Nikollaq Kaçani, kirurg në të gjitha jetët

Kirurg për gjysmë shekulli, shef i Kirurgjisë në QSUT për 25 vjet, pedagog për gati katër dekada. Do të duhen orë për të numëruar arritjet ndër vite të Prof. Dr. Nikollaq Kaçanit, por do të duhet vetëm një moment dhe vetëm një fjalë për të mësuar çelësin e suksesit pas këtyre shifrave.
Kuptohet diçka prej saktësisë së kirurgut kur matanë telefononit të pyet për temën e intervistës e menjëherë, pa pikë hezitimi, thotë po, duke sakrifikuar ditën e pushimit. Me të njëjtën përpikmëri si ajo e thikës që shkon drejt plagës, profesori e rrëfen historinë e një jete me aq pasion e përkushtim sa thelle-thellë të bën të pendohesh që nuk je pjesë e bluzave të bardha.
“Njëqind herë po të rilindja, njëqind herë kirurgun do të bëja”, shprehet prof. Nikollaq Kaçani. Mbi 60 vite mes librave të mjekësisë, korridoreve të spitaleve e pacientëve, rasteve pafund e netëve pagjumë duke u përpëlitur me dhimbjet e të sëmurit, ia kanë shkrirë përditshmërinë dhe ia kanë bërë njësh me punën.
Nëse nuk do të ishte për dëshirën e madhe të babait, sot mund të ishte mësues, inxhinier, mekanik apo biokimist. I ati donte një mjek në familje dhe fati i ra atij për të shkuar në Politeknikum Mjekësor të Tiranës. Ishte viti 1961 kur rrugëtoi nga Vlora drejt kryeqytetit. Rezultatet e shkëlqyera i siguruan në 1965 një bursë nga shkolla e mesme për në Fakultetin e Mjekësisë. Por jo, ende nuk ishte momenti i duhur. Atë vit doli vendimi që teknikët e mesëm duhet të zhvillonin stazh.
U kthye në vendlindje dhe punoi për dy vjet si ndihmës mjek në Vlorë. Lëvizte në çdo fshat dhe ndihmonte banorët, duke asistuar me ato ilaçe që ofroheshin në atë kohë. Në vitin 1967 u rikthye në Tiranë për të vijuar studimet në mjekësi. Pas pesë vitesh studimi, u emërua në spitalin e Vlorës dhe pastaj në Orikum, deri kur i erdhi në 1977 thirrja për specializim.
“Niko, a të pëlqen kirurgjia?” Ishte kjo pyetja e pedagogut Asim Ylli nga fundi i vitit të tretë që do ta çonte në një drejtim të ri. Bashkë me shefin e Kirurgjisë së asaj kohe, kirurgun Ferdinand Paparisto e bënë pjesë të rrethit shkencor të Kirurgjisë.
Punoi me përkushtim e studioi fort edhe atëherë kur mungonte literatura dhe duhet të bënin diagnozën e shumë të sëmurëve që vinin në spital. Shkonte te Rruga e Elbasanit, merrte revistat e punimet shkencore e huaja dhe i përkthente në gjuhën shqipe.
“Përktheva 200 e ca faqe vetëm për apendicitin nga frëngjishtja: përktheva për sëmundjet që vinin në urgjencë që të isha i saktë me diagnozën; përktheva për ngatërrimin e zorrëve, hemorragjinë, plasjen e stomakut dhe për të sëmurët në reanimacion. U bë një libër 400 e ca faqe.”
Këto materiale i shpërndante pastaj me specializantët e tjerë, prandaj shumica e tyre janë të humbura. Kohës i ka mbijetuar vetëm përkthimi për apendicitin të cilin shumë vite më vonë ia riktheu mjeku Gjovalin Bushi, të mbështjellë me gazetën “Zëri i popullit”, ashtu siç ia kishte dhënë në fund të viteve ’70-të.
Me këtë vrull studimesh e përpjekjesh dha gjatë periudhës së specializimit të gjitha provimet pasuniversitare, pavarësisht se këto provime i jepnin vetëm studentët që do të qëndronin në Tiranë. Edhe pse mjekët Petrit Gaçe, Ferdinand Paparisto dhe Besim Elezi propozuan në Këshillin Teknik te spitalit që të rrinte në kryeqytet, procedurat e gjata për të ndenjur si kirurg në QSUT e rikthyen për herë të fundit në Vlorë në 1980-ën.
