Promovohet MEDICUS 9-1, ndërlidhja e shëndetit fizik dhe psikologjik me sfidat profesionale

Nga ndikimi i praktikave profesionale te studentët e imazherisë, te sindroma burnout te infermierët; nga ndërlidhja mjek-farmacist- pacient e më tej te ndikimi i stilit të jetës në sëmundjet kronike autoimune; numri i radhës i revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës, “Medicus” 9/1, solli një sërë tematikash e studimesh që prekin popullatën dhe profesionistët e fushës së shëndetësisë.
Pedagogë, studentë, psikologë, kërkues shqiptarë dhe të huaj, publikuan në këtë numër raste studimore, teste dhe problematika mjaft të ndeshura në përditshmërinë e gjithsecilit, që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, personalitetin dhe ndikimin e tyre në fushën profesionale.
Duke iu referuar tematikës së këtij numri, “Ndërlidhja e shëndetit, psikologjisë dhe sfidat profesionale”, dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Prof. Asoc. Dr. Voltisa Gjergji tha se këta elementë janë thellësisht të ndërlidhur dhe ndikojnë te njëri-tjetri. “Sipas modelit biopsikosocial, është e rëndësishme të kuptohet dhe të adresohet mirëqenia njerëzore në mënyrë holistike. Të kuptuarit e kësaj ndërlidhjeje rrit kompetencën profesionale, mirëqenien e përgjithshme të profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe empatinë në praktikë”, theksoi Gjergji.
I pranishëm në promovimin e revistës, Prof. Dr. Nikollaq Kaçani theksoi rëndësinë që ka personaliteti i individit në ushtrimin e detyrave me përgjegjshmëri dhe empati, mjaft të domosdoshme te profesionistët e fushës së mjekësisë.
Më tej, dekania Gjergji kërkoi bashkëpunimin e kolegëve të fakultetit që të njihen me punimet e revistës, t’i citojnë ato e të ftojnë kërkues të tjerë shkencorë. “Sa më shumë që të shtohet rrjeti i bashkëpunëtorëve, aq më shumë do të rritet cilësia e artikujve dhe aq më i madh do të jetë numri i citimeve.”
Në fjalën e tij zv. rektori për Shkencën dhe Inovacionin, prof. dr. Kreshnik Bello, vlerësoi faktin që në revistën “Medicus” ka një numër të madh shkrimesh që vijnë si bashkautorësi pedagogë-studentë, apo mes kolegëve të huaj e shqiptarë. Sipas tij, pra citimet dhe bashkëpunimet janë mjaft të rëndësishme për rankimin e Universitetit Europian të Tiranës.
“Ne aktualisht jemi përfshirë në përpjekjet për të rekrutuar staf akademik dhe kërkimor të huaj, jo vetëm në kuadër të ndërkombëtarizimit por edhe të rankimit”, theksoi Bello, duke shtuar se UET ka mbyllur aplikimin për t’u bërë pjesë e rankimeve në Times Higher Education. Ai nxiti pedagogët, studentët, kërkuesit shkencor, që të botojmë punime me impakt social, mjaft të vlerësuara sot në botë.
Gjatë promovimit, disa prej autorëve që botuan në këtë numër, prezantuan punimet dhe kërkimet e tyre. Studentja Msc. Anxhela Bushi sjell në bashkëpunim me Dr. Blerina Saraci (Qirinxhi) studimin për ndikimin e praktikave profesionale në klinika te studentët e imazherisë, i cili mbështet në raste konkrete nga puna e tyre e përditshme.
“Bashkë me doktoreshën jemi gjithë kohën në kontakt me studentët, i ndjekim në praktikë dhe në pjesën klinike. Shpesh na shprehnin kënaqësitë dhe pakënaqësitë nga puna e përditshme dhe thamë që ta studiojmë si ndikon praktika profesionale të studentët me qëllim përmirësimin tonë dhe të krijonim një ambient më produktiv”, sqaroi Bushi. Studimi i saj u botua pas prezantimit në Konferencën Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare në UET.
Një tematikë ndryshe vjen në “Medicus” 9/1 nga psikologët Alfred Nela dhe Altin Nika, të cilët trajtojnë përdorimin e pyetësorëve të personalitetit (NEO-PI) në rekrutim të oficerëve të policisë. Nela sqaroi se kjo është një praktikë që nuk përdoret në Shqipëri në mënyrë të standardizuar. “Po përpiqemi ta sjellim edhe në vendin tonë, pasi ndryshe nga testet e tjera, ky mund të aplikohet edhe te popullata, jo vetëm te profesionistët e sektorit të sigurisë.”
Studimi i Eljo Paja dhe Klarita Hoxhallari zbulon sfidat e ndërveprimit mjek-farmacist-pacient në parandalimin e gabimeve mjekësore. Me një eksperiencë 16 vjeçare në farmaci, Hoxhallari tha se kryesisht kohët e fundit farmacisti po merr një rol vendimtar në këshillimin e pacientit, rol që e tejkalon atë të përshkrimit të recetës dhe dhënies së medikamenteve.
“Studimi jonë sjell gabimet që hasen në përditshmëri si nga përshkrimi i mjekëve ashtu edhe në ekzekutimin e farmacistit. Sado minimale që mund të jenë, këto gabime mund të shmangen falë ndërveprimit mjek- farmacist”.
Duke folur për studimin “Pomada Bastar: Një ilaç bimor premtues në dermatologji”, realizuar me studenten Erjona Kabili, pedagogu PhD Orjon Rroji tha se ky është studimi i parë i këtij lloji realizuar në vendin tonë. “Bimët mjekësore janë një thesar dhe ne në Shqipëri kemi plotë të tilla, prandaj nuk duhet të lihen pas dore”, nënvizoi Rroji.
Ndikimi i lodhjes te stafi i infermierëve, shkaqet, pasojat dhe strategjitë e menaxhimit është studimi i realizuar nga Prof. Asoc. Dr. Lumturi Merkuri, Eljo Paja dhe Klarita Hoxhallari. Po të njëjtën tematikë trajton edhe punimi i realizuar nga Ana Koleci dhe pedagogia e UET, PhD Jonila Gabrani, duke u përqendruar te niveli i stresit të infermierëve gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.
Ky botim sjell edhe një studim që analizon ndërlidhjen mes stilit të jetës dhe artritit reumatoid, punuar nga Armida Hida. Dr. Detina Zalli, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Kembrixhit, në bashkëpunim me pedagogen Jonila Gabrani, sjellin punimin “Cikli qelizor në kancer: Rrugët molekulare, keqfunksionimet në pikat e kontrollit dhe mundësitë terapeutike”.