FOTO/ 6 studentë, 6 histori njerëzore nga ceremonia e diplomimit UET 2025

Ceremonia e diplomimit i ngjan ajsbergut. Ajo që duket tregon shumë pak për atë që ka kaluar. Pas fytyrave që shkëlqejnë nga lumturia, janë netë të tëra pa gjumë, sakrifica të panumërta familjare dhe rrugëtime të pakrahasueshme me njëra-tjetrën.
Më 10 korrik Universiteti Europian i Tiranës diplomoi brezin e 17-të të studentëve në ciklin bachelor. Plot 451 studentë festuan me krenari mbylljen e një kapitulli, për të nisur shumë të tjerë në jetën e tyre. Pallati i Kongreseve u bë “dëshmitar” i qindra emocioneve, lotëve, fjalëve e përqafimeve të ngrohta, disa prej të cilave po i sjellim përmes këtyre gjashtë historive të shkurtra.
Mes studentëve që festojnë diplomimin, është ai më i veçanti dhe më speciali se gjithë të tjerët. I pangjashëm me ta, pa asnjë notë në regjistër, pa asnjë profesion dhe pa diplomë në xhep. Veshur me pelerinën dhe kapelën bojëqielli ai përshkon ritualin e çdo studenti: bën foto, ngjitet në skenë kur thirren emrat dhe madje i bashkohet momentit final të hedhjes së kapelave.
Është më i urti, më i pafjali. Edhe pse 4-muajsh, Marini nuk trembet nga muzika e lartë, as nga njerëzit apo zhurma. Sigurisht, ai nuk do ta mbajë mend këtë ditë, por fotot do t’i tregojnë se ka qenë në ceremoninë më të veçantë.
Mami i tij, Rudina Muçi, diplomuar për Inxhinieri Ndërtimi, një vajzë plot jetë dhe e palodhur, është kujdesur në detaje që ta bëjë këtë mbrëmje të paharrueshme për familjen e saj.
“Jam më e emocionuar se Rudina”, thotë mami i saj, edukatore te Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli”. “Ka pasur një jetë shumë intensive dhe jam e lumtur që arriti të diplomohet me sukses”, shton ajo, mjaft e kënaqur për zgjedhjet dhe jetën që ka ndërtuar e bija.
Gjyshi nga Durrësi diplomon mbesën Miss
“Denbabaden durrsak”, thotë Ilia Goga, mosha e të cilit është ndoshta sa katërfishi i të rinjve që diplomohen. Një burrë shtatlartë, i fisëm, i pajisur me ndjenjën e humorit. “Gruan e lashë në shtëpi. Ishte pak sëmurë, për fat të mirë”, thotë me të qeshur.
Është një lexues shumë i mirë i letërsisë klasike, të çfarëdo kombësie por sidomos asaj ruse, ku veçon Turgenjev dhe Gogol. Ka ardhur bashkë me vajzën në ceremoninë e diplomimit të mbesës, e cila mbylli studimet bachelor për Inxhinieri Ndërtimi. Përveçse një inxhiniere e ardhshme, me fokus në interior dizajn, Ines Kasemi është edhe Miss.
Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në Miss Supranational, një konkurs ndërkombëtar bukurie, i cili përzgjedh një ambasadore për promovimin e turizmit dhe kauzat globale.
“Jam shumë e lumtur për rrugëtimin tim dhe mezi pres të angazhohem në vijimësi”, thotë ajo. E trishton disi fakti që po lë pas këtë fazë të jetës për të nisur gjëra të reja të panjohura.
“Ne do të të jemi përherë pranë”, shton mami i saj, ekonomistja Efti Kasemi, e cila më shumë se prindit i ngjason motrës së madhe.
Një infermiere “misionare” si Eriselda Zaimi
Zgjedhja e programit të Infermierisë nuk ishte rastësi për Eriselda Zaimin. Nuk ishte as një plan i menduar për t’u larguar nga Shqipëria dhe për ta ndërtuar diku tjetër jetën nga e para. Ishte një zgjedhje shumë më personale që e bën të preket kur e kujton.
