Promovohet MEDICUS 8/1, referencë për pedagogët shqiptarë dhe revista shkencore ku botojnë studiuesit e huaj
“Health and Society” është tematika e numrit të radhës së revistës shkencore “Medicus 8/1”, e cila u promovua në Universitetin Europian të Tiranës. Kjo revistë, e cila nisi me hapjen e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, botohet dy herë në vit në gjuhën angleze, duke njohur nga viti në vit një rritje në numër, ashtu edhe në cilësinë e autorëve që e përzgjedhin për të paraqitur kërkimet e tyre.
Duke qenë një revistë e kategorizuar brenda Shqipërisë, si dhe e listuar në DOAJ, “Medicus” është referencë jo vetëm për pedagogët e studentët e UET dhe universiteteve të tjera në vend, por tashmë është kthyer në referencë edhe për kërkuesit e huaj.
“Listimi në DOAJ i dha shumë përparësi revistës pasi ajo shfaqet në faqet jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Tashmë ka edhe një interes nga bashkëpunëtorët e huaj. Në këtë numër kemi përfshirë dy punime të autorëve të huaj”, u shpreh dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Prof. Asoc. Dr. Voltisa Gjergji.
Teksa bëri një përmbledhje të të gjitha punimeve që sjell ky numër, nga çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin në tërësi, te shëndeti publik, rasti studimor që vjen nga Gjermania për kujdesin e të moshuarëve, te telerehabilitimi, prof. Gjergji iu kërkoi studentëve që ta shohin si një mundësi të mirë për rritjen e tyre profesionale, duke nisur që me botimin e punimeve të tyre në Master e më tej të pasqyrojnë kërkime të tjera më të thelluara.
Pedagogia e UET, Dr. Lumturi Merkuri, me një eksperiencë të gjatë në shëndetin publik, kujtoi se kur në vitin 1996, pas një trajnimi dy ditor nga ekspertë të OBSH-së, ministri i Shëndetësisë së asaj kohe iu tha se shëndeti publik do të kthehej në prioritet, shumëkënd kjo e gjeti të befasuar. Profesorja shtoi se jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, shumë vonë është kthyer vëmendja ndaj shëndetit publik, duke i dhënë prioritet vetëm mjekësisë. “Sot po investohet fuqishëm në shëndetin publik, sepse nuk duhet pritur derisa të sëmuremi dhe të shkojmë në fazën e fundit. Parandalimi ëshë po aq i rëndësishëm sa kurimi.”
Sipas saj, sfidat në këtë fushë janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mbipesha, diabeti, hipertensioni, ankthi, rezistenca ndaj antibiotikëve, dh duhet punuar nga të gjithë, pavarësisht nëse jemi në fushën e klinikës apo shëndetit publik. Dr. Merkuri vlerësoi faktin që edhe botimet shkencore po i japin hapësirë çështjeve të shëndetit publik.
Dr. Sc. (c) Iva Rrugia, e cila së bashku me PhD Jasemin Todri dhe Aden Gripshi kanë realizuar punimin “Adopting Telerehabilitation in Albania: Evaluating Acceptance, Preferences, and Impediments Among Physiotherapists and the Public”, tha se ky shkrim është fillimi i një studimi më të thellë në lidhje me telerebailitimin.
“Telerehabilitimi tregon se si të shfrytëzojmë rrjetet komunikuese për të shpërndarë komunikim, për të mundësuar konsulta, edhe në një target grup që mbase është vulnerabël, ndërsa të gjithë përballemi me ritmet frenetike të jetesës.”
Më tej doktoresha MD Esi Duka, infeksioniste pranë shërbimit të sëmundjeve infektive në QSUT, tregoi se punimi i saj ka marrë në shqyrtim një nga komplikacionet që ka hasur më shpesh te pacientët me Covid-19, të hospitalizuar në QSUT.
Teksa falënderoi komunitetin shkencor dhe kryeredaktoren e revistës për disponibilitetin e treguar, Duka e quajti MEDICUS një revistë që do të shërbejë si një dritare e hapur për të gjithë profesionistët e shëndetësisë.
Artikujt e këtij numri janë të fokusuar në modelet shëndetësore, kujdesin shëndetësor dhe ekonominë, si dhe sjelljet shëndetësore, duke përfshirë disa studime. Profesori gjerman Prof. Dr. Kerstin Wüstner sjell një studim nga Gjermania që tregon modele të kujdesit për të moshuarit dhe strategjitë alternative të politikave, të tilla si qëndrimi në shtëpi me ndihmën e kujdesit për të jetuar.
Më tej, vjen një studim që pasqyron qëndrimet (pranueshmërinë, preferencat dhe nevojat) e fizioterapistëve shqiptarë dhe popullatës së përgjithshme ndaj telerehabilitimit. Studimi tjetër ka të bëjë me matjen e prevalencës së artritit reumatoid në qarkun e Elbasanit gjatë dekadës së fundit.
COVID-19 mbetet ende një rast studimi dhe zbulimi. Në revistë është paraqitur një ndërlikim i rrallë që shfaqet te pacientët me Pneumoni, i cili nëse do të diagnostikohej në kohë do të parandalonte shfaqjen e komplikimeve kërcënuese për jetën. Po ashtu, “Medicus 8/1” përfshihen dy rishikime të literaturës: I pari ka të bëjë me sëmundjen e Alzheimerit dhe tjetri synon të kuptojë ndërlidhjen veshkë-tru.
Punimet e paraqitura në MEDICUS 8/1
Editorial: Health and Society: A brief overview of journal articles summary
Prof. Asoc. Dr. Voltisa GJERGJI
Challenges of becoming in need of care and promises of agencies for live-in care in Germany
Prof. Dr. Kerstin WÜSTNER
Adopting Telerehabilitation in Albania: Evaluating Acceptance, Preferences, and Impediments Among Physiotherapists and the Public
Dr. Sc. (c) Iva RRUGIA, PhD Jasemin TODRI, Aden GRIPSHI
Assessment of the incidence and prevalence of rheumatoid arthritis in the District of Elbasan for the period 2011-2021
MD Armida HIDA
Pneumomediastinum as a primary manifestation of COVID-19: A case report
MD Esi DUKA, Prof. Dr. Najada COMO, Dr. Sc. Esmeralda META
Literature review of Alzheimer’s disease aetiology
Assoc. Prof. Hafez AL-MOMANI
Exploring Cognitive Dysfunction as a Secondary Effect of Kidney Disease: Unveiling the Kidney-Brain Interconnection. A Literature Review
Dr. Sc. (c) Vilma ÇADRI, Prof. Asoc. Dr. Ariana STRAKOSHA, Dr. Sc. Nevi PASKO, Dr. Sc. Elvana RISTA