Rikthehen Kontekstualistët në UET, Florian Çullhaj: Ne jemi amendues, jo themelues të Kushtetutës

Takimi i parë i Kontekstualistëve nisi me politologun italian, Alessandro Ferrara dhe librin e tij “Sovraniteti ndër gjenerata”
Ishin dy arsye mjaft personale që takimi i parë i Shkollës së Kontekstualistëve, entiteti i mendimit që bën bashkë një herë në muaj studentë, pedagogë, njohës dhe dashamirës të thellë të filozofisë dhe teorive politike në Universitetin Europian të Tiranës, nisi me profesorin dhe politologun italian, Alessandro Ferrara. Mendimi dhe teoritë e tij politike mbi sovranitetin dhe Kushtetutën erdhën përmes referimit të pedagogut Dr. Florian Çullhaj, i cili përcolli për audiencën, e përbërë kryesisht nga studentë, thelbin dhe idetë thelbësore të librit më të fundit të Ferraras “Sovraniteti ndër gjenerata: Pushteti kushtetues dhe liberalizmi politik”, botuar në 2023-shin nga Universiteti i Oksfordit.
“Një autor që kam pasur fatin ta kem udhëheqës të doktoratës dhe një person që ka ndikuar fort në jetën time”, do të shprehej në nisje të referimit Çullhaj për profesorin emeritus të Filozofisë Politike në Universitetin e Romës Tor Vergata, aktualisht pedagog pranë Universitetit e Çikagos. Më tej ai u ndal në disa prej koncepteve kryesore që autori trajton, të tilla si autenciteti dhe identiteti kushtetues, parë kjo në perspektivën e mendimit dhe krahasimit të tre autorëve të njohur, për të arritur më tej në atë që Ferrara e cilëson “sovraniteti vertikal”.
“Shpesh e mendojmë Kushtetutën si dokumente ligjore, rregulla, struktura, por ajo na shërben për një qëllim më të thellë. Na ndihmon të përcaktojmë identitetin e një komuniteti përgjatë brezave. Janë plani ynë i përbashkët për të qeverisur veten si duhet”, u shpreh Çullhaj.
Çfarë është identiteti dhe autenciteti i Kushtetutës?
Në librin “Sovraniteti ndër gjenerata” Ferrata merr në shqyrtimin interpretimet e tre autorëve të filozofisë markiste analitike mbi Kushtetutën dhe gjen mes tyre atë që ai e quan modelin politik më të pasur të autencitetit kushtetues.
I pari që analizon është Jurgen Habermas, pionier në Europë i konceptit të demokracisë së diskutuar, themelues i sferës publike, i cili thotë se identiteti kushtetues rrjedh nga procedurat demokratike. Ai e shikon Kushtetutën si procedurë, shqyrtim, diskutim, rregullore, parime universale dhe sipas tij Kushtetuta është autentike kur njerëzit e shohin dhe lexojnë.
Autori i dytë është Carl Schmitt, filozof i njohur gjerman, i cili e sheh Kushtetutën si shprehje të vullnetit të popullit dhe identitetin e saj e gjen në bashkëveprimet esenciale që një bashkësi politike ndërmerr. “Autenciteti e pasqyron politikën në vullnetin tonë më të thellë politik”, thotë Schmit.
Nga ana tjetër, filozofi amerikan John Rawls, i njohur për mbrojtjen që i bënte liberalizmit, thotë se Kushtetuta nuk është një set procedurash dhe as një projeksion i thjeshtë i vullnetit politik, por një shprehje e parimit të truallizuar në ligje më të larta dhe në idealin politik të një populli të qeverisur në një mënyrë të caktuar. Sipas Rawls, autenciteti në kuptimin e tij nuk është statik, evoluon, ndryshon ndërsa shoqëria ndryshon, por projekti mbetet i njëjtë, qeveris në mënyrë të lirë dhe të barabartë. Pikërisht në këtë model të tretë gjen më shumë veten Ferrara. Sipas tij, “një kushtetutë është autentike kur arrin balancojë parimet universale me identitetin specifik të një komuniteti”.
Reciprociteti vertikal
Pedagogu i UET, Florian Çullhaj tha se koncepti i reciprocitetit vertikal është inovacioni qendror i Alessandro Ferraras, përmes së cilit ai evokon se çdo brez ka përgjgjësi në Kushtetutën e një vendi.
“Ne jemi popull amendues, jo themelues të kushtetutës. Nuk e ka askush tagrin për ta ndryshuar katërcipërisht. Çdo brez respekton strukturën, ruan elementë thelbësorë që bëjnë të mundur vetëqeverisjen, duke përmirësuar apo ndryshuar elementë specifikë. Mund të rinovosh por jo ta shkatërrosh atë”, theksoi Çullhaj.
Ferrara thotë më tej në librin e tij se çdo brez ka detyrime ndaj paraardhësve dhe pasardhësve që do të qeverisen nga Kushtetua që ata lënë. Çdo brez duhet ta trajtojë atë me identitet dhe në mënyrë të barabartë.
Reciprociteti vertikal e bazon stabilitetin kushtetues jo në konservatorizëm, por në drejtësi, duke e ruajtur atë përmes institucioneve të posaçme siç është Gjykata Kushtetuese.
“Demokracia kushtetuese është një dialog i gjatë mes brezave që vazhdojnë vetëm nëse e trajtojmë njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë, të lirë dhe të barabartë”, theksoi Çullhaj në mbyllje të referimit. Takimi vijoi në formën e një bashkëbisedimi me audiencën, duke kontekstualizuar teoritë e përmendura në terrenin politik shqiptar. Sipas Çullhajt, Shqipëria ka një traditë të vonë kushtetuese e cila mbështetet më shumë në parime universale, duke qëndruar te modeli i Habermas dhe ka pak ose aspak elementë të identiteti kombëtar që ta bëjnë atë autentike.

