LIAISE COST Action sjell në UET Shkollën e Parë të Trajnimit për simbiozën industriale

Pas Athinës, Tirana dhe Universiteti Europian i Tiranës u përzgjedhën nga LIAISE COST Action për të sjellë Shkollën e Parë të Trajnimit dedikuar aspekteve kyçe të simbiozës industriale dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Aktiviteti tre ditor (17-19 mars) u mirëprit nga Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingut pjesë e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, nën kujdesin e pedagoges dhe kërkueses shkencore Dokt. Ina Keçi.
Trajnimi bëri bashkë akademikë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, inxhinierë mjedisi, përfaqësues të industrisë por dhe hartues politikash. Përveçse nga Shqipëria, pjesëmarrësit ishin nga Lituania, Italia, Portugalia, Kroacia, Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina, të cilët përtej ndarjes së njohurive, sollën eksperienca dhe praktika të suksesshme të ndjekura në vendet përkatëse sa i përket simbiozës industriale. Vetë terminologjia e fjalëve simbiozë dhe industriale, një term mjaft popullor vitet e fundit, nënkupton aktivitetet industriale ku një mbetje ose nënprodukt i një aktori bëhet burim për një aktor tjetër, duke minimizuar kështu efektet e dëmshme për mjedisin.
Në fjalën hapëse të aktivitetit, zv. rektori për Shkencën dhe Inovacionin, prof. dr. Kreshnik Bello tha se është një privilegj për UET-in që i jepet mundësia e organizimit të kësaj ngjarje të rëndësishme, duke përforcuar më tej pozicionimin e universitetit si qendër e rëndësishme për avancimin e dijes dhe inovacionit në këtë fushë.
Prof. Bello nënvizoi se ky aktivitet përputhet plotësisht me strategjinë e universitetit për të qenë udhëheqës në implementimin e praktikave më të mira dhe përshtatjen me zhvillimet e fundit në fushën e ekonomive dhe shoqërive të qëndrueshme.
Rëndësia e simbiozës industriale
Pavarësisht se vitet e fundit simbioza industriale ka marrë vëmendje të shtuar, në fakt është një praktikë e hershme e cila zë fill në vitet 1970-të. Parku eko-industrial në Kalundborg, Danimarkë, shpesh citohet si simbioza e parë industriale që funksionon në botë.
Efikasiteti i burimeve dhe ekonomia rrethore janë të ngulitura fort në agjendën globale dhe simbioza industriale promovohet nga organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara dhe OECD. Bashkimi Evropian ka pranuar se simbioza industriale ka lidhje të drejtpërdrejtë jo vetëm me efikasitetin e burimeve, por edhe me një agjendë të gjerë politikash që mbulon inovacionin, rritjen e gjelbër dhe zhvillimin ekonomik.
Simbioza industriale është një bashkëpunim strategjik në kuadër të të cilit industri të ndryshme ndajnë burimet, shkëmbejnë nënproduktet dhe optimizojnë menaxhimin e mbetjeve, për të sjellë përfitime mjedisore, ekonomike dhe sociale. Nëpërmjet kësaj qasjeje mbetjet e një industrie mund të shërbejnë si inpute për një industri tjetër duke reduktuar kostot, mbështetur në modelin e ekonomisë qarkulluese.
Rëndësia, praktikat, mjetet, përfitimet individuale ekonomike dhe përfitimet globale mjedisore ishin disa nga çështjet që u shtruan për diskutim nga ekspertët në Shkollën e Trajnimit në UET. Duke e zbritur diskutimin në rrafshin praktik, u analizuan raste konkrete zbatimit të simbiozës industriale, mënyrën se si ajo funksionon dhe efektet që ka sjellë në komunitetin të cilit i përket.
Veprimtaria e LIAISE COST Action
LIAISE është një rrjet kërkimor i krijuar nga European Cooperation in Science and Technology (COST), organizata që financon rrjetet kërkimore dhe inovacionin (COST Action). Ky rrjet kërkimor, i quajtur LIAISE COST Action, filloi punën më 24 tetor 2023 nën drejtimin e Almudena Muñoz Puche nga CETEM (The Technological Center for Furniture and Wood of the Region of Murcia).
Rrjeti është një mjedis gjithëpërfshirës, me 245 anëtarë, studiues dhe novatorë nga 49 vende, të cilët për një periudhë katër vjeçare kanë në fokus të agjendës së tyre simbiozën industriale. Kjo është një nismë thelbësore për largimin nga ekonomia lineare, promovimin e prodhimit të qëndrueshëm dhe arritjen e një ekuilibri midis shoqërisë, mjedisit dhe ekonomisë. Përmes një qasjeje shumë disiplinorë dhe zgjidhjeve inovative, ajo synon të adresojë një sërë sfidash urgjente me të cilat përballet ekonomia rrethore.