- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Menaxhimi i inovacionit në kompanitë e mëdha në Shqipëri dhe faktorët kushtëzues - Economicus
by, Besarta Vladi
Abstrakt
Inovacioni është kthyer tashmë në faktor kyç për çdo ekonomi apo biznes, që pretendon të përballojë me sukses konkurrencën e ashpër globale. Epoka e ekonomisë së dijes dhe progresi i shpejtë teknologjik, bëjnë që inovacioni të mos jetë më çështje preferenciale, por një domosdoshmëri e panegociueshme, si për ekonomitë në zhvillim, ashtu edhe për ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Biznesi në Shqipëri, si pjesë e ekonomisë së një vendi në zhvillim, ka nevojë emergjente për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë konkurrues. Investimi në teknologji dhe inovacion konsiderohet tashmë, si faktori më i rëndësishëm afatgjatë, i cili garanton qëndrueshmëri dhe sukses. Ky studim synon t’u japë përgjigje pyetjeve bazë kërkimore: Sa ndikojnë faktorët e brendshëm organizativ mbi nivelin e inovacionit në kompanitë e mëdha në Shqipëri? A ndryshon influenca e këtyre faktorëve në varësi të pronësisë dhe llojit të aktivitetit të kompanisë? Kampioni i studimit përfshin 234 kompani të mëdha në Shqipëri. Të dhënat janë grumbulluar përmes plotësimit të pyetësorëve nga menaxherët kryesorë të këtyre kompanive, si menaxherët e burimeve njerëzore, menaxherët e financës, menaxherët e projekteve etj. Analiza faktoriale dhe analiza e regresionit kanë bërë të mundur nxjerrjen e disa rezultateve të rëndësishme statistikore. Së pari, faktorët e brendshëm organizativ rezultojnë të jenë faktorë kushtëzues të nivelit të inovacionit në kompanitë e mëdha që operojnë në vendin tonë. Megjithatë, këta faktorë ndryshojnë me ndryshimin e aktivitetit kryesor të kompanisë (prodhim ose shërbim) dhe llojit të pronësisë së saj (shqiptare ose e huaj/e përbashkët). Rezultatet e këtij studimi, ndihmojnë në identifikimin e barrierave në mjedisin e brendshëm organizativ, për zhvillimin e suksesshëm të inovacionit në kompanitë e mëdha që operojnë në Shqipëri, si dhe nxisin diskutimin për gjetjen e rrugëzgjidhjeve të mundshme dhe minimizimin e këtyre barrierave në të ardhmen.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.