Skuadra e futbollit S.C. UET shpallet kampione kombëtare, prof. Tomi Treska: Synojmë ta bëjmë UET pol të sporteve
Pas kupës së Federatës Shqiptare të Futbollit, një tjetër trofe i rëndësishëm është rrëmbyer nga skuadra e futbollit të Universitetit Europian të Tiranës. Sport Club UET u shpall kampion i Shqipërisë në Kampionatin Kombëtar Universitar, duke triumfuar përballë Universitetit të Sporteve, me rezultatin 4:2.
Finalja e 8 majit të këtij kompeticioni në disiplinën Futsall, organizuar nga Federata e Sportit Universitar Shqiptar (FSHSU) dhe Bashkia Tiranë, erdhi pas fitores së thellë që S.C. UET arriti në gjysmëfinale kundër skuadrës së Universitetit të Tiranës.
Trajneri i skuadrës, pedagogu i sporteve në UET, Marjo Shabanaj thotë se rëndësia e këtij Kampionati Kombëtar Universitar është shumë e madhe, pasi në të marrin pjesë të gjitha universitetet publike dhe jo publike në vend.
Edhe pse një organizëm relativisht i ri, 4-vjeçar, sa edhe vetë programi, Sport Club UET ka në përbërje disa ekipe: Futboll 11 x 11; Futsall; Minifutboll e Volejboll për meshkuj dhe femra; Basketboll, Ping pong dhe Not për meshkuj; Minifutboll me staf akademik + administrativ.
Që në vitin e dytë të themelimit, skuadra e futbollit me studentë, nën drejtimin e Shabanajt, ish-futbollist dhe një ngë themeluesit e programit të sporteve në UET, doli nënkampione Shqipërie në Minifutboll në Kampionatin Kombëtar Universitar. Mbajti të njëjtën renditje edhe në vitin pasardhës, si nënkampione Shqipërie por tashmë në disiplinën Minifutboll, e po në të njëjtin kompeticion skuadra e Ping pong-ut dhe Volejbollit për meshkuj u renditën në vendin e tretë. Viti 2023- 2024 mund të cilësohet i artë duke siguruar disa kupa të rëndësishme.
I një rëndësie të veçantë ishte fitorja gjatë muajit prill e kupës së Debutuesëve, Sunday League Albania organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, një kompeticion shumë i njohur dhe i përhapur në Europë në futbollin amator. Universiteti Euoropian i Tiranës u bë universiteti i parë që merr pjesë në një kompeticion të tillë të kategorisë së katërt.
Ekipi i UET, i përbërë nga 18 lojtarë, studentë dhe pedagogë, nën drejtimin e trajnerit Tomi Treska dhe kapitenit Marjo Shabanaj, bëri një debutim të suksesshëm duke siguruar vendin e parë me pikë të plota.
“Ajo që më impresionoi ishte përkushtimi, përgjegjshmëria, gatishmëria e vullneti i stafit akademik për të marrë pjesë në këto turne duke dhënë angazhimin maksimal”, shprehet Treska. Ai shton se për këta studentë dhe trajnerë që marrin trofe, duke dëshmuar formimin e përgatitjen e tyre, duhet të dizenjohet një politikë mbështetëse, inkurajuese, pse jo një bonus honorifik për kontributet që ata i japin vullnetarisht.
“Kemi një grup të mirë, kemi krijuar frymën e duhur dhe kjo ka qenë një shtysë për ne për të prekur këto rezultate”, thekson Shabanaj. Klubi studentor i Sportit ka qenë një ndihmës në identifikimin e personave që janë adaptë për secilën disiplinë, por sipas tij kjo mbetet gjithmonë një çështje që kërkon vëmendjen e duhur.
Fitorja e kupës së FSHF-së i ka shtuar këtij ekipi pikësynimin për t’u federuar në ekipin e madh e për të garuar në të ardhmen në kategorinë e tretë, ndërsa vitin e ardhshëm, me mbështetjen financiare të universitetit, S.C. UET pritet të jetë pjesë e turneut europian universitar.
Treska: Trofetë nuk janë qëllim në vetvete, kemi dëshmitarë të cilësisë së sporteve në UET
Pjesë e Universitetit Europian të Tiranës prej 17 vitesh e gjysmë, pothuajse që në gjenezë të tij, prof. assoc.dr. Tomi Treska ka mbajtur ndër vite poste të ndryshme brenda institucionit. Njohës i mirë i arsimit para dhe universitar, si drejtues prej disa muajsh i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, brenda Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, ai e ka mjaft të qartë vizionin e zhvillimit të programit të sporteve, duke vazhduar sipas tij, punën mbi themelet e forta të hedhura nga drejtuesi paraardhës, prof. Edi Puka.