Provimi i vetëm që i kishte mbetur ishte ai kirurgjisë pasuniversitare. Doli para një komisioni të madh me profesorët e nderuar të atyre viteve, ajka e mjekësisë shqiptare, Petrit Gaçe, Besim Elezi, Panajot Boga, Veli Zogu e Simon Çapeli, prej të cilëve mori vlerësim maksimal.
Po të njëjtin vlerësim do të merrte para mjekëve nga të gjithë spitalet e vendit gjatë prezantimit të punimit shkencor mbi bllokimin e kanaleve të mëlçisë, për të marrë titullin kandidat shkencash. “Rushen Golemi, një nga kirurget e rralla në atë kohë i propozoi shefit të katedrës që të merrja menjëherë titullin docent”, tregon profesori.
Jo se nuk ishte mësuar me këto kalime. I kishin ndodhur edhe gjatë viteve të studimeve, kur profesorët shpesh nuk e fusnin në provime përfundimtare për shkak të angazhimeve gjatë seminareve. Po kaq papritur e kishte kapur në atë kohë kardiologu Anesti Kondili, i cili nuk e kishte futur në provimin për sëmundjet e zemrës.
Mes bluzave të bardha të auditorëve dhe atyre të spitaleve
Në fakt rrugëtimi i kirurgut Kaçani nuk është i ndarë nga ai i akademikut, kanë ecur paralel dhe kanë plotësuar njëri-tjetrin. Pas specializimit, në vitin 1984, u zgjodh asistent në katedrën e Kirurgjisë.
Tregon se dita e parë në auditor, tashmë si pedagog, nuk ishte e njëjtë me atë të çdo pedagogu në fakultetet apo universitetet e tjera. Kjo për faktin se auditori i studentëve të mjekësisë ishin korridoret e spitaleve, pacientët, rastet e sëmundjeve të mësuara dhe të panjohura.
“Ne fillonim pedagogë në seminare që zhvilloheshin si praktikë. Studentët vinin në spital dhe mësonin historinë e sëmundjes së pacientit dhe pedagogu bënte pastaj shpjegimet e rastit.”
Edhe pse i përgatitur profesionalisht, nuk e mohon se emocionalisht ishte i ndjeshëm përballë të rinjve që prisnin prej tij të dinin çfarëdolloj rasti. Me kohën, me eksperiencën, përmirësoi mënyrën e komunikimit dhe të gjithë elementët që e bëjnë mësimin produktiv dhe pedagogun të respektuar.
“E para është përgatitja. E dyta është mënyra e komunikimit, mënyra si artikulon që studenti të të shohë në sy dhe të dëgjojë atë çfarë thua. Nëse i ke këto, ty studenti të ndjek e te respekton.”
Shpesh e vë veten në vendin e studentëve dhe kujton kohën kur ai ishte në moshën e tyre, për të analizuar se çfarë ai kërkonte nga pedagogët dhe çfarë duhet t’iu japë të rinjve në auditorët e tij. “Duhet të komunikosh si ai, të mos i thuash fantazira që nuk i kupton.”
Pedagogët shumë të mirë të asaj kohe, që ishin në një farë forme idhujt e tij, eksperiencat e shumta në katedrat e vendeve të ndryshme të botës, e kanë bërë që të jetë sa më i familjarizuar me këtë fushë e më kompetent, duke kaluar hap pas hapi të gjitha gradat shkencore.
Pas marrjes së një burse nga OBSH-ja në 1985-ën u largua për në Paris. U rikthye sërish në këtë qytet më 1993-shin pasi fitoi konkursin e Ambasadës Franceze dhe vijoi me studimet për t’u perfeksionuar në kirurgjinë e heparit, rrugëve biliare dhe pankreasit. Po në këtë vit mori titullin doktor shkencash e në vitin 1994 u bë profesor i asociuar i Kirurgjisë. Me gradat akademike erdhën edhe përgjegjësitë.
Në 1993-shin mori detyrën e shefit të Pavijonit dhe në 1998-ën u bë shef i Shërbimeve të Kirurgjisë, duke qëndruar aty për 25 vjet. Në 2001-shin u zgjodh shef i Departamentit të Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa në 2005-ën u emërua kryekirurg në QSUT.
Anëtarësimet po ashtu kanë qenë të shumta. Ka qenë anëtar i të gjitha bordeve të Fakultetit të Mjekësisë dhe në Senatin e Universitetit të Tiranës, nga 1998-ta në 2008-ën; anëtar dhe nënkryetar i Shoqatës së Kirurgëve të Shqipërisë; anëtar i Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve; anëtar i Shoqatës së Kirurgëve të Përgjithshëm të Europës; anëtar nderi i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.
