Në kuadër të  “Këshillimit të Karrierës në Komunitet”, projekt i Institutit Europian Pashko, ditën e shtunë u zhvillua në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës një takim me drejtuesit dhe mësuesit e shkollave të mesme për mentorimin dhe orientimin e karrierës së maturantëve.

Në përfundim të gjimnazit, secili prej nesh me siguri që është hasur me plot dilema e pa asnjë ide për të ardhmen, ndoshta kemi përfunduar edhe në ndonjë degë apo profesion që nuk ia kemi parë hajrin. Dhjetra pikëpyetje ngrihen në mendjen tonë.

Nisur nga kjo lind nevoja për këshillim karriere dhe përherë e më shumë kjo merr një vlerë të veçantë, duke e orientuar maturantin të zgjedhë profilin i cili i siguron atij një karrierë të suksesshme në tregun e punës.

Prandaj dhe Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës nisën projektin me trajnime për këshillimin e karrierës së këtyre gjimnazistëve.

Në kuadër të këtij projekti organizohen evente, takime, për të dhënë çmime, por dhe për të promovuar idetë e liberalizmit. Që prej bangave të gjimnazit, nxënësit të cilët janë në prag të marrjes së vendimit për arsimimin e tyre kanë mundësinë të marrin një orientim drejt së ardhmes.

Projekti ka nisur që para dy vjetësh dhe trajnimi i parë është bërë me 105 mësues duke realizuar çertifikatën e parë të mentorshipit. Ndërsa tashmë projekti vjen i ristruktuaruar me një kohëzgjatje 5-vjeçare.

Për dhjetë javë me radhë mësues të gjimnazeve të ndryshme do të marrin pjesë në trajnim duke e finalizuar atë me një çertifikatë përkatëse.

Nëpërmjet këtij projekti synohet që mësuesit të jenë akoma më kompetentë për të drejtuar pjestarët e komunitetit, prindërit dhe maturantët, apo dhe të tjerë në botën e biznesit, në sistemet arsimore shqiptare ose ndërkombëtare, publike apo private në mënyrë sa më profesinale që secili, kohën dhe paratë t’i harxhojnë në mënyrën më efiçente të mundshme.

Le të fillojë trajnimi

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa bëri një krahasim midis vendeve në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara dhe se si ndikonte edukimi në ekonominë e tyre.

“Nëse një vend zhvillohet mbi bazën e kursimit, pra kurse më shumë e si pasojë puno më shumë të çon deri në njëfarë pike dhe ekonomia  ngec. Në ekonomi këtë e quajmë një të ardhur rënëse dhe për pasojë shoqëritë stokohen në atë që quhet kurth i zhvillimit. Ndërsa vendet që e kalojnë këtë kurth ndjekin modelin e investimit. Të bësh “live, love, learning” ka një kthim të lartë dhe vendet që e kanë ndjekur këtë model, ia kanë arritur sot t’ia dalin. Sa më të larta vitet e shkollimit aq më e madhe është dhe rritje ekonomike”, u shpreh Xhepa.

Ndërsa sa i përket reformës në arsim, ai theksoi dy elementë kyç; financimin dhe konkurrencën.

“Ne kemi  financuar në shumë gjëra të tjera dhe jo në arsim. Nëse në sistem nuk ka performancë të lartë atëherë sistemet arsimore nuk kanë arritur të bëjnë rritje”, përfundoi Xhepa.

Përgjegjësi i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Prof. Asoc. Dr. Edi Puka e pa në një tjetër këndvështrim edukimin dhe solli një tjetër panoramë për të pranishmit në sallë. Puka tha se duhen parë aftësitë dhe talenti i nxënësit. Po ashtu ai theksoi se këshillimi i karrierës duhet të nisë shumë më herët, jo vetëm në gjimnaz.

“Duhet të njohim nivelin kulturor të tyre, nga vijnë etj. Duhet të njohim zhvillimin e tij për të njohur nxënësin që më pas do të ndjekë arsimin e lartë. Në shkollat amerikane fëmijët këshillohen për karrierën që në klasë të parë”, u shpreh Puka, teksa theksoi se ka ikur koha kur rolin e këshilluesit e kishte prindi apo shoqëria dhe se është detyra e mësuesit për Këshillimin e Karrierës.

Profesori i Edukimit në Universitetin Europian të Tiranës Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska u shpreh së këshillimi i karrierës është një element kurrikular që lidhet me aftësisë e nxënësve për të marrë vendime dhe për të zgjidhur probleme.

“Nëse nuk i aftësojmë për të zgjidhur probleme pak qytetarë kemi formuar për të zgjidhur probleme kombëtare, apo të botës”, u shpreh ai.

Sipas tij disa elementë janë shumë të rëndësishëm në rrugën që do të ndjekin studentët; përfshirja e këtij aspekti në axhendën e inspektimit në shkollë, vlerësimi i performancës së mësuesve, karta e vlerësimit të performancës së shkollës, roli i mësuesit kujdestar të klasës, këshillimi dhe trajnimi i prindërve, këshillimi prind me prind ose nxënës me nxnënës, si dhe krijimi i “dëshmitarëve” (çdo shkollë mund të ketë Alumnit e vetë).

Dekania e Studentëve në UET, Elsida Sina iu ofroi mësuesve të pranishëm në sallë testin “Gardner” përmes së cilit mund të zbulojnë mjaft elementë të maturantëve dhe nëpërmjet nivelit të inteligjencës mund t’i drejtojnë drejt karrierës së tyre.

“Një person ka shumë veçori, por duhet t’ia vesh në pah nëpërmjet disa dimensioneve. Mua si psikolog, apo kushdo që ta bëjë këtë test inteligjence më lind nevoja ta drejtoj nxënësin drejt profesionit në bazë të inteligjencës së tij”, u shpreh Sina.

Testi Gardner përfshin: inteligjencën gjuhesore, hapsinore, muzikore, logjikomatematikore, vetjake, natyrore, ekzistencialiste, trupore dhe ndërpersonale.

BOX:

Pesë sisteme të arsimit të lartë

Sistemi anglosankson

Sistemi kontinental i Europës Perëndimore

Sistemi privat (me ose pa fitim)

Sistemi shtetëror

Sistemi fetar

Shtatë fusha studimi

Talentet (degë të artit dhe sportit)

Profesionet klasike (mjek, inxhinier, avokat, ekonomist etj.

Profesionet bashkëkohore, por që nuk zgjasin shumë dhe duhet herë pas here të bësh një specializim më tepër

Menaxhimi ose biznesi të cilët të bëjnë që nesër të bësh shumë para pasi mund të hapësh një biznes

Administrata publike, sektori publik, mësuesit, etj

Polici, ushtaraku, shërbimet sekrete etj

Kleri (gati 30 mijë persona në institucionet fetare)

Si të bëj para

Kursimet bankare

Bonot e thesarit

Rroga e lartë

Biznesi i zakonshëm

Vendet e investimeve

Tregjet e reja

Krimi dhe korrupsioni (ku mund të fitosh shumë, por dhe të humbasësh më lehtë)