Tre ish-ministra të Jashtëm në UET flasin për Ukrainën dhe kërcënimin rus në Ballkan
Paskal Milo, Aldo Bumçi dhe Enver Hoxhaj nga Kosova, u bënë bashkë në Universitetin Europain të Tiranës për të diskutuar rreziqet dhe efektet që ka lufta në Ukrainë për rajonin. Të tre theksuan rëndësinë e NATO-s dhe panë si emergjente shpejtimin e proceseve integruese të vendeve të rajonit, por edhe përgatitjen për skenarin më të keq
Diskutimet mbi konfliktin në Ukrainë bënë bashkë në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës tre ish-ministra të Jashtëm. I pari shërbeu si ministër i punëve të jashtme në vitet e para të tranzicionit, me të majtët në pushtet më 1997-n. I dyti qe numri një i diplomacisë shqiptare gjatë qeverisë Berisha, pak muaj para se pushtetin ta merrnin sërish të majtët. I treti e mbajti dikasterin e Punëve të Jashtme për shtatë vite në Kosovë. Ajo që i bashkoi Paskal Milon, Aldo Bumçin dhe Enver Hoxhajn ishte impakti i luftës në Ukrainë në rajonin e Ballkanit Perëndimor e veçanërisht në Kosovë.
Ish-ministri kosovar, Hoxhaj, tha se ky realitet i ri politik i krijuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kërkon edhe një fjalor tëri për të shpjeguar botën dhe po ashtu politika të reja.
Kjo kohë, sipas politikanit nga Kosova, do të thyejë shumë norma dhe tabu dhe për popullin shqiptar në të dy anët e kufirit lind nevoja për një kuptim më të thellë të ngjarjeve në Ukrainë.
Duke u ndalur te përpjekjet e Rusisë, por edhe të Kinës për ta ndarë botën në dy sisteme ideologjike dhe gjeopolitike, Hoxhaj foli mbi rëndësinë jetike të rreshtimit në anën e duhur.
Ai tha se Shqipëria, që ka rolin si bashkëpenëmbajtëse me ShBA-në në Këshillin e Sigurimit, është e rreshtuar drejt. Po ashtu edhe Kosova dhe Mali i Zi. Ai tha se ndryshe nga opozita në Rusi që i dënon veprimet e Putinit, në Serbi të gjithë, nga qeveria te opozita, kleri fetar, media dhe opinioni publik janë në mbështetje të Rusisë në konfliktin me Ukrainën.
Ky rreshtim që duket se shënjon dinamikat në rajon, do të duhet lexuar mirë, tha më tej ish-ministri.
Kosova dhe Rusia
Hoxhaj kritikoi Bashkimin Europian si jo i drejtë dhe i papërgjegjshëm mënyrën si e ka trajtuar Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë edhe rajonin.
Vazhdimi në pafundësi i statusquo-së tha ai, duke iu referuar procesit të gjatë të çeljes së negociatave me Shqipërinë, është i rrezikshëm. Si ish-anëtar i qeverisë së Kosovës, ai nuk e fshehu zhgënjimin për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa përmendi se edhe shtete si Katari apo Kuvajti do të mund të udhëtojnë së fundi pa regjim vizash në vendet e BE-së.
“Të qëndruarit në vend, në rajon, është i rrezikshëm dhe mund të përdoret gjeopolitikësh prej kundërshtarëve të Perëndimit”, tha ai. Hoxhaj foli më tej për nevojën e ngutshme të Kosovës për anëtarësim jo vetëm në OKB ( si të pamjaftueshme në rast të konflikteve potenciale ), por edhe në NATO. Këta hapa sipas ish-ministrit të Jashtëm, janë një ndalje e hegjemonisë serbe në rajon.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas ish-ministrit Aldo Bumçi, ishte edhe baza mbi të cilën u ndërtua ajo që e cilësoi si mrekullia e Bashkimit Europian.
Ai tha se ky projekt, që mori vite më parë garancinë amerikane përmes NATO-, ka ngecur në Ballkan, për shkak të problemeve të brendshme. “Nëse NATO nuk do të kishte ndërhyrë në Kosovë, a do të flisnim për integrim europian?! Do të ishim si në Lindjen e Mesme, rajoni nuk do të fliste për integrim”.
Ish-ministri shqiptar tha se Rusia po vë në rrezik projektin europian, jo vetëm në Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi, Vendet Baltike, por edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Integrimi ka ndaluar në rajon. Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë shembuj dhe kjo mund të infektojë të gjithë sistemin”.
Lufta në Ukrainë dhe rikthimi i Perëndimit te vlerat bazë
Bumçi renditi si dështime të Perëndimit aneksimin e Krimesë dhe reagimin e vakët nga Europa dhe Amerika. Sipas tij, kufijtë e Europës ndryshuan në Krime, duke fuqizuar më tej Rusinë. Konflikti në Siri, po ashtu tha Bumçi forcoi Rusinë, krijoi çarje mes Turqisë dhe ShBA-së. Ai tha se ndikimi rus po rritet në sistemet politike të Europës. Ai u ndal te Gjermania, ku a tij parti politike si ajo Social-Demokrate kanë lidhje të fortë miqësore me Rusinë dhe pavarësisht ngjarjeve në Krime, Europa nuk arriti të pavarësohet nga Rusia, por të krijojë më shumë varësi.
