POLIS 24-1 i jep zë promovimit të standardeve të BE-së në vetërregullimin e medias shqiptare

Kërkime, analiza, krahasime dhe propozime për “integrimin” e medias shqiptare në Bashkimin Europian sjell numri i radhës i revistës shkencore “Polis” në UET
Në kohë historike, qëndrimet e institucioneve të një shoqërie diktojnë historinë e tyre. Universiteti Europian i Tiranës, gjatë rrugëtimit të tij 20-vjeçar, ka qenë pjesë e diskursit publik përmes produktit të tij. Nuk mund të ndodhë ndryshe edhe në këtë etapë të rëndësishme të Shqipërisë, e cila po përgatitet për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe europiane.
Fakultetet, pedagogët, kërkuesit shkencorë, sipas fushës së ekspertizës po japin kontributin e tyre, si fillim për të ndërgjegjësuar dhe përgatitur shoqërinë për efektet e këtij procesi të gjatë të përafrimit me legjislacionin evropian, i cili më tej do të kërkojë vendosjen dhe përshtatjen me standarde të reja funksionimi në të gjitha fushat e veprimit dhe zhvillimit.
Fokusi i radhës i kërkimit shkencor në UET ishte media, e cilësuar ndryshe si pushteti i katërt i ruajtjes së demokracisë së një vendi. Numri 24-1 i “Polis”, revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, i cili u promovua të premten në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, trajton pikërisht promovimin e standardeve të BE-së për lirinë e medias, demokracinë dhe vetërregullimin në Shqipëri.
“Nuk është më as koha, as vendi, që institucionet shkencore, universitare, siç është UET të fokusohen vetëm te elementët e shkencës së mbyllur, që qëndron në aulat universitare, të cilat i adresojmë ne si lektorë dhe si kërkues. Duhet të shkojmë drejt propozimeve konkrete, në terma të politikave, sugjerimeve, rekomandimeve drejtuar institucioneve që i kemi të pranishme sot këtu, të cilët janë të gatshëm t’i mirëpresin sugjerimet dhe që kanë qenë pjesë e tryezave të kërkimit shkencor dhe forumeve që zhvillon UET”, theksoi në fjalën e saj, dekania e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Edukimit Liberal, Prof. Dr. Belina Budini.
Autorët e këtij numri special të revistës shkencore “Polis”, e trajtojnë median si aktor politik të mirëfilltë, duke theksuar përgjegjësinë etike e profesionale dhe duke integruar novacionin përmes analizave ligjore, të politikave, diplomacisë publike dhe instrumenteve të avancuara të IT-së; një shqyrtim i domosdoshëm për të kuptuar evolucionin e diskursit të integrimit, të nxitur nga intensifikimi dhe përdorimi i vazhdueshëm i kësaj narrative në media e politikë.
Ky numër special vjen, gjithashtu, në kuadër të dy projekteve: Projektit të financuar nga AKSHI që ka të bëjë me rregullimit e mjedisit mediatik në erën digjitale dhe projektit ProEUMedAl të Jean Monnet Chair, financuar nga Komisioni Europian, i cili synon promovimin e standardeve profesionale në media, pluralizmin, lirinë e medias, por gjithmonë e lidhur me vetërregullimin, në terma të kontekstit shqiptar.
Dekania Budini, e cila është njëkohësisht drejtuese e të dy projekteve, tha se ato ndërlidhen më së miri me njëri-tjetrin sepse i shërbejnë studimit të medias shqiptare, qasjeve që ajo ka ndaj procesit të integrimit, e evidentuar kjo në narrativën e saj të përditshme. Në kuadër të këtyre projekteve, në shkurt të 2025 u prezantua në UET studimi “’Nga Izolimi tek Integrimi’, i cili hedh dritë mbi narrativën mediatike për integrimin në BE.
