- by Gersi Mirashi
- January 13, 2023
Pagimi i padetyruar sipas Kodit Civil Shqiptar dhe praktikës gjyqësore. Një analizë krahasimore
by, Prof. Asoc. Dr. Endira Bushati
Abstract
Pagimi i pa detyruar është njëri nga rastet më të rëndësishme të kalimit të pajustifikuar të pasurisë, si dhe një nga të parët që është njohur dhe studiuar. Instituti është sidomos evident në vendet e Civil Law. Që nga e drejta romake, kur nuk ekzistonte akoma një mjet i përgjithshëm për të rregulluar kalimet e pajustifikuara të pasurisë, ishte parashikuar dhe disiplinuar një mjet specifik për të vendosur detyrimin e kthimit të asaj që ishte paguar pa shkak.1 Edhe në Common
Law, një nga paditë e para të njohura në fushën e law of restitution ishte padia money had and received, që kishte për qëllim kërkimin e kthimit të shumave të parave të marra në mënyrë të pa detyruar.2
Ndërkohë që në Civil Law, koncepti i pagimit të pa detyruar nuk i referohet vetëm pagimit të shumave të parave, por në përgjithësi për çdo lloj sendi, tek Common Law, fusha e veprimit të mjetit money had and received është rigorozisht e kufizuar vetëm për shumat e parave. Në fakt, ndryshimi është formal. Edhe në Common Law është gjerësisht e parashikuar mundësia për të kërkuar vlerën jo vetëm të parasë, por edhe të sendeve të tjera dhe të punëve të kryera në mënyrë të pa detyruar. Ndryshimi i vetëm është që juristët e common law nuk kanë përpunuar një koncept unik të pagimit të pa detyruar të ngjashëm me atë të civil law, por janë kufizuar të trajtojnë ndarazi hipotezat e ndryshme sipas rastit nëse ka për objekt shuma parash (money had and received), sende të ndryshme nga paraja (quantum valebat), ose aktivitete punuese (quantum meruit).
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.