- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Praktikat e menaxhimit të dijes në institucionet financiare në Kosovë - Economicus
by, Gentrit Berisha
Abstrakt
Synimi i këtij artikulli është të kuptuarit nëse dhe në çfarë shkalle përdoren praktikat e menaxhimit të dijes në institucionet financiare në Kosovë, si dhe motivet dhe efektet e përdorimit të tyre. Dizajni/metodologjia/qasja: Prej pyetësorit të studimit të OECD-së është marrë dhe është përshtatur një pyetësor për praktikat e menaxhimit të dijes, motivet dhe efektet e përdorimit të tyre, i cili u është shpërndarë institucioneve financiare të listuara në Bankën Qendrore të Kosovës. Gjetjet: Institucionalizimi i menaxhimit të dijes varet nga madhësia e institucioneve financiare e shprehur në numrin e të punësuarve. Përgjegjësia për menaxhimin e dijes bie mbi menaxhmentin e lartë apo menaxhmentin e resurseve humane, në kushtet kur asnjë institucion financiar nuk ka njësi të menaxhimit të dijes. Bankat përdorin më shumë praktika se llojet e tjera të bizneseve, sikurse kompanitë me kapital të huaj më shumë se ato me kapital të brendshëm. Kufizimet e kërkimit/implikimet: Shkalla e përgjigjes nga institucionet financiare është nën pritshmëritë, çka e bën mostrën të vogël për të nxjerrë përfundime të pacenueshme për klasën e institucioneve financiare. Nuk është i krahasueshëm me studimin e OECD-së, sepse fokusohet në një sektor të biznesit. Implikimet praktike: Artikulli synon të tregojë sa përdoren praktikat e menaxhimit të dijes nga institucionet financiare në Kosovë, motivet e përdorimit dhe efektet e tyre në performancën organizative.Origjinaliteti/vlera: Përbën një riprodhim të studimit të OECD-së për të vërejtur shtrirjen e menaxhimit të dijes në industrinë financiare, prej më të informatizuarave dhe më të modernizuarave në Kosovë. Vlera e artikullit qëndron në atë se përbën përpjekjen e parë për të sjellë një studim të fushës së menaxhimit të dijes në Kosovë.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.