- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Roli i lidershipit në zhvillimin e ndërmarrjeve publike. Posta dhe telekomi i Kosovës (PTK. sha) - Economicus
by, Ilir Bytyci
Abstrakt
Lidershipi është aftësia për të krijuar vizion, kurajo dhe koncepte të reja. Aftësia e çdo lideri është të bashkëpunojë me njerëzit, me grupe të ndryshme, me ndërmarrje dhe të ketë influencë mbi ta. Pra, të kesh njohuri për artin e menaxhimit dhe udhëheqjes do të thotë të njohësh botën në të cilën jeton dhe vepron. Për lidershipin janë dhënë definicione dhe teori të ndryshme nga autorë të ndryshëm. Një përkufizim i përgjithshëm i lidershipit e definon atë si procesin social në të cilin një person mund të marrë ndihmën dhe mbështetjen e të tjerëve në realizimin e një detyre të përbashkët. Në realitet nuk ekziston një ndryshim i madh midis menaxhimit dhe lidershipit, dallimi i tyre është në nivele dhe fokusim. Konfrontimi është se të gjithë liderët nuk janë menaxherë, ashtu si dhe të gjithë menaxherët nuk mund të jenë lider. Duke qenë se lidershipi ka rol vendimtar në zhvillimin qoftë të ndërmarrjeve publike apo private, në këtë kërkim do të analizohet roli dhe ndikimi i lidershipit në zhvillimin e ndërmarrjeve në përgjithësi dhe ndërmarrjeve publike (NP) në veçanti, si dhe do të shpalosen shkaqet e (mos) eficencës së këtyre ndërmarrjeve. Menaxhimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë ka kaluar nëpër shumë faza të ndryshme të zhvillimit. Aktualisht, këto ndërmarrje operojnë si biznese të cilat u ofrojnë shërbime apo produkte publikut dhe kanë për aksionar kryesor, të vetëm, qeverinë e Kosovës. Prandaj, në këtë mjedis të ndryshueshëm global, si asnjëherë, zërat për një lidership efektiv nuk kanë qenë më të fuqishëm se deri më tani. Lidhur me këtë, qeveria, si aksionere duhet të ketë një vizion të qartë për zhvillimin, transformimin dhe kontrollin e ndërmarrjeve publike, në mënyrë që këto ndërmarrje të rrisin vlerën e tyre dhe të jenë konkurruese në treg.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.