Bumçi tha se procesi i dialogut Kosovë-Serbi ku u krijua ideja e një mundësie për korrigjim të kufijve, krijoi precedent të rrezikshëm. Ai hoqi paralele mes aneksimit të Krimesë dhe kërkesës së Rurisë për të njohur Donbasin dhe Krimenë dhe korrigjimeve të kufijve në Mitrovicë. “Pa Mitrovicën nuk do të kishte shtet të Kosovës”.
Ish-ministri i Jashtëm i qeverisë së demokratëve tha se rezistenca ukrainase ka ndryshuar planet e Rusisë. Nëse Ukraina dorëzohej, Rusia bëhej e pandalshme në Europën Lindore, ndërsa në Ballkan Serbia do të sillej si një Rusi, duke thelluar problemet me Kosovën, Malin e Zi apo Bosnjën.
Konflikti në Ukrainë, sipas tij, e riktheu Perëndimin te vlerat bazë dhe se fitorja e kësaj lufte është e domosdoshme për ekzistencën e projektit të Bashkimit Europian dhe sipas tij, nëse Ukraina bie nuk mund të ketë Europë Lindore.
Impakti në Ballkanin Perëndimor
Jo vetëm rrezik për Europën Lindore. Historiani dhe diplomati Paskal Milo ngriti shqetësimin e efekteve që mund të sjellë lufta në Ukrainë, për Ballkanin. Ai tha se tashmë zhvillimet në Ukrainë e kanë përfshirë rajonin, ndërsa mbetet në rrezik potencial për të thelluar krizat ekzistuese.
“…për të mos thënë që mund të ketë edhe përpjekje të ndërgjegjshme për të destabilizuar situatën dhe për të tërhequr vëmendjen nga konflikti në Ukrainë”.
Ai mori shembullin e Bosnjës dhe deklaratat kërcënuese të ambasadorit rus në Sarajevë, që paralajmëroi se nëse vendi avancon me kërkesat për anëtarësim në NATO, Rusia mund të aplikojë një skenar të ngjashëm me atë të Ukrainës. Ai mori edhe shembullin e përpjekjeve për grusht shteti në Malin e Zi, financuar nga Rusia, më 2016 për shkak të kërkesës për anëtarësim në Paktin e Atlantikut të Veriut.
“Duhet të shohim se ku jemi ne shqiptarët në këtë konflikt potencial që mund të ndodhë nesër në Ballkan. Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë mbeten një vatër e nxehtë tensionesh dhe konflikti potencial”. Ai tha se përballë këtij konflikti potencial, duhet përgatitje jo vetëm nga pala shqiptare, por edhe nga strukturat euro-atlantike. “Të përgatitemi për të keqen e mundshme”.
Ai tha se përfaqësuesit e diplomacisë ruse nuk hezitojnë të kërcënojnë vendet e Ballkanit perëndimor dhe përpiqen të pengojnë integrimin europiane.
Zoti Milo tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të shtojnë praninë e tyre jo vetëm politike, por edhe ushtarake dhe ekonomike në rajon.
UET, bursa për studentët nga Ukraina
Zv/ministrja e Jashtme, Artemis Malo e përshëndeti konferencën në emër të ministres Olta Xhaçka, e cila nuk mundi të marrë pjesë për shkak të angazhimeve politike. Ministrja u kthye dje nga ShBA dhe raportimi në Këshillin e Sigurimit, rreth çështjes së Ukrainës, ku Shqipëria është bashkëpenëmbajtëse me Amerikën.
Zonja Malo u ndal te masat e qeverisë shqiptare përballë sfidës, ku përmendi rezolutën e miratuar për njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, VKM për udhëtimin dhe qëndrimin e shtetasve ukrainas në Shqipëri apo edhe programet arsimore për fëmijët nga Ukraina. Ajo zbuloi se Universiteti Europian i Tiranës ka akorduar pesë bursa të plota për studentët nga Ukraina, duke u bërë kështu i pari universitet që u ofrua qysh nga nisja e konfliktit. Pedagogu i Universitetit Europian të Tiranës, koloneli Kristaq Xharo mbajti një referat mbi Luftën në Ukrainë dhe Sigurinë Ndërkombëtare.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa u ndal te ndikimi afatgjatë ekonomik i zhvillimeve gjeopolitike, ndërsa tha se komuniteti akademik e shkencor kërkojnë të ofrojnë zgjidhje të reja e kreative, në këto kohë sfiduese.
Konferenca “Ditët e Studimeve Shqiptare” në këtë edicion të nëntë ka mbledhur rreth 10 kërkues vendas e të huaj, ku janë paraqitur 60 punime shkencore, ndërsa punimet e saj vijojnë edhe të shtunën, në pesë panele, të ndarë sipas pesë fakulteteve të Universitetit Europian të Tiranës.