- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Procesi i privatizimit në Republikën e Kosovës - Economicus
by, Bajram FEJZULLAHU
Abstrakt
Ndër ngjarjet më të rëndësishme të shekullit të kaluar, në vendet e ish-bllokut socialist dhe shtetet që u formuar nga rënia e atij sistemi, është procesi i transformimit dhe tranzicionit të sistemit socio-ekonomik dhe politik. Ky proces i pashmangshëm, varësisht nga vendet, diku ndodhi “në mënyrë paqësore”, por ka pasur raste që u ndërmorën metoda radikale, madje edhe luftëra. Në dallim nga vendet e Evropës Qendrore dhe Jug- Lindore, të cilat kanë zgjedhur procesin e transformimit dhe tranzicionit me metoda të arsyeshme në bazë të marrëveshjes, në vendet e ish-Jugosllavisë ky proces (me përjashtim të Malit të Zi dhe Maqedonisë) u përcoll edhe me luftë. Prandaj, deri në ditët e sotme, edhe pse ka kaluar një periudhë kohore mbi 20 vite, nuk mund të flitet për stabilitet të këtyre vendeve. Para Kosovës (më vonë Republika e Kosovës), për të mundur që t’i bashkëngjitej këtyre ndryshimeve, ishte edhe një pengesë më tepër. Procesit të tranzicionit i parapriu procesi i transformimit (sipas një renditje logjike të proceseve), e pastaj, erdhi në shprehje formimi i shtetit, proces i cili i mungonte Kosovës. Megjithatë, procesi që nga fillimi ishte i kundërt me atë që duhej të ishte. Procesi i privatizimit të Ndërmarrjeve Shoqërore përmes UNMIK (Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) i parapriu formimit të shtetit. Metodat burokratike të UNMIK-ut kontribuuan në humbje të kohës dhe ngadalësuan rimëkëmbjen ekonomike të vendit. UNMIK-u zgjodhi metodën e transformimit të pronës shoqërore të Kosovës, si parakusht i tranzicionit të përgjithshëm dhe sistemit politik, i cili më vonë do të jetë një nga elementet kryesore dhe do të shërbejë për të shpallur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Do të mbetet çështje teorike dhe pyetja për shqyrtim se “a ishte më e dobishme dhe më ekonomike që, së pari, të ndodhte procesi i transformimit dhe shpallja e pavarësisë dhe, më pas, transformimi i pronës”. Kosova për shumë arsye është rast sui generis. Ngjashëm është edhe me procesin e privatizimit të Ndërmarrjeve Shoqërore (ndërsa ky proces ende nuk ka filluar për pronën publike-shtetërore).
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.