Promovohet në UET revista JUS& JUSTICIA 19-2/ Integrimi në BE, sa afër dhe larg realitetit?

Para 35 vitesh shprehja “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte një parullë proteste. Ajo u përdor për mobilizimin e studentëve dhe qytetarëve për të dalë në shesh dhe për të shprehur qëndresën e tyre në funksion të rrëzimit të sistemit një partiak. Për vite më radhë “Evropa” ka qenë fjala strategjike e çdo partie politike. Por ajo kurrë nuk ka qenë kaq dukshëm e propaganduar sesa në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku integrimi në Bashkimin Europian ishte kryefjala fushatës elektorale të Partisë Socialiste.
Grup-kapitujt që hapen dhe deklaratat shpresë-plota nga politikanët shqiptarë dhe zyrtarët evropianë për një integrim të shpejtë, ndoshta brenda 2030-ës, janë shpesh pjesë e lajmeve në median tonë. Por sa afër apo larg është ky realitet?
Për të kuptuar se si po ecën procesi drejt integrimit nevojitet analiza e thelluar e elementeve ekonomikë, juridikë e shoqëror dhe ridimensioni i tyre në këtë tranzicion të ri. E këtu më shumë se kurrë hyn kontributi i akademisë dhe universitetit për të analizuar dhe shqyrtuar hapat e hedhur.
Numri i ri i revistës shkencore, “Jus&Justicia”, botuar nga Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës i dedikohet pikërisht sfidave të integrimit në BE dhe zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri.
Gjatë promovimit, dekani i fakultetit, Prof. Asoc. Dr. Ervis Iljazaj tha, se “qëllimi ynë nuk është vetëm të vlerësojmë se ku ndodhet Shqipëria në procesin e pranimit, por edhe të reflektojmë në mënyrë kritike se si integrimi është i përshtatur, i kontestuar dhe i instrumentalizuar brenda arenës politike.”
Punimet shkencore të numrit 29-2 hedhin dritë mbi tre dimensione: Së pari, shqyrtohet sfidat institucionale dhe të qeverisjes si, reforma gjyqësore, përpjekjet kundër korrupsionit dhe llogaridhënia demokratike; Së dyti, analizohet dimensioni politik dhe mënyra se si integrimi formëson strategjitë zgjedhore dhe përdoret në diskursin publik; Së fundi, studiohet aspekti shoqëror dhe impakti që narrativa e përdorur ka te publiku.
“Shqipëria është formalisht më afër BE-së se kurrë më parë, megjithatë, në thelb, besueshmëria e procesit është e brishtë. Integrimi festohet në të gjithë spektrin politik, por shpesh reduktohet në retorikë dhe jo në një program politik konsistent”, u shpreh më tej Iljazaj, i cilinë këtë revistë sjell analizën e tij mbi dikursin politik dhe mediatik të integrimit në BE.
Ai vlerësoi faktin që në këtë numër të “Jus&Justicia” vijnë punime të aktorëve të ndryshëm, jo vetëm nga universiteti por edhe nga institucionet publike, ligjvënëse apo gjyqësore, duke e trajtuar çështjen e integrimit në të gjitha dimensionet e saj. Nuk mund të mungonte edhe analiza e “pushtetit të katërt”, siç cilësohet media gjerësisht.
Në kuadër të dy projektve kërkimore, ProEUMedAl të Jean Monnet Chair, financuar nga Komisioni Europian dhe atij të AKKSHI-t, me fokus në rregullimin e mjedisit mediatik në erën digjitale, dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, sjell në këtë botim kërkimin e realizuar në bashkëpunim me pedagogët Dr. Anjeza Xhaferaj, Dokt. Erisela NMarko dhe Dokt. Dritan Idrizi.
Budini theksoi se në UET është publikuar një studim dedikuar narrativës së integrimit europian në median shqiptare, si dhe janë bërë hulumtime empirike, janë kryer analiza përmes aplikacioneve për të pasur një panoramë më të qartë të trajtimit të kësaj çështjeje në tre prej mediave kryesore në Shqipëri. Ajo vlerësoi vullnetin e mirë mes fakulteteve dhe departamenteve në UET për të bashkëpunuar dhe për të sjellë një produkt ndërdisiplinor në kërkimin shkencor.

Referuar punimit me temë “Rregullimi i mjedisit mediatik në epokën digjitale: Një ekzaminim i mjeteve dhe praktikave inovative të përputhura me standardet e BE-së”, pedagogia Anjeza Xhaferaj solli për të pranishmit disa nga gjetjet e studimit, me fokus në rregullimin ligjor dhe praktik të mediave shqiptare, duke u ndalur sidomos te vetërregullimi dhe ruajtja e standardeve profesionale të mediave.
“Tentativën për vetërregullim e kanë më të theksuar mediat e vogla, të mbështetura përmes projekteve të financuara nga Komisioni apo Këshilli i Evropës, që përpiqen të ruajnë profesionalizmin, pavarësisht se nuk prodhojnë klikime”, u shpreh Xhaferaj.
Këshilltari pranë Komisionit të Ligjeve, Ilir Barjaba, i cili sjell punimin me temë “Kufizime ligjore mbi të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë dhe anëtarësimi në BE”, tha se ka analizuar legjislacionin elektoral për të kuptuar se si ndikon te e drejta për të votuar.
“Me sistemin proporcional ka pasur një rënie të marzhit të votave të humbura, prandaj edhe artikulli sugjeron që ky është sistemi më i përshtatshëm në kuadër të zhvillimit dekmokratik të vendit”, tha Bajraba.
Në artikujt e tjerë preken çështjet që kanë të bëjnë me institucionet dhe punën e tyre drejt përafrimit të legjislacionit europian. Autori Genci Gjonçaj analizon rolin e Parlamentit në çështjen e pastrimit të parave të lidhur me krimin e organizuar si përparësi në integrimin europian të Shqipërisë. Arsimi, përfshirja e minoriteteve dhe sfidat demokratike në zgjedhjet e fundit parlamentare është në qendër të punimit të realizuar nga Ador Kociraj.
“Proceset zgjedhore dhe konsolidimi demokratik në Shqipëri” është një tjetër punim i sjellë nga Albana Misja. Artikulli me bashkautorë Sonil Bilaj dhe Valeria Valeri analizon përgatitjen e kuadrit ligjor shqiptar në funksion të përafrimit me atë europian dhe të plotësimit të kërkesave të kapitujve të negociatave.
Dokt. Adela Kusuri bën një përmbledhje krahasuese e rezervës ligjore në Ligjin e Trashëgimisë dhe perspektivat e saj. Artikulli i fundit që mbyll këtë revistë vjen nga studiuesja Dokt. Rexhina Myrta, e cila bën një analizë krahasuese të kornizës institucionale (1920-1930) me fokus në funksionalitetin diplomatik shqiptar të periudhës mes dy luftërave botërore.