Ai tregon se zhvillimi i katër elementëve kryesorë, do të sjellë një kontribut të vyer jo vetëm për universitetin e të ardhmen e sporteve, por edhe për mirëqenine e shoqërisë shqipare.
“Përtej ekspertizës që UET ka dhënë dhe vazhdon të japë në fushën e psikologjisë, përtej gjithë përvojës dhe policy paper që ka bërë në kuadër të edukimit dhe përmirësimit të sistemit parauniversitar por jo vetëm, një nga pikësynimet e mia është që UET të kthehet në pol i sporteve.”
Profesor Treska thekson se arritja e kësaj objektive, kërkon përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies së prgrameve të studimeve në sporte, e kjo sipas tij është krejt e mundur në UET, i cili ofron diploma të akredituara e licenduara në të trija nivelet e studimit: bachelor, master, doktoraturë, ndërsa gjithë stafi është drejt finalizimit të gëzimit të këtij titulli.
Masivizimi i sporteve, nëpërmjet shtrirjes së ekspertizës së anëtarëve të departamentit me trajnime, jo vetëm në universitet të tjera, por edhe nëpër shkolla 9-vjeçare e të mesme, është elementi i dytë që sipas profesor Treskës do të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësine e sporteve në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe në edukimin e brezave të rinj me këtë frymë. “Duhet të kemi më shumë besim te sportet, më pak paragjykime”, thotë ai.
Po aq të rëndësishëm në këtë drejtim sheh ndryshimin e mentalitetit jo vetëm të shoqërisë, prindërve e nxënësve, por edhe të institucioneve e kolegëve kundrejt të mësuesëve të sporteve. Sipas tij, këta mësues janë të barasvlefshëm e duhet të kenë të njëjtin vlerësim si mësuesit e lëndëve të tjera, e një shtysë drejt këtij finalizimi është së pari riemërtimi i lëndës, nga Fiskulturë në Edukim Fizik. Kjo do të rrisë predispozicionin e studentëve që studiojnë në programin e sportit, për të përqafuar profesionin si mësues në shkolla parauniversitare.
“Duam të ndikojmë në ndryshimin e mentalitetit. Perceptimi për lëndën duhet të ndryshojë në publik, e le të bëhet UET pioner, sikurse është bërë në shumë fusha të tjera”, shton më tej.
Përtej impaktit dhe kontributit kombëtar, Treska nënvizon se po aq i rëndësishëm mbetet përfshirja e programeve të sportit në procesin e ndërkombëtarizimit ku gjendet prej vitesh UET, duke u bërë pjesë e shkëmbimeve, kualifikimeve e projekteve të ndryshme.
Si pikë të katërt të pikësynimeve ka diversifikimin e financimit të sporteve në UET. “Nëpërmjet financimit dhe donancioneve që mbështeten në shëndetin publik, nëpërmjet promovimit të sportit, por edhe nëpërmejt kompeticioneve, synoj diversifikimin financiar në kuptimin e shkëmbimeve, kualifikimit të stafit të brendshëm, e shtimit të inventarit sportiv.”
Sipas tij, trofetë janë të rëndësishme se i shërbejnë universitetit, por thelbësore mbetet lënia e dëshmitarëve, e realizimit dhe tejkalimit të pritshmmërive me të cilat hyjnë për të studiuar në UET dhe përqafimit të realizimeve të reja.
“Trofetë nuk janë qëllim në vetvete, ato janë prova për krijimin e një kategorie studentësh që i kanë besuar studimet e tyre në fushën e sporteve dhe që kanë dhënë kontribute pa asnjë shpërblim. Por mbeten dëshmitarë të cilësisë së mësimdhënies së sporteve në UET dhe në një kuptim UET ua ka borxh.”
Me marrjen e kupave, certifikës së ekipit që luan Fair Play, apo certifikave për futbollistin dhe trajnerin më të mirë, UET ka ekspertizën dhe dëshmitarët e cilësisë së programit, ndërsa vazhdon përkushtimin për organizimin e muajit sportiv në UET.
Ekipet UET SPORT CLUB
1) Futboll 11 x 11
2) Minifutboll
3) Futsall
4) Minifutboll femra
5) Basketboll meshkuj
6) Volejboll meshkuj
7) Volejboll femra
8) Ping pong meshkuj
9) Not meshkuj
10) Minifutboll Staf Akademik + Administrativ
Lojtarët e ekipit të futbollit:
1- Marjo Shabanaj
2- Sokol Noka
3- Dorjan Isufaj
4- Fadil Likaj
5- Kristi Bello
6- Ferdinand Maho
7- Admir Jançe
8- Albjon Koxherri
9- Sandi Bodini
10- Benardo Fida
11- Benard Margjini
12- Liridon Malokaj
13-Artan Meli
14- Fitim Meli
15- Eldison Kapo
16- Josel Shtrepi
17- Xhuljo Kaja
18-Klevi Muça