Promovohet në COD studimi i pedagogëve të UET për zhvillim afatgjatë të Shqipërisë, Rama: Jam i hapur për të diskutuar propozimet
Shqetësimi për ngadalësimin e reformave në zhvillimin e vendit dhe preokupimi për të dhënë kontributin e tyre bëri bashkë një grup studiuesish në Universitetin Europian të Tiranës. Pas analizimit të situatës, shkaqeve dhe faktorëve, ata dolën me një draft-propozimesh duke sugjeruar një sërë reformash, që sipas tyre kanë potencialin për të ndryshuar trajektoren e zhvillimeve në Shqipëri.
Nga reforma në drejtësi te nevojat në polici, politikat e sigurisë e politikat e jashtme, sektorët e ekonomisë, të bujqësisë apo edukimit; të gjitha studimet dhe propozimet që do të nxisin zhvillimin e këtyre sektorëve vijnë të përmbledhura në librin e botuar nga UET Press, “Zhvillimi afatgjatë përmes dinamizmit institucional”, i cili u promovua në COD me praninë e kryeministrit Edi Rama.
Presidenti i UET prof. asoc. dr. Selami Xhepa tha se kësaj here në COD mblidhen për një dialog mes universitetit dhe ekzekutivit për të bërë një inventarizim të 30 viteve tranzicion dhe për të parë mundësitë e reformave që i shërbejnë vendit për të ndërtuar një dinamikë të re ekonomiko-shoqërore.
“Gjatë këtyre viteve ne kemi pasur një dinamikë shumë të vrullshme të zhvillimit të institucioneve që shpeshherë prodhojnë konflikte institucionale dhe konflikte që krijojnë barrierë dhe pengesa…Shpeshherë grupet e interesave bëhen barrierë për ndryshimet institucionale që krijojnë status quo që mund të ktheht në frenues të zhvillimeve ekonomiko-sociale. Prandaj është e udhës që shoqëritë të kalojnë në një lloj gijotine për të parë se çfarë është e tepërt dhe çfarë duhet të çlirohet.”
Kryeminstri Rama mirëpriti studimin e kryer nga pedagogët e UET dhe u shpreh i hapur për të diskutuar sugjerimet e tyre.
“Si në të gjitha raster kur Universiteti Europian i Tiranës, me një kurajo, që nuk e kanë, të paktën nuk e kanë treguar deri më sot universitetetet e tjera, troket në derën e kësaj qendre, kjo derë hapet dhe unë ndjehem i detyruar që t’iu uroj mirëseardhjen atyre që e përdorin këtë hapësirë pa asnjë kompleks. Kur flas për kurajo kam parasysh faktin që nuk është më sekret, që nga profesori i nderuar Selami Xhepa, por jo vetëm ai, edhe të tjerë, nuk ndajnë të njëjtat opinione, jo me qeverinë, por as me filozofinë tonë qeverisëse… Pavarësisht se çfarë shkruhet këtu, nga një qasje më liberale, më e djathë sesa qasja jonë, do të ishte me vlerë që për gjithë këtë prdodukt të bënim një debat në një moment të dytë”.
“Jam sinqerisht mirënjohës që autorët kanë marrë mundimin të bëjnë një ushtrim të ndërlikuar të nxjerrin përmes shtëpisë botuese të Universitetit Euroian të Tiranës një libër që ka pak gjasë që të ketë pak gjasë të ketë sukses komercial por ka vlerë të posaçme”, tha kryeministri, duke shtuar se tashmë e ka në dorë dhuratën që do ua bëjë ministrave dhe deputetëve.
Pedagogët e UET vazhdimisht kanë artikuluar idetë e propozimet e tyre në media e publik. Që nga Pakti për Reformizmin, i cili u propozua nga një grup profesorësh në vitin 2017 dhe në vazhdimësi, studiuesit e UET kanë deklaruar propozime që forcojnë më shumë shtetin duke e lehtësuar atë nga funksionet e padobishme dhe fokusimin e tij në përmbushjen eficiente të detyrimeve prioritare. Por zhvillimet aktuale dhe ambiciet europian të Shqipërise e bëjnë më të ngutshëm rishqyrtimin e sistemit institucional të krijuar ndër vite.
Në librin “Zhvillimi afatgjatë përmes dinamizmit institucional” profesori i Shkencave politike PhD Florian Çullhaj sjell propozimet e tij për të frenuar korrupsionin në radhët e Policisë së Shtetit.
Dy pedagogët e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare sjellin sugjerimet e tyre për politikat e sigurisë dhe qëndrimet diplomatike në Ballkan. Kështu, prof. dr. Kristaq Xaro propozon një paradigmë të re në mjedisin e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa pedagogu prof. asoc. dr. Blendi Lame ndalet te riformulimi i pozicionit të Shqipërisë në arenën rajonale dhe ndërkombëtare.
Për boshllëqet që u krijuan nga Reforma në Drejtësi, prof. asoc.dr. Juelda Lamçe sjell studimin e saj se çfarë mund të ndryshohet për të zhdukur stoqet e çështjeve të mbetura në gjykata.
Profesorja e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Ermela Kripa ndalet te thjeshtimi i sistemit dhe eleminimi i përjashtimeve tatimore në vendin tonë.
Eksperti i ekonomisë, prof. asoc. dr. Selami Xhepa përqendrohet te produktiviteti, rritja ekonomike dhe zhvillimi, duke zbërthyer elementët që paralizojnë sot ekonominë shqiptare. Duke marrë rast studimor Tiranën, prof. asoc. dr. Otjela Lubonja propozon ndryshime për zonimin dhe planifikimin urban, duke sugjeruar modelin e Barcelonës.
Prof. dr. Kreshnik Bello fokusohet në një sektor tjetër, duke sjellë propozime për modernizimin e sektorit të bujqësisë, blegtorisë, pylltarisë, peshkimit dhe akuakulturës, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit tonë.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UET, prof. asoc. dr. Voltisa Gjergji dha propozimet e veta për fuqizimin e sistemit shëndetësor sipas tregut të sigurimeve, ndërsa profesori i edukimit dhe psikologjisë, prof. dr. Edi Puka solli nevojën e reformave në sistemin e arsimor, pas një analize të nevojshme të të gjithë sektorit dhe zhvillimeve ndër vite.