- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Planifikimi dhe buxhetimi gjinor i shërbimeve sociale në Bashkinë e Tiranës - Economicus
by, Dr. Teuta Xhindi
Abstrakti
Buxhetimi gjinor është një koncept relativisht i ri jo vetëm në Shqipëri, por edhe për të gjitha vendet e rajonit. Ai synon që, si shpenzimet e buxhetit të shtetit, ashtu edhe të ardhurat e tij, të konsiderojnë nevojat e ndryshme të grave dhe burrave, të vajzave dhe djemve; të integrohet aspekti gjinor si një kategori analize dhe kontrolli në procesin buxhetor; të sigurojë, që buxheti kontribuon në zvogëlimin e pabarazisë gjinore; dhe të realizojë shërbime publike në mënyrë që të rritet barazia gjinore. Shoqëria shqiptare është bërë më e ndjeshme ndaj rritjes së rolit të gruas në të gjitha nivelet e jetës e, sidomos, në rritjen e përfaqësimit të saj në vendimmarrjen politike e publike. Partitë politike po i kthejnë sytë nga gratë, si mekanizmi efikas për të fituar më shumë legjitimitet e vota. Njerëzit flasin hapur dhe nuk janë më tabu problemet familjare, dhuna me bazë gjinore apo dhuna në familje. Programet e shumta të donatorëve të huaj për fuqizimin e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për barazinë gjinore, fuqizimin e rolit të gruas përmes procesit të vendimmarrjes, aksesit të barabartë në arsim, shërbimet sociale dhe shëndetësore, eliminimi i stereotipave gjinore, ndërgjegjësimi për dhunën në familje e jashtë saj, duhet të koordinohen edhe me mbështetjen e paracaktuar financiare në buxhet për gratë. Qëllimi i këtij punimi është të analizojë shërbime specifike sociale, nga një perspektivë gjinore në Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që të sigurojë një paraqitje sado modeste, se çfarë ndodh konkretisht në Bashkinë më të madhe në Shqipëri, si dhe të japë disa rekomandime për përmirësimin e ndjeshmërisë gjinore të buxhetit dhe shërbimeve. Në bashkëpunim me Stafin e Barazisë Gjinore, në Bashkinë e Tiranës është ndërtuar një listë e indikatorëve gjinorë, e cila është përdorur për të monitoruar buxhetin aktual, dhe për të siguruar rekomandime konkrete për buxhetin tjetër afatmesëm në këtë Bashki.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.