- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Menaxhimi i njohurisë si praktikë e re në organizatat e biznesit në Shqipëri - Economicus
by, Edlira MARGILAJ, Kreshnik BELLO
Abstrakt
Hapat e shpejtë të globalizmit dhe progresit teknologjik kanë ndryshuar dramatikisht kushtet e tregut dhe strategjitë e konkurrencës. Në shoqërinë e sotme bazuar te njohuria, ose “knowledge-based society”, sasia e njohurisë në përdorim është rritur mjaft dhe kjo ka sjellë shumë sfida për kontrollin dhe menaxhimin e saj (njohurisë). Menaxhimi i njohurisë (MNJ), është duke u bërë sot një nga praktikat më të rëndësishmë të kompanive të vendeve të zhvilluara në rritje të fitimeve dhe të avantazheve konkurruese. “Kontributi më i rëndësishëm i menaxhimit të shekullit të 20-të ishtë rritja e produktivitetit nëpërmjet punës manuale të punëtorit në fabrikë. Një nga sfidat më të mëdha të menaxhimit në shekullin e 21-të, dhe njëkohësisht një nga kontributet më të rëndësishmë që ai nevojitet të japë është thjesht që të rrisë produktivitetin e njohurive të punës dhe punonjësve të dijes” (Drucker 2007). Për një implementim të suksesshëm të menaxhimit të njohurisë, është i rëndësishëm identifikimi i barrierave apo faktorëve kritik që ndikojnë në suksesin e procesit të MNJ-së. Më të shumtët prej këtyre faktorëve i përkasin sektorit njerëzor. Pikërisht këto çështje përbëjnë edhe problematikën e këtij studimi. Qëllimi i këtij studimi është të investigojë mbi njohjen dhe implementimin e menaxhimit të njohurisë në organizatat e biznesit në Shqipëri, duke vënë në dukje disa nga barrierat dhe faktorët kritikë të suksesit të MNJ-së në këto organizata. Në përmbushje të këtij qëllimi marrin përgjigje pyetjet kërkimore: Pyetje 1. Cila është shkalla e njohjes dhe implementimit të menaxhimnit të njohurisë në organizatat e biznesit në Shqipëri? Pyetje 2. Cilët janë disa nga barrierat dhe faktorët kritik që ndikojnë suksesin e menaxhimit të njohurisë në organizatat e biznesit në Shqipëri? Metodologjia për realizimin e punimit është mbështetur mbi kërkimin primar (metoda e kërkimit cilësor, duke zhvilluar intervista gjysmë të strukturuara) dhe kërkimin sekondar.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.