Prezantohet thirrja e re e READ për lektorët dhe kërkuesit shkencorë në UET

Projektet duhet të fillojnë jo më herët se 1 qershori 2026 dhe të përfundojnë deri më 31 korrik 2027.
Për të gjithë lektorët dhe hulumtuesit shkencorë në Universitetin Europian të Tiranës, që duan të zhvillojnë një projekt në fushën e tyre të ekspertizës përmes bashkëpunimit me një kërkues nga diaspora, është çelur thirrja e re e Programit të Ekspertizës Kërkimore nga Diaspora Akademike (READ). Gjatë një info-sesioni, përfaqësuesja e READ shpjegoi mundësitë për zhvillimin e projekteve kërkimore, mënyrën e funksionimit, si dhe ilustroi procesin e plotë të aplikimit, për ta bërë sa më të qartë e më të plotë, në funksion të rritjes së mundësive për miratimin e projektit.
Në shumë raste, READ parashikon që kërkuesi në UET të jetë në kontakt me një koleg nga diaspora, por në të kundërt, përmes filtrimit në sistem, ai mund të zgjedhë mes emrave që janë tashmë të regjistruar, me të cilët e bashkon fusha e kërkimit dhe interesi i përbashkët për ta zhvilluar idenë më tej.
Projektet READ duhet të përfshijnë kërkime bashkëpunuese, zhvillim kurrikulash dhe kursesh dhe/ose bashkë-mësimdhënie. Nëse projekti miratohet, do të ofrohet mbështetje financiare deri në 500 000 lekë për kërkimin dhe deri në 2 500 000 lekë për projektet e kërkimit të aplikuar. Buxheti i kërkimit përfshin furnizimet që do të përdoren gjatë projektit, ndërsa buxheti i infrastrukturës mbulon pajisjet që do të përdoren përtej afatit kohor të këtij projekti. Prandaj kërkohet që në propozimin e tyre kërkuesit të saktësojnë buxhete përkatëse për nevoja të caktuara që parashikohen në të gjitha fazat e ekzekutimit.
I themeluar në vitin 2021 nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në koordinim me Institutin e Arsimit Ndërkombëtar (IIE), Programi i Ekspertizës Kërkimore nga Diaspora Akademike ka si qëllim të lidhë institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri me diasporën shkencore shqiptare dhe institucionet e tyre akademike përkatëse. Përmes ofrimit të një programi bursash të formalizuar dhe të strukturuar, diaspora akademike shqiptare mund të kontribuojë në zhvillimin e IAL-ve në Shqipëri dhe në zhvillimin e përgjithshëm të kërkimit shkencor në vend përmes katër aktiviteteve kryesore: kërkimit bashkëpunues, mbikëqyrjes së përbashkët të doktoraturës, zhvillimit të kurrikulave dhe kurseve, si dhe bashkë-mësimdhënies.
Bashkëpunimi i Programit READ me Universitetin Europian të Tiranës është i hershëm, ndërsa në thirrjet e mëparshme janë zhvilluar disa projekte të suksesshme kërkimore.

