- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Lufta kundër evazionit fiskal - Economicus
by, Amarilda Xhaferri
Abstrakt
Krimet financiare përbëjnë veprime të kundërligjshme që cenojnë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar të drejtën e pronësisë private ose publike, të personit juridik apo shtetëror si dhe të drejtat pasurore të mbrojtura me ligj. Në luftën kundër krimit financiar rëndësi kryesore i kushtohet masave parandaluese, që do të thotë ndërtimit të strukturave mbrojtëse specifike për sistemin financiar. Zbulimi i krimit realizohet nëpërmjet kontrollit të dokumentacionit, ligjshmëria e të cilit vlerësohet konform dispozitave ligjore në fuqi. Parandalimi realizohet pikë së pari me kompletimin e kuadrit ligjor. Fshehja e të ardhurave, mospagimi i detyrimeve, mashtrimi me TVSH-në janë disa nga format e krimit financiar. Aktorë të këtyre veprave janë kryesisht njohës të legjislacionit fiskal dhe shpesh shfrytëzojnë vakumet ligjore për të bërë evazion. Kategoria që evidentohet më së shumti janë vetë konsulentët kontabël të shoqërive tregtare, të cilët këshillojnë administratorët duke i çuar drejt evazionit. Qëllimi kryesor i tyre është fshehja e të ardhurave dhe mospagimi i taksave nëpërmjet pasqyrimit të rremë dhe të pasaktë të transaksioneve dhe situatës financiare. Veprimet që ndërmerren zakonisht janë: rritja e shpenzimeve, ulja e fitimit duke deklaruar një bilanc me rezultat financiar negativ. Për këtë arsye, nevojitet të rishikohet vazhdimisht legjislacioni në këtë fushë, veçanërisht ligji “Për shoqëritë tregtare”, në mënyrë që të jetë koherent dhe lehtësisht i zbatueshëm. Veprimtaria e shoqërive tregtare kërkon një rregullim ligjor të përditësuar dhe më të kompletuar, pasi krimi ka evoluar dhe është bërë një strukturë që rritet paralelisht me biznesin. Një risi në këtë drejtim, përbëjnë ndryshimet e fundit në Kodin Penal, në kreun “Veprat penale në sferën e ekonomisë”, të cilat zgjeruan fushën e veprimit të ligjit, për krime që nuk sanksionoheshin pasi nuk parashikoheshin të tilla në ligjin penal. Ky ndryshim përbën inovacion të rëndësishëm për të drejtën shqiptare.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.