Christopher Hill në UET për promovimin e librit të tij: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE pa cenuar fqinjësinë

“Në shërbim larg vendit” dhe diplomati i spikatur amerikan, Christopher Hill, sjellin një tjetër variant të historisë dhe politikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit të pas viteve ’90.
Promovimi i librit të tij me kujtime riktheu për herë të dytë në Universitetin Europian të Tiranës ambasadorin e parë amerikan në Shqipërinë postkomuniste, z. Christopher Hill. Një dekadë më parë UET e nderoi me “Doctor Honoris Causa”, titulli më i lartë akademik që jep ky universitet, për kontributin e veçantë që dha në vitet 1998–1999 si i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë. Tashmë, ish-ambasadori rikthehet në këtë 35-vjetor të rrëzimit të sistemit komunist për të kujtuar dhe reflektuar mbi ngjarjet e atyre viteve, shkak i të cilave jetojmë ditët e sotme.
“Në shërbim larg vendit – Jeta në vijat e para të frontit të diplomacisë amerikane: Kujtime”, përkthyer nga Arian Starova dhe botuar nga UET Press, është një rrëfim i gjallë i ngjarjeve që shënuan të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit, si dhe një rikujtim i rolit jetik që luajtën në ato vite Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pranishëm në këtë promovim ishte kryeministri Edi Rama, një mik i hershëm i ambasadorit, siç e quajti veten, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë, si dhe figura të njohura të politikës, diplomacisë, akademisë dhe medias.
“Ky është vendi ku më ftojnë për ngjarje të tilla, nuk e kuptoj si e bëjnë që të vij pa refuzuar. I lavdëroj për këtë. Në të njëjtën kohë, dua të them se nuk mund të thosha jo, sepse ky moment ka të bëjë me dikë që gjithmonë më ka interesuar, shumë kohë para se të bëheshim miq”, u shpreh në krye të fjalës Rama, ndërsa rrëfeu se për herë të parë për Hill kishte dëgjuar përmes narrativës, apo teorisë konspirative që qarkullonte në atë kohë, se ish-kryeministrin Fatos Nano e futi në burg ambasadori amerikan. “Gjithsesi, ai nuk më dukej si një burgosës i njerëzve të opozitës”, shtoi Rama.
Kryeministri e cilësoi Hill si të vetmin diplomat amerikan që ka shërbyer si ambasador në këtë rajon, i cili nuk e kupton Ballkanin nga distanca, por e kupton nga brenda. Kjo, edhe për faktin se ai ka qenë gjatë i pranishëm në këtë rajon, në momentet më kyçe të historisë, por pavarësisht kësaj nuk ka qenë në ballinë të lajmeve për të bërë rolin e ndikuesit. “Gjithmonë ka qenë atje si një mjeshtër i pëshpëritjes.”

Një tjetër element që vlerësoi te ambasadori Hill ishte pikërisht aftësia për të dëgjuar. “Më bëri përshtypje mënyra si dëgjonte. Ky nuk është një virtyt i ambasadorëve amerikanë, me thënë të drejtën. Ata janë të shkëlqyer në të folur dhe në leksione, por nuk dallohen në të dëgjuar.”
Duke iu referuar më tej marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe dashamirësisë që shqiptarët kanë treguar gjithmonë ndaj SHBA-ve, Rama tha se ambasadorët amerikanë kanë qenë për shumë kohë njerëzit më të rëndësishëm në Shqipëri.
“Gjithmonë pyes veten se si mund ta bëjë dikush punën e të qenit personi më i rëndësishëm në vend, sepse nuk ka dyshim se personi më i rëndësishëm në këtë vend, për shumë vite, ka qenë ambasadori amerikan. Të jesh ambasador amerikan në Shqipëri është puna e dytë më e mrekullueshme e të qenit amerikan, pas presidentit, sepse je Zot. Dhe përgjigjja, besoj, është në personalitetin dhe në mënyrën se si Chris e bën këtë, me shumë distancë, shumë kujdes në dëgjim dhe me shumë zë të ulët.”
“Në shërbim larg vendit”, manual për politikën ndërkombëtare
Një rrëfim të sinqertë dhe të gjallë për mbi tre dekada diplomacie në skenat më të ndjeshme të politikës botërore, e cilësoi librin kryeredaktorja e shtëpisë botuese UET Press, znj. Suadela Balliu.
Ajo tha se autori nuk përshkruan vetëm takimet dhe negociatat me liderë botërorë, por edhe pasiguritë, rreziqet, përgjegjësitë dhe momentet kur diplomacia vendos fatin e njerëzve dhe paqen e një rajoni. “Nëpërmjet historive të tij zbulojmë prapaskenat e proceseve të ndërlikuara diplomatike, marrëdhëniet mes shteteve dhe personalitetet që ndikuan epokën tonë.”
