UET nderon me Certifikatë Mirënjohjeje studion Atelier 4, Olsi Eftimi: Me fat që na ka udhëhequr një grua

Universiteti Europian i Tiranës ka nderuar me Certifikatë Mirënjohjeje Atelier 4, një nga studiot arkitekturore më të njohura në Shqipëri, e cila përmes veprave dhe ndërtimeve bashkëkohore i ka sjellë vlerë sektorit, hapësirës publike dhe zhvillimit të shoqërisë. Propozimi për të nderuar Atelier 4 u bë nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, me në krye dekanen, Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi, në konsultim me pedagogët dhe bashkëpunëtorët nga tregu i punës.
Certifikata e Mirënjohjes është një event i përvitshëm që zhvillohet nga fakultet respektive në UET për të shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj kompanive apo personaliteteve të fushës, të cilët me anë të punës kanë ndryshuar shoqërinë dhe mjedisin shqiptar.
Në hapje të ceremonisë, dekania Xhindi tha se pas vlerësimeve të tre viteve të fundit për personazhet e teknologjisë, u vendos që për 2025-ën Certifikata e Mirënjohjes të shkojë në fushën e arkitekturës duke qenë se ky sektor mbulohet nga një prej tre departamenteve të Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës.
Xhindi e quajti Atelier 4 një nga studiot udhëheqëse në Shqipëri, me qindra bashkëpunëtorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, e cila gjatë dy dekadave të fundit ka zhvilluar qindra projekte, banesa urbane, objekte kulturore, arsimore dhe hapësira publike.
“Për studentët tanë kjo certifikatë është dëshmi për të kuptuar se sukseset e mëdha lindin nga pasioni, puna me integritet dhe besimi në misionin e arkitekturës, në shërbim të njeriut dhe shoqërisë.” Dekania shprehu vullnetin për thellimin e bashkëpunimit të fakultetit me studion e arkitekturës, në kuadër të ofrimit të mundësive të reja për studentët dhe zhvillimin e tyre profesional.

Atelier 4 u themelua në 2003-shin nga profesore Tamara Eftimi, figurë e spikatur e arkitekturës shqiptare, e cila nuk e shihte arkitekturën vetëm si art, por një akt etik dhe një proces të ndërgjegjshëm që e vendos njeriun në qendër të çdo projekti. Një vetëdijesim i tillë e ka udhëhequr këtë studio që në krye të herës, duke u shndërruar më tej në filozofi të punës.
“Sot vlerësojmë jo vetëm një kompani të suksesshme, por një filozofi të tërë pune që e vendos njeriun, trashëgiminë dhe shoqërinë në qendër të arkitekturës”, tha rektorja e UET, Prof. Dr. Drita Kruja, ndërsa i dorëzoi Certifikatën e Mirënjohjes përfaqësuesit të Atelier 4, Olsi Eftimi.
Kthimi në auditor i kujtoi atij kohën kur e ëma punonte pedagoge dhe në shtëpinë e tyre kishte gjithmonë studentë, kishte pozitivitet, energji dhe ëndrra.
“E çmoj vlerësimin tuaj dhe më duket shumë speciale që të jem mes studentëve sepse këtu është e gjithë energjia, ku fillon pozitiviteti i arkitekturës. Nuk fillon te studiot. Themi se arkitektura është arti si të ndërtosh ëndrrat dhe ky proces fillon në auditor. Këtu kultivohet dashuria për njëri-tjetrin që është esenciale në arkitekturë.”
Ai theksoi se studiot nuk janë çështje numrash dhe statistikash, por çështje dashurie dhe respekti për njeriun, për shoqërinë dhe gjithkënd që është pjesë e komunitetit, duke mundur të tejkalosh ndasitë.
“Duhet të dimë të respektojmë atë ndryshe, që ndjen dhe përjeton ndryshe. Po të kemi këtë lloj empatie, mendoj se të gjitha projektet bëhen më të suksesshme. E quaj fat që ne na ka udhëhequr një grua në familjen tonë”, u shpreh Olsi Eftimi më tej, ndërsa e quajti përçimin e së mirës çelësin e suksesit të çdo arkitekti, profesionisti apo njeriu të suksesshëm.
Pedagogia e UET, Prof. Dr. Elida Miraj, kujtoi kohën e saj si studente e themelueses së studios, pedagoges Tamara Eftimi, dhe shprehu kënaqësinë, që tashmë në rrethana të reja, është dëshmitare e një nderimi të tillë.
Pjesë e eventit u bënë edhe disa prej bashkëpunëtorëve të kësaj studioje arkitekturore. Inxhinieri strukturist Hydajet Tota dhe arkitektja Elisabeta Kaja ndanë eksperiencën e tyre disavjeçare të këtij partneriteti, duke vlerësuar së tepërmi frymën e bashkëpunimit dhe respektit që gjetën në këtë ambient.