“Humbja e një bebi ishte shtysa më e madhe që unë të bëhem infermiere. Mendoj se do t’iu vij në ndihmë të gjitha nënave të reja”, thotë ajo.
Ky është fakulteti i dytë që po mbaron. Të parin e ka mbyllur në 2016-ën, për të bërë edhe shumë role të tjera në jetën e saj. Eriselda është nëna e Lulzimit, nxënësit të klasës së gjashtë që ëndërron të bëhet futbollist. Nga ana tjetër, ajo vijon punën në një kompani private.
Rikthimi në universitet nuk ishte i lehtë, por finalizimi e bën më krenare se kurrë. “Gjithë mundi dhe sakrifica ia vlejtën. I shkova deri në fund synimit që kisha dhe ia arrita.”
Rea nga Tepelena me lule për tezen
“Mami ku është tezja?”, pyet Rea me tufën e luleve në dorë ndërsa pret në hollin e Pallatit të Kongreseve. Ka ardhur nga Tepelena me mamin, dajën dhe kushëririn e vogël për të parë ceremoninë e diplomimit.
“Diplomimi është kur mbaron shkollën e lartë”, thotë 6-vjeçarja, rrugëtimi i së cilës është shumë larg nga ai i tezes, e cila përtej dashurisë së pakufishme, po i jep edhe një model suksesi.
Tezja e Reas, Sidorela Cela, afrohet e përlotur për t’i përqafuar me radhë. Nuk ishte plotësisht e bindur se familja e saj do të vinte për të ndarë sëbashku këtë moment të rëndësishëm. “Ndihem shume e emocionuar, është një gjë shumë e veçantë për mua”, thotë e prekur.
Koha ka ikur pa kuptuar. Tre vite studime, lodhje, provime, detyra kursi në programin Informatikë Ekonomike janë larguar sa hap e mbyll sytë. Kur kujton ditën e parë dhe vështirësitë e fillimit, nuk e fesh krenarinë që ia doli të finalizojë me sukses rrugëtimin e saj profesional e personal, me guximin për të përqafuar sfida të reja.
“Teze, jemi njësoj”, thotë Rea teksa tezja e merr në krahë, veshur të dyja me fustane të bardhë.
Katër breza në ceremoni
Mes fejesave, martesave, ditëlindjeve, edhe ceremonia e diplomimit mund të quhet festë familjare. Ajo iu dedikohet të diplomuarve, por përjetohet më thellë nga prindërit. Prania e tyre, e gjyshërve dhe të afërmve të tjerë, tregon realisht rëndësinë e kësaj dite për një familje shqiptare.
Të shumta ishin familjet e pranishme në këtë ceremoni, disa prej të cilëve me përfaqësues të disa brezave. E tillë ishte familja e Kristjana Njeçit, studentes së diplomuar për Financë.
Gjyshi, prindërit, vëllai e nipërit erdhën nga Lezha për të festuar sëbashku në këtë ditë të veçantë e për ta bërë momentin më të paharrueshëm të jetës së saj.
Sakrifica e babait për të festuar me vajzën
Shkëlqim Bajramaj është ndër të fundit që hyn në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Të gjithë janë pozicionuar në vendet e tyre anembanë sallës dhe nga momenti në moment pritet nisja e ceremonisë.
Djali i tij shtyn karrocën dhe e pozicionon pranë rreshtit të mesit ku janë ulur gjithë studentët. Prej 17 vitesh ka mbetur invalid nga një sëmundje tumorale në palcën e kurrizit. “Nga ana shëndetësore ndjehem mirë, vetëm këmbët më mungojnë”, thotë ai.
Ka ardhur nga Durrësi për të festuar me vajzën, Marizën, e cila mbylli studimet në Imazheri Teknike. “Hera e parë që vij në një ceremoni dhe po duket shumë bukur”, shton i emocionuar, ndërsa nis kënga hapëse e ceremonisë për të vijuar me një natë të gjatë e të paharrueshme.