- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Koncepti i politikave makro-prudenciale dhe zbatimi i tyre nën optikë e Bazel III - Economicus
by, Orkida Ilollari
Abstrakti
Termi “politikë makroprudenciale” është përdorur përgjithësisht pas krizës së fundit. Kriza financiare globale (2007-2013) nxiti debatin për pasojat e risqeve të qenësishme ose të amplifikuara nga sistemet financiare. Veprat empirike dhe teorike të nxjerra nga kriza e fundit kanë zhvendosur në nivele të pazakonta kornizat analitike dhe institucionale të politikës makroprudenciale. Me politikë makroprudenciale arrijmë të kuptojmë përpjekjet e bëra nga të gjithë politikëbërësit makroprudencialë, të cilët tentojnë të kufizojnë riskun sistemik, pra riskun e prishjes së ofertës për shërbime financiare, të shkaktuara nga dëmtimi i sistemit financiar. Zakonisht, përdoren mjetet prudenciale që mbikëqyrësit makroprudencialë i vënë në përdorim për të limituar rrezikun e shëndetit të kompanive financiare individuale. Sado të shumta të jenë politikat, që mund të përdoren për të forcuar në tërësi sistemin financiar, vetëm ato politika që kontrollohen nga politikëbërësit makroprudencialë, përbëjnë të ashtuquajturën politikë makroprudenciale (Gerlach, 2013). Organizmi i ngarkuar për rregullimin (kontrollin) bankar ndërkombëtar, është edhe Komiteti i Bazel, i cili përbëhet nga përfaqësues të lartë të autoriteteve të kontrollit dhe të bankave qendrore. Me daljen nga kriza, komiteti i Bazel ka propozuar një tjetër rregullim bankar, që ka për qëllim zbutjen e mangësive të vërejtura në etapat e mëparshme. Kjo do të forconte detyrimet mikroprudenciale në kapital, likuiditetet dhe stimujt (leva financiare, leva fiskale), dhe që do të sillte gjithashtu, një dimension makroprudencial. Ky vizion zgjeroi mbikëqyrjen bankare, që materializohet nga një numër provigjionesh, me anë të cilave hyjnë në zbatim manovra të ndryshme të fondeve të brendshme të bankave, si rritja e cilësisë dhe e nivelit të fondeve të veta “bazë”(La note d’analyse, 2013). Kjo do të përforconte dukshëm menaxhimin, mbikëqyrjen dhe mbulimin e risqeve që bankat duhet t`i kenë parasysh, por edhe pasuron tërësinë e mjeteve prudenciale, nëpërmjet kërkesave për likuiditet.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.