- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Mbështetja e qeverisë për nxitjen e sipërmarrjes sociale në vendet ish-komuniste, mjet efektiv për realizimin e përgjegjshmërisë sociale - Economicus
by, Arlinda YMERAJ
Abstrakt
Nevoja emergjente për ndryshim dhe thellësia e reformave, kushtëzuan ndërveprimin e faktorëve pashmangshmërisht të kundërt, veçanërisht, me ndikim të fuqishëm e të njëkohshëm mbi rritjen ekonomike e zhvillimin shoqëror. Për rrjedhojë, pikëpamjet e reja të mënyrës së konceptimit të biznesit, këmbimit, tregtisë dhe shpërndarjes së shërbimeve sfidojnë teoritë konvencionale mbi shtetin, shoqërinë dhe ekonominë. Ky artikull ka në qendër të vëmendjes, rolin e qeverisë në gjetjen e mënyrave për të harmonizuar rritjen ekonomike me politikat sociale. Ndërsa qeveritë kudo në botë përpiqen të shfrytëzojnë hapësirat fiskale për të mbështetur qytetarët më në nevojë, shoqëria jonë, ndonëse dëshmitare e krijimit të burimeve të konsiderueshme në sektorin privat, ende është e “ngurtë” në gjetjen e mundësive që harmonizojnë objektivat e grupeve të ndryshme të interesit. Sidoqoftë, aktiviteti ekonomik shpesh ndodhet në “shina”, në vend të “rrugës një kalimëshe” të izoluar nga sektori publik dhe shoqëria civile. Individualizmi brutal dhe i egër i shumë aktiviteteve ekonomike të kohës së sotme është në konflikt të hapur me interesat sociale të shtetit dhe të shoqërisë në përgjithësi (Zamagni, 1997). Ndryshimi i mënyrës së të menduarit dhe arsyetimit mbi politikën sociale, parashikon veçimin e pikëpamjes së “kapitalit social”, në bashkësinë e politikave që trajtojnë përjashtimin social. Përqendrimi tek “kapitali social” kërkon mobilizimin gjithëpërfshirës të komunitetit, duke përfshirë aktorët e biznesit dhe të shoqërisë civile së bashku, të udhëhequr nga qëllimi jo vetëm i “reduktimit të përjashtimit social”, por i harmonizuar me “fuqizimin e anëtarëve më të përjashtuar të shoqërisë”.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.