“Stili i autorit është i drejtpërdrejtë, plot humor, i mbështetur në reflektime të thella dhe në një ndjenjë të fuqishme shërbimi. Kritikat ndërkombëtare e kanë vlerësuar librin si ‘magjepsës’, ‘ndriçues’ dhe ‘një udhëzues të domosdoshëm për botën e diplomacisë moderne’,” shtoi më tej kryeredaktorja.
Sipas dekanit të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Ervis Iljazaj, libri i Hill, edhe pse nuk është një studim akademik në kuptimin klasik të fjalës, ka një lloj metode të rrëfimit që e bën më të vlefshëm se çdo studim tjetër në këtë fushë. “Në këtë libër ka një vëzhgim institucional ku përshkruhen proceset e brendshme të Departamentit të Shtetit dhe, gjithashtu, një analizë në retrospektivë.”
“‘Në shërbim larg vendit’ duhet vlerësuar si vepër me rëndësi të dyfishtë – si kujtim personal që hedh dritë mbi karrierën e një diplomati të lartë dhe si dokument i rëndësishëm mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në rendin ndërkombëtar pas viteve ’90. Një rol, që askush më shumë se bota shqiptare, në Kosovë apo Shqipëri, nuk e ka ndjerë në favor të saj,” theksoi më tej Iljazaj.
Christopher Hill: Kur SHBA ka nevojë për një mik, Shqipëria është gjithmonë aty
Në fjalën e tij, ish-ambasadori Hill kujtoi momentet e para të mbërritjes në Shqipëri 34 vjet më parë, kur u vendos në Hotel Dajti dhe i bëri mjaft përshtypje që ishin ndaluar makinat private. Shqipërinë ai e cilësoi si një vend mjaft kompleks, por me një respekt të vërtetë për historinë, gjë që ia përcolli edhe atij. Për një kohë të gjatë si ambasador, por edhe më gjatë si diplomat dhe njohës i politikës dhe çështjeve ndërkombëtare, Hill tregoi se nuk mësoi vetëm të respektonte historinë, por edhe njerëzit, origjinën, ndjenjat dhe mendimet e tyre, pavarësisht se jo gjithmonë ishte plotësisht dakord me ta.
Duke folur për rrugëtimin që ka bërë Shqipëria në këto tre dekada e gjysmë, ai tha se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe se vendi ka treguar vullnetin e tij për të qenë pjesë e aleancave ndërkombëtare, siç ndodhi me anëtarësimin në NATO. Sipas tij, tashmë mbetet sfidë anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Si diplomat amerikan, unë i mbështes të gjithë, megjithatë është e lehtë për mua, por nuk është e lehtë për Evropën. Mendoj se kërkon shumë përpjekje dhe Bashkimi Evropian po e bën këtë përpjekje. Por mendoj se është shumë e rëndësishme që në këtë drejtim, për të hyrë në Bashkimin Evropian, dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë, çështja është të bëhet në një mënyrë që rrit sigurinë në të gjithë rajonin. Pra, duhet të bëhet në një mënyrë që të vazhdojë me ato marrëdhënie rajonale këtu. Sepse mund të zgjidhni të dashurat tuaja, mund të zgjidhni shumë gjëra, por nuk mund të zgjidhni fqinjët tuaj.”
Ambasadori Hill foli më tej edhe për marrëdhëniet që Shqipëria ka pasur ndër vite me SHBA-të, dhe kjo nuk shfaqet përmes statistikave, por përmes qëndrimeve konkrete në arenën ndërkombëtare. “Ndiej se kur je në Shqipëri si çdo amerikan, përfshirë Ambasadën Amerikane këtu, për të cilën isha kaq krenar që isha pjesë, nuk kemi miq më të mirë sesa kemi në Shqipëri. Nuk po flas për atë statistikë qesharake që rreth 98% e shqiptarëve na duan. Po flas për faktin se kur gjërat janë të vështira, kur kemi nevojë për një mik, Shqipëria është gjithmonë aty. Dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet ta humbasim kurrë.”
Ish-ambasadori Hill u shpreh i bindur se versioni i librit të tij në shqip është më i bukur se ai në anglisht, për shkak të veçantisë së gjuhës sonë. Megjithatë, iu desh të sigurohej nga përkthyesi që nënteksti i shakave të mos kishte humbur përmes përkthimit. Kjo, sepse sipas tij, gjëja e fundit që i duhet botës është një tjetër libër i thatë për marrëdhëniet ndërkombëtare.

