FIIA organizon HR Club 2025: Zhvillimet teknologjike kërkojnë mësimin e aftësive të reja nga studentët

Takimi i përvitshëm i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës me përfaqësuesit e kompanive partnere, prezantoi ndryshimet në kurrikula dhe vazhdimin e punës për hapjen e profileve të reja të studimit si reflektim i kërkesave të tregut të punës. Mësimi i i soft skills dhe aftësive të reja teknologjike mbeten sfidë e vazhdueshme.
Rreth 63% e punëdhënësve e identifikojnë mungesën e aftësive si barrierën kryesore në zhvillimin e bizneseve të tyre, në pesë vitet e ardhshme. Po ashtu, 39 % e aftësive që zotërojnë sot punonjësit do të ndryshojnë gjatë kësaj periudhe ose do të transformohen.
Me këto shifra nga raporti i The World Economic Forum për 2025, e çeli dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Teuta Xhindi, takimin me përfaqësuesit e Departamenteve të Burimeve Njerëzore nga kompanitë dhe bizneset me të cilat ky fakultet ka marrëveshje bashkëpunimi ose partneritete të reja. Të pranishëm ishin edhe ish-studentë që kanë gjetur veten e tyre në tregun e punës.
Takimi i përvitshëm i HR Club solli në auditorin e Universitetit Europian të Tiranës disa prej kompanive më në zë në Shqipëri në fushën e inxhinierive elektrike, elektronike, IT-së, Teknologjisë së komunikimit, energjisë së rinovueshme, të tilla si: TDT & Partners, Ritech Solutions, Orion Construction, Smartwork, EuroElektra, Deloitte Albania, OSHEE Group, CiftjaTechnologies etj.
“Ky takim është dëshmi e vullnetit që ne kemi për të forcuar lidhjet midis universitetit dhe tregut të punës”, u shpreh Xhindi, duke theksuar se partneritete të tilla janë një detyrim ndaj studentëve që ia besojnë të ardhmen UET-it. Në vitin akademik 2024-2025, UET ishte universiteti me numrin më të madh të studentëve të regjistruar në institucionet e arsimit jopublik. Prof. Xhindi falënderoi të pranishmit, të cilët përveçse japin kontributin e tyre në tryeza të tilla diskutimi, mbeten në kontakt me universitetin, e më tej mundësojnë praktika dhe internshipe për studentët.
HR Club vijoi me prezantimin e departamenteve në Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Dr. Ardiana, përgjegjëse e Departamentit të Teknologjisë dhe Informatikës, i cili ofron 7 diploma në bachelor, master profesional dhe atë shkencor foli për trendet e zgjedhjes së studentvë. Ajo theksoi se kërkesat për master shkencor janë gjithnjë e më tepër në rritje, ndërsa risolli në vëmendjen masterin profesional me shumë perspektivë që ofron ky departament në bashkëpunim me bankën Credins. Për studentët që ndjekin masterin Fintech, Credins mundëson bursë dhe më tej punësim.
Përgjegjëse e Departamentit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë së Kërkimit, prof. asoc. dr Otjela Lubonja, sqaroi se pas kërkesave nga tregu i punës, janë bërë një sërë ndryshimesh dhe riorganizimesh. Falë projekteve ndërkombëtare ku UET bën pjesë, prof. Lubonja shtoi se ndryshime janë bërë në disa lëndë, me qëllim përgatitjen e studentëve për aftësitë dhe teknologjitë e reja në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit.
Këtë vit akademik FIIA vjen me daljen më vete të Departamentit të Inxhinierive, i cili më parë ka qenë bashkë me Departamentin e Arkitekturës. Përgjegjësi i këtij departamenti, dr. Fatmir Basholli, tha se përveç programeve bachelor dhe master në Inxhinieri Mekanike, është aplikuar për Inxhinieri Elektrike, me ambicien për të futur më vonë edhe programin Mekatronikë.
Përgjigje të reja për ndryshimet e tregut të punës
Ndërsa teknologjia zhvillohet me hapa të jashtëzakonshëm, aftësia e njeriut për ta përvetësuar dhe menaxhuar atë mbetet ende pas. Sfida të tilla të përbashkëta kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes tregut të punës dhe universiteteve për të gjetur zgjidhje të reja. Dekania e FIIA, prof. Xhindi kërkoi nga të pranishmit që të parashtrojnë sfidat që hasin në përditshmëri, të paraqesin kërkesat dhe sugjerimet e tyre në mënyrë që ato të reflektohen më tej në përgatitjen e studentëve.
Për ndryshimet që po pëson tregu i punës, si pasojë e Inteligjencës Artificiale, përfaqësuesja e Deloitte Albania, Anisë Abazi, solli disa gjetje interesante nga studimet e kompanisë. Ajo tha se AI do të sjellë dy efekte: automatizimin, i cili prodhon shkurtimin e vendeve të punës, dhe nga ana tjetër do të kërkojë një ndërveprim më të ngushtë të njeriut me teknologjinë. Sipas saj, studimi i Deloitte sugjeron se aftësitë që kërkon më shumë tregu i punës janë specialistë të AI, të bigtech, machine learning, sigurisë kibernetike etj.
Studeimet tregojnë se 66% e punëmarrësve nuk janë të kënaqur me përgatitjen e të rinjve, duke sugjeruar që ata të formohen më shumë për përdorimin e teknologjive të reja. “Jetëgjatësia mesatare e një profesional skills në IT nga 5 vite është shkurtuar në 2 vite dhe mendohet që do të kërkoeht apdejtim çdo 2 muaj”, theksoi Abazi.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e burimeve njerëzore shtruan si sfidë mësimin e soft skills te studentët e dalë nga auditori, të aftësive të komunikimit dhe të kulturës së punës në grup. Kërkesat e tyre për universitetin kishin të bënin me përditësimin më të shpeshtë të kurrikulave, në përshtatje me ndryshimet teknologjike dhe zhvillimin e praktikave që në vitin e tretë bachelor. Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me UET, disa prej tyre pranuan kërkesën e dekanes për të sjellë në auditor përvojat dhe eksperiencat e tyre përmes leksioneve të hapura apo moduleve të studimit.