- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Transferimi i kapitaleve jashtë Shqipërisë dhe tregu i munguar i kapitaleve - Economicus
by, Elvin Meka
Abstrakt
Transferimi i kapitaleve jashtë Shqipërisë po fillon të tërheqë vëmendjen e politikëbërësve, në kuadër të stimulimit të investimeve në vend dhe promovimit të huadhënies për biznesin vendas, nga ana e bankave tregtare. Lëvizja e pak kohëve më parë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet një rezolute të veçantë për marrjen e masave shtrënguese nga Banka e Shqipërisë, me synim kufizimin e nxjerrjes së kapitalit nga ana e bankave tregtare, gjykohet thjesht deklarative e qëllimmirë, pa ndikim dhe vlerë reale në treg, nëse konsiderohen angazhimet ekonomike, politike dhe strategjike, që Shqipëria ka marrë në arenën ndërkombëtare dhe atë europiane, zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe modelin e saj, shkallën e zhvillimit dhe ndërmjetësimit brenda sistemit dhe tregut financiar, apo sektorit bankar e jobankar në vend. Në kushte të tilla, e në kuadër të një bote gjithnjë e më globale, si dhe nisur nga aspiratat që Shqipëria ka për integrimin e saj të ardhshëm në BE, vendosja e kufizimeve administrative apo në formë tarifash e taksash mbi lëvizjen e lirë të kapitaleve do të ndërlikonte klimën e investimeve të huaja në vend, ndërkohë që ende shumë segmente të tregut financiar, si psh., tregu i kapitaleve dhe letrave me vlerë private mbeten ende të pazhvilluara, duke mos i ofruar kështu bankave dhe subjekteve të tjerë, me teprica të përkohshme kapitalesh, alternativa të tjera të dobishme dhe fitimprurëse në tregun e brendshëm shqiptar. Sa më lart, gjykohet domosdoshmëri nga ana e politikëbërësve dhe institucioneve mbikëqyrëse e rregullatore të sistemit financiar shqiptar, shprehja dhe artikulimi i një vullneti të qartë, në drejtim të rivitalizimit të Bursës së Tiranës dhe thellimit të mëtejshëm të sistemit financiar, pasi vetëm në këtë mënyrë këto segmente të sistemit financiar do të mund të kontribuonin sadopak për zbutjen e një problematike të tillë për ekonominë shqiptare.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.