[:en]UET “inkubator” i sipërmarrjes, Begolli: Si ndikoi në rrugën time[:]
[:en]
UET “inkubator” i sipërmarrjes, Begolli: Si ndikoi në rrugën time
“Shqipëria ofron mundësi të shumta kur flasim për universitete qoftë shtetërore, qoftë private, por e ndikuar nga kushtet dhe koha që kisha në dispozicion unë e dija që duhet të zgjidhja një universitet që më përshtatej mua në interesat dhe qëllimet e mia, si dhe të përcillte ato vlera që unë kërkoja. Zgjodha UET, pasi e dija që aty do të më ofrohej një cilësi në mësimdhënie dhe do të gjeja përsosmëri intelektuale. Në UET, edhe sot, promovojnë lirinë intelektuale, kuriozitetin dhe angazhimin”, shprehet Valbona.
Kështu, sipërmarrësja e re vendosi që të ndjekë studimet e saj në Universitetin Europian të Tiranës, por sigurisht, si çdo person, biznesi, pritshmëritë e saj ishin të larta.
“UET nuk më zhgënjeu në asnjë moment në pritshmëritë që unë kisha krijuar përpara se të nisja studimet. Eksperienca ime, që prej fillimit dhe deri në përfundim të studimeve të mia, ka qenë surprizuese në aspektin pozitiv. Vazhdimisht unë gjeja motivin e duhur që më nxiste më tepër dëshirën për të studiuar biznesin. Mbi të gjitha vlerësoj faktin që në UET integriteti udhëheq të gjitha përpjekjet dhe angazhimet e stafit.”
Ajo shton se në Universitetin Europian të Tiranës u përball me një qasje sa kritike aq edhe kreative në çdo diskutim që realizohej në auditor; me debat rigoroz e etik dhe me objektiv të menduarin inovativ. “Unë besoja se shkolla do të më jepte njohuritë e duhura, që të përdorja instrumentet e duhura, në mënyrë që biznesi që unë kisha ngritur të ishte edhe më i suksesshëm në treg. Çdo ditë unë zbuloja qasje të ndryshme në mënyrën e konceptimit të sfidave, me të cilat sipërmarrësi përballet”, thekson Valbona.
Investimi i saj përgjatë viteve në zhvillimin e dijes pranë Universitetit Europian të Tiranës ishte thelbësor për suksesin që pasoi në vite. Tregon se një ndër faktorët më të rëndësishëm që ka kontribuuar në këtë aspekt ishte jo vetëm përgatitja e stafit akademik dhe cilësia e mësimdhënies, por edhe mbështetja e tyre sa herë ajo u drejtohej për këshilla.
“Gjatë kohës që unë vazhdoja studimet në UET, administroja edhe biznesin. Pedagogët kanë qenë për mua më së shumti mentorë, për shkak se diskutimet që zhvilloheshin në auditorë ishin tepër të dobishme në aspektin praktik, por edhe për faktin se këshillat e tyre më kanë ndihmuar t’i shoh situatat në biznesin tim me një frymë tjetër”, thotë ajo.
Bazat e forta të marra gjatë viteve të shkollimit në UET kanë bërë që sot Valbona të ketë arritur ta shtrijë sipërmarrjen e saj në fillim modeste, në tri kompani të ndryshme, falë përkushtimit dhe punës së palodhur ndaj pasionit të saj. Për këtë shprehet se është mjaft krenare.
“Sot biznesi im është zhvilluar, janë tri kompani me profile të ndryshme, kompani shërbimi, shitjesh dhe trajnimesh. Sfidat me të cilat jam përballur vitet e fundit kanë qenë të mëdha, por kam fituar më shumë siguri dhe stabilitet në atë që kërkoj nga vetja dhe biznesi.”
E gjithë përvoja ndër vite e ka bindur se vendimi që mori në momentin e kthimit në Shqipëri, për të investuar në formimin e saj akademik në UET, ishte vendimi i duhur.
“UET mund të them me shumë siguri është një ndër universitetet lider, që ka si qëllim përgatitjen për karrierë të studentëve. Përvoja ime në UET më ka ofruar përgatitje të fortë për karrierën. Absolutisht që këto rezultate janë të lidhura me programin mësimor, i cili nxit zhvillimin e studentit në botën e biznesit dhe lidershipit.”
Nisur nga eksperienca e saj u sugjeron me dashamirësi studentëve që të mos e shohin shkollën thjesht si një institucion ku merret një diplomë, por të jenë të vetëdijshëm për mundësitë e shumta që ofrohen për ta dhe të gatshëm për të përfituar prej tyre, në mënyrë që të zhvillohen më tej si në aspektin personal ashtu edhe profesional.
“Unë jam përpjekur të marr maksimumin nga studimet që kam bërë në UET. Në raport me vitet e investuara atje, nuk do të ndryshoja që tjetër veçse faktit që do të kisha dashur më shumë kohë në favorin tim për të përfituar edhe më, nga çdo gjë që UET ofron. Këshilla ime e vetme për studentët e UET është që të shfrytëzojnë në maksimum të gjitha resurset që ky universitet ofron. Të studiojnë shumë fort dhe të bashkëpunojnë me pedagogët intensivisht. Të rrëmbejnë çdo mundësi që UET ofron, ku për hir të së vërtetës janë të shumta”, thotë Valbona.
Ajo thekson se filozofia e këtij universiteti, i cili ka në qendër dijen dhe studentin, bën të mundur që të gjithë ata që e zgjedhin të aftësohen dhe të jenë të përgatitur në përballjen e tyre me tregun e punës.
“Është forca e ndërveprimit me studentët ajo që për mua udhëheq filozofinë e UET. Ndërveprimi universitet-student është në UET më i fortë se në çdo institucion tjetër të arsimit të lartë në vend. Kjo vjen si rezultat i një komunikimi të shkëlqyer që pedagogët kanë me studentët dhe mundësitë që ata u ofrojnë për t’u rritur profesionalisht në të ardhmen. Çdo maturanti që dëshiron të jetë një profesionist i mirë në të ardhmen, që kërkon të studiojë me vendosmëri dhe përgjegjësi, dhe që dëshiron që pas përfundimit të studimeve të ketë një network të pasur, përveç njohurive që ai do të përfitojë duhet të zgjedhë patjetër Universitetin Europian të Tiranës”, shprehet sipërmarrësja e suksesshme, Valbona Begolli.
[:]