dhe thellësisë së projektit, por edhe për shkak të impaktit që ka sjellë në jetën shoqërore, politike, institucionale dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. “Shoqëria nuk do të përparonte nëse ne nuk të zgjidhnim çështjen e pushtetit të gjyqësorit dhe nuk do të reformonim sistemin e drejtësisë.”
Sa i përket rolit të tij si kryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, që udhëhoqi gjithë procesin e ideimit, hartimit, realizimit të kësaj reforme, Xhafaj tha se gjithë jeta e tij ka qenë dhe mbetet e fokusuar te çështjet juridike, për shkak të formimit akademik dhe gjithë punëve, detyrave që ka mbajtur gjatë gjithë karrierës së tij politike. “Bëj pjesë te ata njerëz që kanë ngjizur idetë e para të kësaj reforme”, tha Xhafaj, duke sqaruar më tej se, gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministrit të Drejtësisë në 2003-ish ka krijuar të parin Komision të Reformës Ligjore në vend.
Duke bërë një bilanc të Reformës së Drejtësisë, ish-ministri përmendi tre nga arritjet kryesore që ajo solli.
“Arritja e parë ishte ndarja e qartë e tre pushteteve. Sot Shqipëria është sistemi kushtetues që ka ndarjen më të pastër të pushtetit gjyqësor dhe dy pushteteve të tjera, në të gjitha sistemet demokratike në Evropë, që njoh unë. Efekti i dytë është pavarësia e pushtetit gjyqësor nga politika. Me Kushtetutë, sot kemi një ndarje të ndikimit të rolit në gjyqësor. Sot është i përjashtuar ndikimi i vendimmarrjeve politike në sistemin e drejtësisë dhe sidomos në dhënien e drejtësisë. E treta është integriteti i trupës gjyqësore që punon në drejtësi”, theksoi Xhafaj.
Po ashtu, ai përmendi edhe ndikimin që ka pasur Reforma në Drejtësi në kulturën dhe qasjen e gjithë shoqërisë në raport me ligjin dhe institucionet ligjore, duke pasur më tepër besim te ligji dhe autoriteti i tij.
“Ngritja e strukturave të posaçme, të dedikuara të korrupsionit dhe të orientura drejt goditjes së korrupsionit në nivelet e larta dhe efektet e para që ka sjellë në këtë aspekt, ka sjellë mendim tjetër.”
Xhafaj kërkoi më tepër përmirësime në nevojën për të ndryshuar mentalitetin dhe qasjen e njerëzve që shërbejnë në drejtësi, gjyqtarëvë, prokurorëve, të cilët kanë pavarësi të plotë në vetërregullim, në hetim e gjykim.
Tashmë si kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundim e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Fatmir Xhafaj tha se kanë bashkëpunuar me ekspertë nga institucionet e pavarura në vend, universitetet publike dhe ato jopublike, për të kontribuuar në krijimin e një plan-veprimi.
“Për herë të parë në 30 vjet ky është një produkt shqiptar. Vetë autoritetet shqiptare skanojnë vetveten. Dhamë provën se vendi ynë ka aftësinë për të gjykuar. Ne i treguam BE-së se kemi kapacitete tona. Ky projekt ka të bëjë me parandalimin. Të gjithë kemi qejf të flasim për burgun. Por shoqëritë nuk janë të shëndetshme nëse veprojnë me efikasitetin e burgut, por duhet të matin efikasitetin e parandalimit.”
Xhafaj sqaroi se Shqipëria ka një mori institucionesh të cilat nuk bashkëveprojnë dhe nuk janë llogaridhënëse. Sipas tij, nisma e re me Komisionit të Posaçëm Parlamentar do ta ndryshojë këtë situatë, duke shkëputur institucionet nga varësia e interesit.
Duke bërë pyetjen se pse ndodh korrupsioni dhe çfarë duhet bërë me ngushtimin e hapësirave për këtë fenomen, Xhafaj tha ky do të jetë fokusi i këtij komisioni, për të ingranuar institucionet parandaluese.
Po ashtu, një nga risitë që do të sjellë ky komision do të jetë monitorimi institucional, jo më nga ndërkombëtarët, por nga shoqëria civile dhe akademike, duke zhvilluar më tej kapacitetet në vend.