Përpos punës profesionale është marrë me publikime shkencore duke numëruar 225 botime brenda dhe jashtë vendit, me monografi, botime me bashkautorësi, tekste të kirurgjisë të referuara në simpoziume. Është bërë pjesë dhe ka drejtuar konferenca dhe kongrese në vendin tonë por edhe në disa vende europiane, në Spanjë, Francë, Greqi e Itali etj.
Ka udhëhequr programet e edukimit të mjekëve, të pedagogëve, për titullin master, doktor shkencash, asistent profesor. Numëron me dhjetëra udhëheqje, duke u bërë recent dhe oponent në shumë tituj të dhënë.
Prej vitit 2000 është i vetmi kirurg në Shqipëri që mban pasaportën e kirurgut ndërkombëtar. Pavarësisht mundësive që ajo të krijon, nuk ka pranuar asnjëherë të largohet nga Shqipëria, duke dëshiruar fort ta lërë këtu kontributin, pavarësisht vështirësive jo të pakta.
E cilëson nder ftesën e para disa viteve të Universitetit Europian të Tiranës për të qenë pjesë e auditorëve të tij. “UET është lokomotivë e universiteteve private në Shqipëri”, thotë profesori, duke shtuar se ka studentë shumë të mirë, të përkushtuar që duan të dinë sa më shumë për profesionin e tyre.
Lidhja e ‘shenjtë’ mjek- pacient
Tre kanë qenë drejtimet kryesore të përkushtimit të profesorit gjatë karrierës së tij: pacientët, studentët e specializantët. Vendin e parë e kanë marrë gjithmonë të sëmurët, të cilët i ka dëgjuar, ndjerë e respektuar për t’iu shërbyer me devotshmëri.
“Bëja vizitë çdo ditë dhe i njihja një më një. Operoheshin 50-60 të sëmurë gjatë javës dhe unë e dija se çfarë kishte secili prej tyre.”
Puna për të nuk kishte orar. Edhe nëse do ta telefonin në mes të natës, do të përgjigjej. Do të jepte udhëzimet e duhura e do të priste pastaj reagimin dhe gjendjen e të sëmurit. Thotë se mjekësia është profesioni i bukur, një mision i veçantë që kërkon pasion, përkushtim e fantazi.
“Nëse profesionin nuk e ke pasion, nëse nuk ke karakter, nëse nuk ke zell, nuk ke përkushtim, përgjegjshmëri, ego profesionale me veten, nuk arrin dot gjëkundi”, thekson profesori, më se i bindur se me punë të ndershme, brenda normave dhe ligjeve, çdo njeri arrin majat aty ku e çojnë aftësitë. “Puna të jep pavarësi, siguri, dinjitet. Të gjitha gjërat blihen, dinjiteti dhe personaliteti nuk blihen kurrë.”
Shton se seleksionim e bluzave të bardha e bëjnë pikërisht pacientët dhe se lidhja mjek-pacient është e ‘shenjtë.
Nga ana tjetër, e pranon se nuk do të kishte këtë karrierë, këtë ngjitje akademike e profesionale, nëse nuk do të gjente mirëkuptimin, qoftë edhe në heshtje, të familjes, të mjekes Veronika dhe dy fëmijëve të tij.
“E kam privuar jetën private. Gruaja më ka mirëkuptuar, më ka dhënë mbështetjen maksimale. Është marrë me edukimin e fëmijëve, me mbajtën e shtëpisë dhe falë saj sot djali është kardiokirurg dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë e vajza pedagoge në Stomatologji. Të dy janë me medalje dhe kanë grada shkencore profesorë të asociuar.”
Për të gjithë të rinjtë, studentët e tij që presin këshilla e sugjerime, profesori iu përgjigjet me shprehjen e famshme të John Kennedy-t, nga fjalimi i tij si president i SHBA-ve: “Ta marrin vesh miq dhe armiq, dashamirës dhe keqdashës, sot është koha e amerikanëve të rinj, të rritur në paqe.”
“Sot është koha e të rinjve. Duhet ta çojnë përpara këtë vend, ta zhvillojnë, ta duan, të përkushtohen, të mos i kthejnë shpinën. Nuk mund të flesh askund më rehat sesa në vendin dhe në shtëpinë tënde”, përmbyll profesori./(Luiza Pinderi)