Të ndërtosh karrierën brenda NATO-s / Historia e Alumni UET, Elda Murrizi, prej gati një dekade pjesë e aleancës

Kur dërgoi aplikimin, nuk e njihte procesin. Nuk kishte asnjë informacion se si funksiononte përzgjedhja, sa zgjaste dhe çfarë dokumentacioni kërkohej. Lexoi thirrjen për internship, iu duk interesante dhe dërgoi CV-në. Edhe pse në ndonjë moment mund të ketë shpresuar se do të pranohej, kurrsesi nuk mund ta imagjinonte se Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut do të ishte institucioni ku do të ndërtonte karrierën.
NATO është një aleancë politike dhe ushtarake që ka si qëllim të garantojë lirinë dhe sigurinë e 32 anëtarëve të saj përmes mjeteve politike dhe ushtarake. Është kjo arsyeja pse perceptohet shpesh vetëm si organizatë ushtarake, por ndërkohë përfshin disa agjenci dhe është një ambient dinamik, në të cilin diskutohen politika, ndërtohen strategji dhe merren vendime.
Historia e suksesit për Elsa Murrizin startoi në vitin 2017. Para dy vitesh ishte diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës në programin Informatikë Ekonomike. “Jam shumë e lumtur që kthehem sërish këtu për t’iu shpjeguar me detaje se si funksionon punësimi brenda NATO-s”, tha Murrizi gjatë një sesioni informues për studentët e UET, së bashku me kolegen e saj, Jolien Breuckelaers. Ajo sqaroi se procesi është i ndryshëm nga ai që ndodh me aplikimet në organizatat e tjera. E gjitha fillon me autorizimin e sigurisë.
“Është një procedurë standarde, që kërkon disa sqarime, informacione dhe detaje për udhëtimet, për familjen, por asgjë e veçantë përtej kësaj.” Murrizi u sugjeroi studentëve të aplikojnë jo vetëm për një pozicion, por të shprehin interesin në të gjitha opsionet që përshtaten me fushat e interesit, duke saktësuar se, nëse aplikimi është i mirë, mund të pranohen direkt, pa pasur nevojë të kalojnë në fazën e intervistës. “Duke qenë se është stazh kriteret kryesore janë mosha, kombësia dhe arsimi”, sqaroi më tej.
Pas stazhit 6-mujor (mars–shtator 2017), në Shkollën e Sistemeve të Komunikimit dhe Informacionit të NATO-s në Latina, Itali, ajo aplikoi në kategorinë për staf të përkohshëm në Bruksel. Ky stad zgjat zakonisht nga tre në gjashtë muaj, por mund të shtyhet në kohë. Pas një viti aplikoi për t’u bërë staf civil, fillimisht në Itali dhe më tej u kthye sërish në Bruksel.
“Në të gjithë përvojën time kam punuar në tre organe të ndryshme të NATO-s. prandaj mendoj se është mirë të punosh në fusha të ndryshme, sepse krijon rrjet, fiton një përvojë të mirë, por edhe udhëton në shumë vende”, tha Murrizi. Aktualisht, si stafi civil ndërkombëtar i NATO-s, ajo është analiste biznesi e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Ajo e cilësoi mjaft dobiprurës fleksibilitetin që ofrojnë agjencitë e NATO-s për të lëvizur nga një departament në tjetrin apo nga një fushë në tjetrën, ku përveç trajnimeve dhe pagës, fiton edhe aftësi të reja. Organizata, gjithashtu, të ofron mundësinë të lëvizësh nëpër vende apo zona të ndryshme.
“Janë 32 kombe, kështu që takon njerëz, njeh kultura nga e gjithë bota. Organizohen evente dhe është një përvojë e mahnitshme. Nëse mund t’ju jap këtë këshillë, thjesht dërgoni aplikimin tuaj”, iu drejtua ajo studentëve.

Aktualisht, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ka tre kategori punësimi: internship-e gjashtë mujore të paguara; programi 3-vjeçar për profesionistët e rinj (YPP); dhe e fundit është kalimi në staf civil. Pozicionet janë të larmishme, pothuajse në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me inovacionin dhe teknologjinë, çështjet politike dhe ndërkombëtare, mbrojtjen kibernetike, marketingun strategjik, menaxhimin dhe financat, çështjet ligjore, inxhinierinë dhe logjistikën, TIK etj.
Përfaqësueset e organizatës inkurajuan të rinjtë të shprehin interesin në fushat që përputhen me drejtimet e tyre të studimit dhe aspiratat profesionale. Ato ndanë këshilla konkrete e të vlefshme për studentë, për të pasur sukses gjatë gjithë procesit dhe për të rritur ndjeshëm shanset e përzgjedhjes.

