
Msc. Anila Zajmi Katanolli
Msc. Anila Zajmi-Katanolli është një artiste dhe pedagoge e njohur si dizajner në fushën e modës dhe arredimit. Gjithashtu ajo njihet si një piktore e spikatur brenda dhe jashte vendit, si edhe kostumografe e shfaqjeve me peshë në disa gjini të skenës, si: teatër, opera, balet, televizion dhe në film. Kritika në veçanti e ka përkufizuar si eksperimentuese e artit dhe traditës, në ripërtëritjen e teknikave të vjetra të trashëgimisë kombëtare si hulumtuese e etnologjisë. Në përgjithësi në veprën e saj Zajmit, i intereson figura e njeriut dhe kjo në ato pozicione e poza të cilat nxjerrin në pah veshjet dhe dekorin e tyre. Ajo frymëzohet dhe pasuron figurat e saj me qëllimin kryesor të pasurimit të koleksionit të saj nga i cili nxjerr me një eksperiencë mjeshtërore e ndërton modele të reja për figurat e saj kostumografike që prej vitesh shoqërojnë shfaqet e operas, teatrit apo sfilatave prezantuese të krijuara prej saj. Punimet e Anilës janë më të plota e të ndryshme e me një origjinalitet por në to ndjen dhe kupton se ajo ka ditur të marrë nga krijimtaria e të atit atë veçanti të cilën ajo e çon më tej, e pikërisht është guximi krijues, ndalja tek motivet dekorative kombëtare dhe vendosja e tyre në një kontekst dhe formë moderne. Punimet e Anilës janë një seri e zgjedhur nga një mori e tërë punimesh të realizuara prej ateliesë së saj “objet d’ art”.