Promovohet INGENIOUS 5-2 /Përdorimi i smart systems në Shqipëri, si po e ndryshojnë ato përditshmërinë tonë

“Të dhënat janë nafta e re.” Kjo thënie e Clive Humby, matematicien dhe sipërmarrës britanik, evidenton qartë se çfarë pasurie përbëjnë të dhënat. Ato po bëhen gjithnjë e më të domosdoshme dhe më të “shtrenjta” në epokën digjitale dhe në përdorimin e Inteligjencës Artificiale, ku aktiviteti dhe përditshmëria jonë po drejtohen nga sisteme dhe softuerë të të gjitha natyrave dhe funksioneve.
Ky ishte edhe fokusi i numrit të pestë, vëllimi i dytë i “Ingenious”, revistës shkencore që publikohet nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në Universitetin Europian të Tiranës, i cili këtë herë erdhi nën titullin “Smart Systems, Sustainable Technologies, and Data-Driven Innovation”.
Gjatë promovimit me studentët dhe pedagogët e këtij fakulteti, dekania Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi tha se investimet për sistemet e zgjuara po rriten gjithnjë e më tepër, ku një pjesë mjaft të rëndësishme e zë edhe zgjerimi i smart cities. “Madhësia e tregut të qyteteve inteligjente në Evropë vlerësohet në 317.2 miliardë dollarë në vitin 2025 dhe parashikohet të arrijë në 1,771.0 miliardë dollarë deri në vitin 2034.”
Edhe në Shqipëri, përmes marrëveshjeve të Ministrisë së Brendshme, po bëhen investime në 20 qytete për të sjellë përmirësime në infrastrukturë, trafik, menaxhim mbetjesh etj.
Pedagogia e Inteligjencës Artificiale në UET, njëkohësisht përfaqësuese e kompanisë Tribu World, Elisa Ago, shpjegoi përdorimet e sistemeve të zgjuara, përfitimet dhe sfidat që ato sjellin në përditshmëri. Ajo theksoi se sistemet smart janë sisteme që mbledhin të dhëna, i analizojnë ato dhe më pas përshtasin sjelljen për të përmirësuar rezultatet.
“Smart systems janë kudo, pjesë e jetës sonë. Janë në telefonat tanë që sjellin rekomandime sipas interesave tona, por edhe në sistemet dhe sensorët që përdoren në një qytet për të menaxhuar trafikun e për ta bërë atë më të jetueshëm.” Më tej, ajo sqaroi procesin e mbledhjes së të dhënave, i cili nuk duhet të shkelë privatësinë dhe duhet të jetë transparent për qytetarët, pasi të dhënat shpesh mund të jenë sensitive. Sipas saj, ky proces duhet të shoqërohet me një përzgjedhje të kujdesshme, që trajton vetëm të dhënat e nevojshme për rastin apo problemin konkret.
Për studentët që duan të ndjekin karrierë në fushën e të dhënave, Ago këshilloi që së pari të kuptojnë panoramën e plotë të sistemit: cili është qëllimi dhe kush janë përdoruesit. Punimi me të dhënat mbetet po aq thelbësor, ndërsa ndërdisiplinariteti është një komponent kyç në programet e zgjuara.
Smart system, analizuar përmes kërkimeve shkencore
“Ingenious” 5/2 sjell një sërë kërkimesh dhe analizash të realizuara nga pedagogët dhe studentët, të cilët shpjegojnë dhe analizojnë disa përdorime të rëndësishme të sistemeve të zgjuara në fusha të ndryshme, si inxhinieri, informatikë, ekonomi apo dizajn.
“Kontributet shkencore të këtij numri mishërojnë frymën e inovacionit në kryqëzimin e teknologjive inteligjente, zgjidhjeve të qëndrueshme dhe qasjeve të bazuara në të dhëna”, theksoi dekania Xhindi, duke shtuar se këto tema janë gjithnjë e më kritike për të ardhmen tonë teknologjike, mjedisore dhe shoqërore.

“Artikujt së bashku nxjerrin në pah nevojën urgjente për të çuar përpara kërkimin në sistemet inteligjente, teknologjitë e qëndrueshme dhe inovacionin e bazuar në të dhëna, fusha që luajnë një rol vendimtar në formësimin e shoqërive elastike, efikase dhe që shikojnë përpara.”
Gjatë promovimit u prezantuan dy prej punimeve të revistës. Pedagogu Xhevahir Baudini prezantoi një punim frymëzues për të rinjtë që duan të lënë gjurmët e tyre në teknologji apo të ndryshojnë jetën e komuniteteve. Baudini tregoi se si shpikja e tyre, një njësi ventilatorësh që punon me energji diellore, ndihmon në mbledhjen dhe tharjen e kokrrave të kafesë në Afrikën e Jugut.
Punimi i dytë erdhi nga studenti i UET, Antonio Demiri, i cili tregoi se si po përdor Inteligjencën Artificiale, konkretisht chatbot në kompaninë që drejton, “Dora Kreative”, për të optimizuar ndërveprimin dhe efikasitetin në shërbimin ndaj klientit.
Ankiola Beu dhe Amanda Kote analizojnë parashikimin të çmimeve në zgjidhjen e automatizuar Amazon Web Services (AWS) për optimizimin e kostos.
Novruz Billa dhe prof. Teuta Xhindi sjellin në punimin e radhës zhvillimin e një aplikacioni mobile për sigurinë publike dhe alarmet e emergjencave në Shqipëri.
“Roli i flukseve tregtare në formësimin e treguesve makroekonomikë: Një qasje e të dhënave të mëdha për Shqipërinë” është një tjetër studim me bashkëautorët Jora Banda dhe Iges Banda.
Migena Keri dhe Malvina Niklekaj, në punimin e tyre, analizojnë se si mund të bëhet forcimi i sigurisë në aplikacionin web përmes verifikimit të email-it.
Read Danjolli trajton përdorimin e sistemeve dhe AI-së për të monitoruar trafikun, ku përmes një rrjeti të integruar bëhet njohja automatike e automjeteve, e targave dhe klasifikimi i atributeve vizuale (p.sh., ngjyra, prodhuesi dhe modeli).
Më tej, në kërkimin e radhës, Xhoana Myrta thekson se si mekanizmat e automatizuar të validimit përmirësojnë saktësinë e të dhënave, pajtueshmërinë rregullatore dhe besueshmërinë e vendimmarrjes në tregjet financiare.
“Projektimi dhe zbatimi i një infrastrukture me disponueshmëri të lartë për një aplikacion web në AWS”, nga Dorila Rakipllari, është punimi i fundit që mbyll këtë numër të “Ingenious”, i cili adreson kërkesën në rritje për zgjidhje cloud elastike, të shkallëzueshme dhe me kosto efektive.

