- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Paniku bankar dhe ndikimi i tij në likuiditetin e sistemit bankar - Economicus
by, Oltjana ZOTO, Iris KRUJA, Enkeleda XHAKONI
Abstrakti
Qëllimi i këtij kërkimi është vënia e theksit në rolin e madh që luan ndërhyrja dhe mbikëqyrja efektive e sistemit bankar, në parandalimin e falimentimit të bankave. Si mund të menaxhohet paniku bankar dhe pse bankat kanë kujdes që të mos ndodhin situata paniku. Punimi trajton riskun e likuiditetit në sistemin bankar, konkretisht një ndër shkaktarët kryesorë të tij, panikun bankar, dhe se si ai ndikon aktivitetin normal të një banke. Duke qenë se sistemi bankar është një ndër pikat më të forta të ekonomisë së vendit tonë, si dhe gjithmonë i ekspozuar ndaj krizave financiare dhe ekonomike jo vetëm të rajonit, por dhe më gjerë, mendojmë se është me interes të shohim se si, pikërisht, këto kriza kanë ndikuar në sistemin bankar të vendit tonë. Në pjesën e parë është trajtuar risku i likuiditetit në aspektin teorik. Çfarë është paniku bankar dhe si ndikon ai në shfaqjen e problemeve të likuiditetit në një bankë. Në pjesën e dytë shikohet më specifikisht, me raste konkrete, paniku bankar në botë dhe në Shqipëri, krizat me të cilat jemi ballafaquar dhe si janë menaxhuar ato nga Banka Qendrore. Në pjesën e tretë, fokusi është në ndikimin e krizave financiare në likuiditetin e sistemit bankar shqiptar. Çfarë na tregojnë në lidhje me këtë aspekt, raportet e likuiditetit dhe rentabilitetit të sistemit bankar. Së fundi, paraqiten konkluzionet mbi elementët e temës së trajtuar. Hipoteza e punimit është: Paniku bankar ka ndikuar në uljen e likuiditetit të sistemit bankar, duke e ekspozuar atë drejt një risku akoma më të madh, siç është falimentimi. Në realizimin e punimit janë përdorur të dhëna sekondare. Të dhënat konsistojnë në literatura kërkimore dhe studimore të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Pjesa më e madhe e të dhënave janë publikime të Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.