Nga Shqipëria në New York për të themeluar firmën e tij ligjore, Altin Nonaj: Ja si të hapni një biznes në Amerikë

“Sot nuk ka nevojë të largohesh nga Shqipëria për të gjetur suksesin. Idetë dhe kapitali kalojnë kufirin. Mjafton një ide e vlefshme dhe e dobishme që t’i të gjesh veten tënde në tregun amerikan dhe më gjerë.”
Ishte ky mesazhi që përcolli për studentët e Universitetit Europian të Tiranës Altin Nonaj, themeluesi dhe avokati drejtues i “Nonaj Law”, një firmë e specializuar në fushën e biznesit dhe pasurive të paluajtshme me seli në Nju Jork. Altin Nonaj është këshilltar ligjor për korporatat, sipërmarrësit dhe investitorët që operojnë në tregun amerikan, duke qenë kështu një njohës i mirë i ligjeve dhe rregullave operacionale në një treg mjaft dinamik dhe konkurrues.
Që në moshën 9-vjeçare Nonaj u largua nga Shqipëria drejt Italisë ku u rrit dhe u formua profesionalisht për të vijuar karrierën e tij në SHBA, ndwrsa asiston ligjërisht bizneset dhe kompanitë shqiptare që kanë shtrirë veprimtarinë e tyre në tregun amerikan. Me një eksperiencë të spikatur në fushën e tij të ekspertizës, por edhe si pedagog në Shkollën Juridike Fordham, ku jep lëndën e Hartimit të Kontratave dhe Negocimit, Nonaj zhvilloi një leksion të hapur në auditorin e UET, për të folur më gjatë mbi strategjitë e integrimit në tregun amerikan, sfidat ligjore për të hapur një biznes si jo rezident, pwrcaktimi i brandit, zgjedhja shtetit që favorizon bizneset, nga ana ligjore dhe tatimore, etj. Sipas tij, shtete si New Yorku dhe Kalifornia kanë rregulla shumë të forta, por edhe taksa dhe kosto të larta pune, gjë që i kushton mjaft një biznesi të ri.
“Në rastin e zyrës sime unë jam i taksuar nga administrata, nga guvernatori dhe parlamenti i Neë York-ut, dhe së fundi nga bashkia e qytetit, pra kam tre nivele taksash. Nëse unë do e kisha zyrën jashtë Manhattanit, do të paguaja 4% më pak.”
Një tjetër çështje që Nonaj preku gjatë bashkëbisedimit me studentët ishte edhe pjesa e siguracioneve, e cila në Amerikë është domosdoshmëri për çdo transaksion qiraje apo blerje pronash dhe automjetesh, si një mjet garancie për palën tjetër. Sa i përket bizneseve dhe kompanive në fushën digjitale, Altin Nonaj tha se është mjaft me vlerë të njihet Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), një ligj gjithëpërfshirës i Bashkimit Europian, i cili rregullon mënyrën se si organizatat mbledhin, përdorin dhe ruajnë të dhënat personale.
“Europa ka një nga legjislacionet më të avancuara për mbrojtjen e të dhënave, ndërsa Amerika është më agresive në këtë drejtim.”
Dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Dr. Elona Shehu, e quajti një model suksesi për mjaft të rinj, tek i cili mund të projektojnë veten në të ardhmen dhe të kenë ambicien për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare.

“Ne, në auditorin tonë, kemi pasur fatin të shkollojmë studentë të cilët kanë qenë pjesë dhe drejtues në kompani të njohura ndërkombëtarisht. Ky është një auditor që ka provuar potencialin e madh, jo vetëm për atë çka ne mundohemi t’ju japim me background-in tonë, por edhe për atë çka sjellim përmes kontakteve tona. Unë falënderoj shumë Dritan Mishton, i cili na ndërmjetësoi këtë leksion të hapur me zotin Nonaj”, theksoi Shehu.
I pyetur nga studentët nëse duhet kapital i madh për të nisur një investim, Nonaj tha se, më shumë se kapitali, vlen ideja. Nëse dikush ka një ide që i vlen komunitetit, zhvillimit dhe sjell një element të ri për tregun, atëherë mund të fillojë kërkimi për një investitor, njëjtë siç funksionon sot në botën e startup-eve. Altin Nonaj theksoi se është mjaft e rëndësishme që çdo biznes të ketë fillimisht një mbështetje ligjore, një konsulencë qoftë edhe të jashtme, në mënyrë që çdo hap i ndërmarrë të jetë në përputhje të plotë me instrumentet ligjore, për të mos krijuar në të ardhmen probleme të reja.
Po aq e rëndësishme, sipas tij, është edhe mendësia që duhet të përqafohet në këtë kohë.
“Harrojini vizat si mjetin kryesor për të hapur biznesin tuaj. Nëse ideja është brilante, kapitali gjendet. Unë nuk jam që njerëzit të ikin nga Shqipëria; përkundrazi, ëndrra ime është që të kthehen. Sot mund të lëvizësh mjaft lehtë idetë dhe kapitalin dhe nuk ka nevojë të largohesh nga Shqipëria për të qenë i suksesshëm, pavarësisht se jam i vetëdijshëm për sfidat që ka ky vend.”

