- by Gersi Mirashi
- January 13, 2023
Shteti i së drejtës, një analizë midis formës dhe funksionit
by, Dokt. Evisa Kambellari
Abstract
Punimi synon, pikësëpari, të paraqesë parametrat e shtetit të së drejtës si objektiv final i përpjekjeve për konsolidimin e sistemit ligjor në vendin tonë. Reformat e shumta legjislative dhe institucionale shihen në një raport të vazhdueshëm midis formës dhe funksionit, si dhe, në një vlerësim të natyrës dhe proporcionalitetit të këtij raporti. Shteti i së drejtës konceptohet si një parim qeverisje, sipas të cilit, individët, institucionet, subjektet publike dhe private, përfshirë edhe vetë shtetin,
janë përgjegjës përpara ligjeve, të cilat, duhet të jenë të shpallura publikisht, të zbatueshme në mënyrë të njëjtë, të gjykuara në mënyrë të pavarur, dhe në pajtim me normat dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ky parim, parashtron gjithashtu kërkesën për marrjen e masave, me qëllim sigurimin e respektimit të parimeve të sundimit të ligjit, të ndarjes së pushteteve, barazisë dhe përgjegjësisë
përpara ligjit, drejtësisë në zbatimin e tij, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, qartësisë ligjore, shmangies së arbitraritetit dhe të sigurimit të transparencës ligjore dhe proceduriale, në veprimtarinë e administratës publike. Gjatë këtij trajtimi, i kushtohet vëmendje rëndësisë funksionale dhe aplikimit në praktikë të elementëve të shtetit të së drejtës në garantimin e vlerave të ligjshmërisë, demokracisë, lirisë dhe drejtësisë. Në këtë kontekst, analizohen reformat e ndërmarra në fushën e drejtësisë dhe në sferën ekonomike, në këndvështrimin se si këto reforma duhet të ndjekin qëllime të mirë-përcaktuara, në funksion të një destinacioni final të konsolidimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vlerave të një sistemi ligjor, të ndërtuar mbi bazën e së drejtës dhe në shërbim të saj. Në punim vihet gjithashtu theksi në rëndësinë që merr kombinimi i aspekteve formale me ato funksionale në veprimtarinë e përditshme të subjekteve publike dhe private, duke u bazuar në idenë se forma dhe procedura përbëjnë kornizën e nevojshme, brenda së cilës marrin jetë dhe pasqyrohen rolet e secilit prej tyre, dhe se nga ana tjetër, kjo kornizë nuk mund të gjejë përdorim në mungesë të përmbajtjes së duhur funksionale.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.