Çmimi i Karrierës 2025 shkon për Besmir Semanajn, eksperti i IT: Fitues janë të gjithë studentët e diplomuar në UET

Eksperti i teknologjisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, është shpallur fitues i Çmimit të Karrierës 2025. Ky çmim jepet prej vitesh nga Universiteti Europian i Tiranës për studentët e diplomuar pranë tij, si vlerësim për zhvillimin dhe arritjet e tyre profesionale.
Mes tetë të nominuarve për këtë çmim nga brezi i shtatë i diplomimit, 2012-2015, Semanaj mori numrin më të lartë të votave në votimin online që u zhvillua përmes një linku të publikuar në rrjetet sociale të universitetit. Ish-studentët e tjerë në garë për Çmimin e Karrierës 2025 ishin personazhe të spikatur me kontribut në kërkim shkencor, pedagogji, fotografi, mësuesi, marketing etj., si: Endri Plasari, Ertila Druga, Etleva Haxhihyseni, Jetmir Duraku, Kejsi Rizo, Nevila Samarxhi dhe Orjona Dërguti.
Besmir Semanaj ka mbaruar ciklin e studimeve master pranë Universitetit Europian të Tiranës në programin Informatikë Biznesi. Ai ka një rrugëtim profesional prej më shumë se 15 vitesh në kompani kombëtare e ndërkombëtare, në fushën e IT dhe sigurisë kibernetike, ndërsa jep kontributin e tij si ekspert në media dhe televizione të ndryshme shqiptare. Prej 2022-it punon si inxhinier i lartë i Teknologjisë së Informacionit pranë Kairos Beteiligungs GmbH në Vjenë, Austri.
“Fitues janë të gjithë studentët që kanë mbaruar pranë këtij universiteti”, u shpreh Semanaj në një lidhje live nga Vjena, aty ku jeton dhe ushtron aktivitetin e vet profesional. Rikthimi në auditor, edhe pse virtualisht, e emocioni dhe i kujtoi periudhën e para 10 vitevë në atë që ai e quajti më shumë sesa një vend dijeje. “Ka qenë një ambient ku kemi rritur rrjetin tonë që vijojmë ta kemi edhe sot. Ky është një nga benefitet që UET i ka dhënë dhe i jep çdo studenti.”
Duke kërkuar ndjesë për pamundësinë e të qenit i pranishëm në këtë ceremoni vlerësimi, Semanaj theksoi se çmimi mbetet diçka simbolike, pasi gjatë kohës së studimeve në UET kanë marrë shumë më tepër gjëra të vyera.
“Fitorja e vërtetë është rrjeti që ne kemi krijuar, kontakti që ne vazhdojmë të mbajmë me njëri-tjetrin, dija që kemi marrë pranë këtij universiteti dhe që tani e aplikojmë në punët tona, në institucione, biznese e kompani brenda dhe jashtë vendit”.
Rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja i cilësoi ish-studentët ambasadorët më të mirë të UET-it, ndërsa vlerësimin me Çmim Karriere si një dëshmi të rrugëtimit dhe integritetit profesional të gjithsecilit. “Sot ne nuk festojmë vetëm sukseset tuaja individuale, por festojmë vlerat, përkushtimin dhe vizionin që UET ka mbjellë dhe vijon të kultivojë te çdo student që ka kaluar nëpër auditorët tanë.”
“Ne shohim te ju kapitalin më të madh social, besimin që kemi fituar përmes jush dhe të njëjtën gjë duhet ta kërkoni edhe ju te universiteti”, iu drejtua studentëve dhe ish-studentëve presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa. Gjatë fjalës, ai e vuri theksin në gjetjen e mënyrave novatore që krijojnë marrëdhënie më të mira, më të forta, më të dobishme mes universitetit dhe studentëve, të cilat iu shërbejnë të dyja palëve.
“Në një botë shumë individualiste, ku njerëzit kanë agjenda kompetitive, është e vështirë të krijohen komunitete. Po shkojmë nga një shoqëri e komuniteteve në një shoqëri të individëve”, tha Xhepa, duke theksuar se universitetet mbeten vendi me traditën më të shëndoshë në ndërtimin dhe ruajtjen e kësaj tradite.
E diplomuar në Master Shkencor në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe Evropiane, me një përvojë shumëvjeçare në administratë publike, e tashmë në detyrën e ndihmëskomisioneres pranë Avokatit të Popullit, Alumni Kejsi Rizo e quajti emocionin më të madh rikthimin pas 12 vitesh në të njëjtën sallë ku mori leksionin e parë. “UET vijon të mbetet shtëpia ime akademike, universiteti që më zhvilloi personalisht dhe nga pikëpamja profesionale.”
Mirënjohëse për nominimin në Çmimin e Karrierës 2025, ajo përgëzoi UET që ruan këtë traditë dhe shprehu dëshirën që ky angazhim i përbashkët të zhvillohet më tej për të çuar përpara dhe për të përmirësuar më tej standardet në të gjitha fushat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Një tjetër i nominuar për këtë çmim, Endri Plasari, diplomuar në Informatikë Ekonomike e me një karrierë të spikatur si akademik, vuri në dukje se UET ka prioritet marrëdhënien më ish-studentin duke e përfshirë në aktivitetet e ndryshme që ai zhvillon.
Çmimi i Karrierës në Universitetin Europian të Tiranës mori jetë disa vite pas krijimit të shoqatës “UET Alumni”. Themeluar në 2010-ën, shoqata mban kontakte me studentët dhe ndjek në vijimësi ecurinë e karrierës së tyre, të cilët bëhen pjesë e Bordeve të Punës, forumeve apo aktiviteteve të ndryshme që universiteti organizon, për të sjellë praktikat më të mira, për të shkëmbyer eksperienca dhe për të frymëzuar studentët e rinj.
Përgjatë viteve Çmimin e Karrierës në UET e kanë fituar personalitete e figura të fushave të ndryshme të politikës, medias, biznesit etj. I pari që e inauguroi këtë çmim në tetor të 2013-ës, ishte Ardit Çela, ish-drejtues i Postës Shqiptare, për të vijuar pastaj me ish-deputeten Esmeralda Shkjau; dizajnerin e njohur Agi Haxhimurati; menaxheren e një shkolle private, Suzana Numani; ish- drejtuesi i “VIP Sport” Fation Shehu; sipërmarrësen Ira Elbasani; ish-zëvendësministrin Shpati Kolgega; avokatin Andi Skënderi; gazetaren Dojna Mema etj.