Nga Jean Monnet te DSSH-ja, UET prezanton kontributin akademik për integrimin e Shqipërisë në BE

Para se të jetë politik, integrimi në Bashkimin Europian është akademik, ekonomik, juridik, social e kulturor. Është një proces që përfshin aktorë të ndryshëm të shoqërisë, mes tyre institucionet e arsimit të lartë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen e shoqërive drejt hapave madhorë.
Universiteti Europian i Tiranës prej vitesh është pjesë e komunitetit evropian me shkëmbimet kulturore të Erasmus+, me projektet e financuara nga Komisioni Europian apo me aktivitete të formave të tjera. Ndërsa afrohet data finale, e vendosur nga qeveria, për integrimin e Shqipërisë në BE, fokusi i UET është rritur edhe më tepër përmes nxitjes së kërkimit shkencor në çështjet që prekin thellësisht apo transformojnë jetën tonë.
Pikërisht ky kontribut akademik, i realizuar përmes përafrimit të kurrikulave, kërkimeve, partneriteteve, apo studimeve në fushën e integrimit evropian, do të shpërfaqet gjatë dy ditëve të Konferencës Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare, në datat 10-11 prill. Në ditën e parë të hapjes, në Tirana International Hotel, do të prezantohen rezultatet e dy projekteve 3-vjeçare të financuara nga Bashkimi Europian, Jean Monnet Actions, me fokus mbështetjen e mësimdhënies, debatit dhe kërkimit, për aspekte të ndryshme të unionit.
Pjesë e konferencës do të jetë edhe një përfaqësues nga Universiteti i Bolonjës, si mbështetës i kësaj ngjarjeje shkencore, por njëkohësisht edhe si lider i një prej projekteve të Jean Monnet ku UET bën pjesë.
Përveç akademikëve, në hapjen e konferencës do të marrin pjesë përfaqësues të qeverisë, të Delegacionit Europian në Shqipëri, drejtues të institucioneve dhe komisioneve, puna e të cilëve ndërlidhet drejtpërdrejtë me integrimin në Bashkimin Europian.

