- by Gersi Mirashi
- January 20, 2023
Roli i termocentraleve në prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri - Economicus
by, Aleks Palnikaj
Abstrakt
Ndërtimi i termocentraleve për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri daton nga viti 1951 me ndërtimin e TEC-it të parë me kapacitet të instaluar 2.9 MW në Tiranë. Në hapat e parë të elektrifikimit të vendit prodhimi i vetëm i energjisë elektrike ishte ai Termo. Në fillim të viteve ‘90 Shqipëria numëronte 7 Termocentrale me një fuqi të instaluar rreth 194 MW të cilët përdornin si lëndë të parë qymyr, mazut, gaz ose solar. Me rritjen e menjëhershme të konsumit të energjisë elektrike në vend në fillim të viteve ‘90, prodhimi me anë të TEC-eve ra në mënyrë drastike. TEC-et në vend filluan të ndalonin prodhimin duke filluar nga TEC-i i Vlorës në vitin 1991 deri tek i fundit ai i Fierit, i cili prodhoi me një kosto shumë të lartë dhe në kushte tejet të amortizuar deri në vitin 2007. Ndalimi i prodhimit të këtyre termocentraleve erdhi si rezultat i amortizimit të skajshëm të tyre dhe teknologjisë së vjetruar e cila sillte kosto të lartë prodhimi dhe ndotje të lartë të ambjentit. Termocentralet në Shqipëri (dhe pse me një kosto prodhimi disa herë më të lartë se prodhimi hidro) kanë shërbyer dhe mund të shërbejnë në disa drejtime: • Për të rritur sigurinë e furnizimit dhe për të mundësuar plotësimin e kërkesës së vendit për energji elektrike. • Për një balancim të ngarkesës së furnizimit me energji elektrike • Për të ulur varësinë nga reshjet e vendit dhe prodhimi hidro. • Për të lejuar një përdorim më efikas të hidroenergjisë. • Etj. Pas një periudhë gati 30-vjeçare kur nuk u ndërtua asnjë vepër e re energjetike më 9 shkurt 2007 u nënshkrua kontrata me kompanine italiane “Maire Engineering” për ndërtimin e një TEC-i të ri në Vlorë me kapacitet të instaluar prej 97 MW. Ky projekt është financuar nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, Banka Europiane e Investimeve si dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare me një vlerë prej 130 milion USD. Ky investim erdhi në një moment aspak të favorshëm për prodhimet Termo pasi çmimi i naftës dhe gazit kishte 2-3 vjet që rritej me ritme të shpejta dhe kjo situatë bëri që projekti i ndërtimit të 3 impianteve me kapacitet 291 MW të reduktohej në një të vetëm me kapacitet 97 MW.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.