Paraja dhe intimiteti/ Pedagogia dr. Smoki Musaraj në UET për antropologjinë e korrupsionit

E ftuar në një leksion të hapur nga Departamenti i Shkencave Sociale të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës, Dr. Smoki Musaraj solli për studentët perspektivat e antropologjisë së korrupsionit. I parë gjerësisht në këndvështrimin institucional, si një fenomen i dënueshëm me ligj, që minon demokracinë dhe barazinë, në fakt korrupsioni është edhe një fenomen antropologjik.
Musaraj tha se ai mund të studiohet nga pikëpamja e antropologjisë kolektive, duke nxjerrë në pah mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet politike me shtetin, individin, ligjëratat publike. Në bashkëbisedim me studentët, ajo u përqendrua në antropologjinë ekonomike, në pjesën socio-ekonomike të shkëmbimeve, duke iu referuar dy botimeve të njohura gjerësisht që prekin këtë fenomen: “The Purchase of Intimacy” nga profesorja e Universitetit Princeton, Viviana A. Zelizer dhe vepra klasike “The gift” e sociologut dhe antropologut francez, Marcel Mauss.
Në veprën e tij të botuar në 1925-ën, Mauss eksploron natyrën e shkëmbimeve ekonomike që nga antikiteti e deri në ditët kur ai jetoi, duke zbërthyer kuptimin e dhuratave që në fakt ishin një mënyrë ndërveprimi, forcimi lidhjesh shoqërore, që kthehej më tej në një detyrim reciprociteti: detyrim për të dhënë, detyrim për të pranuar dhe detyrim për të marrë mbrapsht. Ndërsa në veprën e saj, sociologia amerikane, Viviana A. Zelizer, shpjegon lidhjet sociale kur në mes hyn paraja, duke u fokusuar te teoria se paraja dhe intimiteti janë dy sfera të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Kjo ndërlidhje që fillon me individin në marrëdhëniet intime, përhapet pastaj në marrëdhëniet shoqërore e më tej në marrëdhënien me shtetin, duke sjellë kështu fenomenin e korrupsionit. Dr. Smoki Musaraj diskutoi me studentët raste konkrete nga realiteti shqiptar, duke qenë se ajo është një njohëse dhe studiuese e gjatë e këtyre fenomeneve në Shqipëri.
Lindur dhe rritur në Tiranë, Musaraj u largua herët nga vendlindja, por nuk u shkëput kurrë shpirtërisht prej saj. Ambicia, pasioni dhe dëshira për dijen dhe kërkimin e dërgoi në kontinentin e largët të Amerikës së Veriut. Qëndroi për gjashtë vite në Kanada, ku ndoqi Kolegjin Lester B. Pearson dhe më tej studimet universitare në Universitetin Trent. Nga viti 2001 deri në vitin 2012 u zhvendos në New York City ku vijoi ciklin master në Shkenca Politike dhe më tej përmbylli studimet doktorale në fushën e Antopologjisë në New School for Social Research. Në dy vitet e ardhshme u atashua si studiuese postdoktorale në Institutin e Parasë, Teknologjisë dhe Përfshirjes Financiare në Universitetin e Kalifornisë, Irvine. Prej vitit 2024-të është profesore e asociuar e Antropologjisë në Universitetin e Ohajos, SHBA, ku jep kurse mbi antropologjinë ekonomike dhe kulturat e Mesdheut.
Pavarësisht rrugëtimit të saj ndërkombëtar, në institucione shumë prestigjioze, ndjeshmëria për vendin e origjinës e ka shoqëruar në çdo hap të zhvillimit dhe rritjes profesionale. Ajo ka kryer kërkime etnografike në pjesë të ndryshme të Shqipërisë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Libri i saj i parë, “Tregime nga Albarado: Logjikat Ponzi të Akumulimit në Shqipërinë Postsocialiste” (Cornell 2020), gjurmon se si u shfaqën dhe u përhapën një duzinë skemash ponzi në Shqipëri, si u legjitimuan ato nga institucionet shtetërore dhe përfaqësimet mediatike, dhe si njerëz nga fusha të ndryshme të jetës investuan kursimet, remitancat dhe strehimin e tyre në skema.
Dr. Musaraj gjithashtu ka hulumtuar dhe botuar artikuj dhe kapituj të ndryshëm që shqyrtojnë matjet dhe përfaqësimet e korrupsionit në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore në përgjithësi. Ajo ka bashkëredaktuar disa vëllime të redaktuara që përfshijnë temat e financave digjitale dhe përfshirjes financiare, si dhe transformimet neoliberale në hapësirën postkomuniste.