“Ne kur e nisëm hulumtimin në grup një vit më parë, integrimi sapo kishte filluar të bëhej pozitivist dhe të ishte një termë rritje dhe më i ndeshur në media, në terma të përafrimit, të arritjes, të përshpejtimit, dhe të kapjes së trendit të integrimit, pasi gjithmonë kishim has të kundërtën. Diskursi dhe ligjërimi për integrimin u bë kali i betejës i fushatës elektorale dhe po e shohim që intensifikimi i ligjërimit për integrimin është në pikat më të larta sepse është bërë pjesë e narrativës qeverisëse”, u shpreh më tej Budini.
Përtej rëndësisë së tematikës së trajtimit, e veçanta tjetër e këtyre projekteve ka qenë bashkëpunimi mes fakulteteve dhe departamenteve të ndryshme në UET. Kështu, në bashkëpunim me Departamentin e Informatikës dhe Teknologjisë, është bërë i mundur ndërtimi i aplikacioneve që studiojnë narrativën e medias shqiptare. Novacioni konsiston në ndërtimin e tre aplikacioneve web nga grupet e punës, me përfshirjen aktive edhe të studentëve, të cilat shërbejnë për monitorimin e mediave dhe analizën e ligjërimit publik. Këto instrumente inovative mundësojnë mbledhjen sistematike të të dhënave, krahasimin në kohë reale dhe ofrojnë një bazë shkencore më të qëndrueshme për interpretimin e perceptimit publik dhe të diskursit mediatik mbi integrimin europian.
Bashkëpunimi i radhës ka qenë me Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në kuadër të studimit të legjislacionit dhe përafrimit të ligjeve shqiptare me ato europiane, në fushën e vetërregullimit të medias. Për këtë arsye, numri i radhës i revistës shkencore të këtij fakulteti, “Jus&Justicia”, do të ketë tematikën e studimeve europiane dhe të mediave, të ndërlidhura, me shkencat politike dhe fushatën zgjedhore.
E ftuar në këtë promovim si drejtuese e Autoritetit të Medias Audiovizive, institucioni që rregullon mediat tradicionale shqiptare, Armela Krasniqi erdhi edhe si autore e një prej studimeve të botuara në “Polis” 24-1. Ajo tregoi se shkak për këtë punim u bë ftesa e dekanes Budini në një nga konferencat shkencore të UET, prej të cilës mori indicien për të reflektuar për aspektin praktik, çfarë ndodh në terren dhe në institucionin që ajo drejton, dhe se si është e integruar e gjithë qasja europiane drejt rregullatorëve.
“Kemi shumë për të bërë dhe na presin shumë sfida përpara. Jemi në fazën ku çdo ditë shikojmë gjëra të reja, kuptojmë qasjen institucionale, pavarësisht se ne si institucion e kemi qasjen të kufizuar, vetëm te mediat tradicionale, por do të japim kontributin tonë në të gjitha fushat ku kërkohet ndërhyrje dhe rregullim ligjor e institucional”, u shpreh Krasniqi.
Më tej, ajo theksoi se po punohet gjithnjë e më tepër për të futur në legjislacion dhe për t’i zbatuar të gjitha aktet europiane, që kanë lidhje me lirinë e medias, me rregullimin e tregut audioviziv dhe jo vetëm, pasi tashmë po punohet edhe për rregullimin e platformave online.
“Po marrim pjesë në shumë tryeza konsultative dhe jemi në fazën ku shoqëria civile ka dhënë kontributin e saj në lidhje me ndryshimin që duhet të pësojë ligji organik i një institucioni. Do të doja t’iu ftoja juve që në momentin kur ky akt të jetë draft dhe të paraqitet në Komisionin e Medias si dokument, të jepni kontributin tuaj”, u shpreh drejtuesja e AMA-s.
Studiuesi dhe anëtari i AMA-s, Besjan Zogaj, vlerësoi qasjen normative të sjellë nga autorët në revistën “Polis” dhe përgëzoi gjithë punën e bërë për të botuar një produkt të tillë që kontribuon mbi një element kaq të rëndësishëm të shoqërisë dhe demokracisë së një vendi.
