“Jus & Justicia” 18/1: Sfidat bashkëkohore të sigurisë në Shqipëri dhe Kosovë
U promovua në Universitetin Europian të Tiranës numri i radhës së revistës shkencore “Jus & Justicia”, me titull “Contemporary Security Challenges”. Pedagogë dhe ish-studentë të UET, si dhe pedagogë të universiteteve të tjera sollën kërkimet e tyre mbi çështjet e sigurisë kombëtare, rajonale e ndërkombëtare
Nga siguria kombëtare e civile në Kosovë te politikat e sigurisë në BE dhe më gjerë, e deri te zbërthimi i komunikimit të koduar të krimit të organizuar, apo zhvillimi i tregut të Obligacioneve CoCo në Shqipëri. Janë një sërë hulumtimesh që sjell revista shkencore “Jus & Justicia” 18/1, botuar nga Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nën tematikën “Contemporary Security Challenges”.
Flitet kaq shumë sot për revolucionin digjital e inteligjencën artificiale, sa duket se çështjet që dikur kanë qenë jetike dhe në tryeza diskutimi, si ajo e sigurisë, janë bërë periferike dhe inekzistente. Në fakt, ajo që ka ndryshuar është koncepti tradicional i kuptimit dhe shtrimit të këtyre problematikave. Siç shprehet edhe dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në editorialin e revistës, prof. asoc. dr. Juelda Lamçe, sfidat e sigurisë kanë evoluar, nga konfliktet tradicionale të bazuara në shtet, në një gamë shumë më të gjerë dhe më komplekse kërcënimesh.
“Shqetësimet kritike të sigurisë së sotme përfshijnë tensionet gjeopolitike, kërcënimet e sigurisë kibernetike, organizatat kriminale dhe përhapjen bërthamore, krahas çështjeve të tilla si shëndeti, varfëria, pabarazia, degradimi i mjedisit dhe mungesa e burimeve.”
Sipas saj, adresimi këtyre sfidave për të siguruar stabilitetin, prosperitetin dhe mirëqenien e kombeve dhe individëve kërkon një qasje të shumanshme që shtrihet përtej zgjidhjeve ushtarake. “Një qasje e tillë përfshin strategji diplomatike, ekonomike dhe zhvillimore, si dhe rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar.”
Gjatë promovimit të revistës, prof. dr. Kristaq Xharo tha se nuk ka kohë më emergjente për të folur për sigurinë sesa koha e tashme dhe kjo revistë prek një numër të madh çështjesh të lidhura me sigurinë. Pedagogu sqaroi se që nga viti 1994, OKB ka zgjeruar konceptin e sigurisë, e tashmë përfshihet që nga individi deri te shtetet e globi mbarë, që çështjet e luftës, çështjet ekonomike, mjedisi, shëndeti, politika dhe aftësitë e ndërveprimit
“Lufta është kthyer në një dilemë ndërkombëtare. Përveç pyetjes do të ketë ose jo luftë, është shtuar edhe pyetja kur do të bëhet. E gjithë Europa ndodhet nën frikën e luftës, pavarësisht se ne ndodhemi akoma në librat e Francis Fukuyama-s “Fundi i historisë”, që s’do të ketë më luftëra. Lufta ka qenë gjithë kohën aty, e po ashtu çështjet, e ne duhet t’i njohim e përgatitemi.”
Dekania Lamçe theksoi më tej se revista “Jus &Justicia” është tashmë e futur në kategorizimin B të Ministrisë së Kulturës, ndërsa qëllimi mbetet ndërkombëtarizimi.
“Është sfida më e vështirë që kemi në kërkimin shkencor. Do të falënderoja të gjithë kolegët dhe studentët që kanë marrë pjesë, pasi në këtë numër janë punime të një numri të konsiderueshëm të ish-studentëve tanë.”
Rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja tha se gjëja më e mirë që është bërë me revistat shkencore të UET, është indeksimi në DOAJ dhe EBSCO, duke ua rritur kështu vlerën në komunitetin e botimit shkencor. Kruja kërkoi më tepër bashkëpunim për të njohur dhe cituar punimet e njëri-tjetrit.
“Çdo student i doktoraturës ka detyrim që të ketë një botim në Scopus, prandaj duhet të citojnë artikujt tanë. Nëse ne arrijmë që revistat tonë të jenë në Scopus do të jetë një arritje shumë e madhe.”
Një përvojë mjaft të mirë personale ndau dr. Florian Çullhaj, ku një shkrim i tij i 2021 në “Jus & Justicia 15” është cituar nga një revistë ndërkombëtare me faktor impakti 2.6, ndërsa iu bëri thirrje kolegëve të vet të shkruajnë në numrat e radhës.
Një sërë tematikash vijnë në këtë numër të “Jus & Justicia”. Prof. asoc. dr. Fabian Zhilla në punimin e tij “Dëshifrimi i botës së krimit ballkanik. Një analizë teorike e komunikimit të koduar në krimin e organizuar”, hedh më shumë dritë mbi zbulimet më të fundit në Shqipëri, mbi komunikimin e drejtuesve të krimit në vend.
Ish-dekani në UET, prof. asoc. dr. Elvin Meka, në bashkëpunim me Msc. Lira Sinani sjellin punimin “Obligacionet e Konvertueshme Kontigjente (Obligacionet CoCo) dhe zhvillimi i tregut të tyre në Shqipëri”, ku shqyrton instrumentet inovative financiare të këtyre obligacione, si dhe potencialin e tyre për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në sektorin bankar.
Phd (c) Rexhina Myrta e përqendron kërkimin e sigurinë kombëtare dhe civile në Kosovë, duke u ndalur te komponentët, sfidat dhe rreziqet që e prekin shtetin më të ri të Ballkanit. Po kështu, MSc. Ergys Dollomaja ka objekt të kërkimit Kosovën, ndërsa analizon politikat e sigurisë së Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor pas viteve 1990.
Më tej, Msc Artan Sadiku sjell punimin me temë “Aleancat klasike dhe evolucioni i tyre në kohën bashkëkohore ambient sigurie”, ndërsa MSc. Jurgen Hoxha e zhvendos fokusin në arenën ndërkombëtare duke paraqitur sfidat e sigurisë në rajonin e Azisë, në punimin “Japonia dhe Kompleksi Rajonal i Sigurisë në rajonin Azi-Paqësor 1931-1945”. “Siguria energjetike në Shqipëri – drejt vetë-mjaftueshmërisë energjetike 2030” me autor MSc. Enxhi TERIHATI, është punimi që mbyll revistën.