Kërkimet shkencore të “Polis” 24-1
“Polis” është revista e parë shkencore e Universitetit Europian të Tiranës, botimi i së cilës përkon me fillesat e institucionit. Nën varësinë e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, kjo revistë ndërthur disiplina të ndryshme kërkimore në shkencat humane, duke i shërbyer edukimit, formimit, nxitjes së qasjeve të bashkëkohore, përpunimit të teorive dhe politikave të reja.
Numri 24-1, me titull “Promovimi i standardeve të BE-së për lirinë e medias, demokracinë dhe vetërregullimin në Shqipëri”, përveç editorialit të Porf. Dr. Belina Budini, përmban tetë punime shkencore që kanë të bëjnë me pluralizmin e medias, legjislacionin shqiptar dhe atë vetërregullues evropian, gazetarinë e të dhënave, ndikimin e medias shqiptare në diskurin e integrimit evropian etj. Dy prej punimeve u prezantuan për audiencën gjatë promovimit të revistës.
Dokt. Dritan Idrizi prezantoi punimin me titull “Kornizimi i Evropës: Media audiovizuale shqiptare dhe diskursi i integrimit në BE”, i cili shqyrton narrativën e tre mediave kryesore kombëtare, Top Channel, TV Klan dhe RTSH, sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE.
“Qasja ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE është kryesisht pozitive. Gjuha që përdoret është pozitive, gati në 80% të rasteve. Përveç termave pozitivë, kemi edhe terma neutralë që janë kryesisht terma teknikë dhe që duhen rishikuar nga redaksitë. Kjo edhe sepse funksioni i medias nuk është veçse raportimi por edhe edukimi”, theksoi asistent lektori në UET.
Msc. Anxhela Ferhataj, asistent lektore në Departamentin e Informatikës dhe Teknologjisë, prezantoi punimin e saj me temë “Gazetaria e të dhënave e drejtuar nga teknologjia: Mekanizmat e transparencës dhe saktësisë për novacionin dhe rregullimin e medias në Shqipëri, të përputhura me standardet e BE-së”, duke sjellë në vëmendje dhe punën e bërë me studentët për ndërtimin e tre aplikacioneve, risi në mjedisin shqiptar, për evidentimin dhe analizën e lajmeve.
Më tej, Ferhataj tha se është e nevojshme përgatitja e gazetarëve me termat dhe funksionimin e teknologjisë, analizat grafike, për të pasqyruar më mirë lajmet dhe gjetjet e tyre. Në këtë kontekst, vitet e fundit Departamenti i Shkencave Humane dhe të Komunikimit në UET ka futur dy profile të reja studimi në fushën e gazetarisë: Gazetaria e Dhënave te Masteri Profesional dhe Media Digjitale te Masteri Shkencor.
Në këtë botim të “Polis” vijnë edhe disa kërkime me bashkautorë, të ndërthurur sipas fushave të tyre të kërkimit, që janë: Prof. Dr. Endirë Bushati dhe PhD (c) Armand Braho me punimin e tyre “Pluralizmi i medias në Shqipëri dhe përputhja e legjislacionit kombëtar me EMFA-n – Analizë Ligjore”; Prof. Asoc. Juelda Lamçe dhe Prof. Asoc. Fabian Zhilla me punimin e përbashkët “Liria e medias dhe mbrojtja e burimeve në standardet ndërkombëtare dhe evropiane”.
Drejtuesja e AMA-s, Armela Krasniqi sjell punimin me temë “Ndikimi i politikave të medias së BE-së në kornizat kombëtare në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor”. PhD(c) Erisela Marko, përmes kërkimit empirik dhe anketave të realizuara, sjell gjetje cilësore sa i përket perceptimit që krijohet në popullsi nga media, gjithmonë për pjesën e integrimit në BE.
Punimi i radhës është nga PhD(c) Jan Niemiec me titull “Përmirësimi i imazhit: Organizatat e diplomacisë publike turke në Ballkanin Perëndimor” ndërsa revista mbyllet me një këndvështrim më filozofik për qenien e Bashkimit Europian nga Prof. Dr. Gjergj Sinani, i cili boton punimin me titull “Projektet e Evropës: Origjina filozofike dhe evolucioni institucional nga shekujt 17-18 deri në integrimin bashkëkohor”.