Shkolla e Humaniteteve, organizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës, mblodhi më Llogara në datat 28-30 maj maturantë, pedagogë e drejtues të universitetit, fitues të Çmimit Kadare, por edhe figura të medias dhe jetës publike.

Luiza Pinderi

Nën ombrellën e tematikës “Si të krijojmë të ardhmen”, gjatë këtyre 3 ditëve, maturantët u njohën nga afër mbi rëndësinë e shkencave humane, morën leksione mbi komunikimin, të folurin në publik, lidershipin dhe sipërmarrjen sociale, si dhe zhvilluan bashkëbisedime me figura të ndryshme të letërsisë dhe medias, duke prekur kështu rrëfime prej eksperiencave konkrete në mjedisin shqiptar.

Maturantët patën gjithashtu mundësinë të zhvillojnë një intervistë kolektive me dy prej fituesve të Çmimit Kadare, një prej çmimeve më të rëndësishme letrare që jepet në Shqipëri, Loer Kume dhe Gani Mehmetaj. Shkrimtaret, në një intervistim pa barriera dhe nën kuriozitetin e të rinjve, prezantuan veten në këndvështrime të reja, të panjohura më parë nga publiku.

Gani Mehmataj: Nga ëndrra për t’u bërë aktor, te takimi me idhullin tim Ismail Kadare

Shkrimtari nga Kosova, Gani Mehmetaj u shpall fitues i Çmimit Kadare 2021 me romanin “Zogjtë e qyqes”, dhënë nga Instituti Europian Pashko. Karrierën e tij e ka nisur si gazetar në gazetën “Rilindja”, me kritika ndaj filmave dhe më pas me shkrime politike. Është marrë një kohë të gjatë me filmin, si drejtor i “Kosova Filmit”, si dhe ka qenë skenarist dhe producent filmash. Para studentëve ai rrëfeu pasionin e tij për kinemanë, ëndrrën për t’u bërë aktor, takimin me idhullin e tij Ismail Kadare, si dhe pasionin për të shkruarin, teksa i këshilloi të lexojnë dhe të thellohen në çështje më serioze.

Në krijimtarinë tuaj, a ju ka preokupuar ideja e së ardhmes, ose çfarë roli ka luajtur kjo pjesë?

Si shumica e shkrimtarëve, edhe unë më shumë jam marrë me të kaluarën, mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja. Edhe në romanin e fundit merrem me të kaluarën, një raport mes serbëve dhe shqiptarëve, pasi të dy kombet do të ballafaqohen me njëri-tjetrin. Fatmirësisht nuk do të ballafaqohen me luftë ose vrasje, por do të duhet të jetojnë me njëri- tjetrin. Edhe në këtë roman përpiqem të bëj një sintetizim të së kaluarës, që të mos përsëriten të njëjtat gabime. Unë e shoh një mundësi tjetër qasjeje ndaj problemit, ndaj brezit të ri, që nuk duhet të kenë më armiqësi dhe të jetojnë në paqe mes tyre.

Çfarë ju frymëzoi juve të shkruanit, cili ishte ai element, apo ngjarje që ju bëri të ditur thirrjen tuaj për të shkruar?

Është një ndjenjë e brendshme, që e ndjen ti dhe që nuk do ta dinë të tjerët. Është diçka që të lë pa gjumë dhe që përpiqesh ta shkruash. Përpos aktrimit, filmit, kam pasur ëndërr edhe letërsinë.  Kam filluar me lajme gazete, pastaj me kritika filmi, jam marrë edhe me drama, pra me të gjitha llojet e shkrimit, deri te romani, arritja më e lartë njerëzore në aspektin e vlerës artistike. Ishte një tundim, një përpjekje që ta sfidoj veten në diçka që është ndryshe nga gazetaria, kritika e filmit dhe drama. E provova veten dhe dola relativisht i suksesshëm.

Cili është libri i parë që keni shkruar?

Libri i parë është kritikë filmi “Magjia e ekranit”. Mbi 30 vjet kam shkruar vetëm për filmin. Ky libër më shumë ka qenë në aspektin e analizave të filmit. Ka qenë formë standarde shkrimi e jam përqendruar në filma të ndryshëm shqiptarë e botërorë. Ka qenë sprova e parë në të bërit e një libri.

Pse keni zgjedhur të shkruani për urrejtjen mes serbëve dhe shqiptarëve?

Unë e kam përjetuar vetë. Romani ka elemente autobiografikë. Kemi qenë dy grupe, pjesa e shqiptarëve dhe pjesa serbe, kolonët, pra të ardhurit. Raportet e brendshme kanë qenë të acaruara, shpesh me shpërthime.

Pse romanin “Zogjtë e qyqes” e bëtë libër dhe jo film?

Në fakt e kam edhe libër edhe skenar filmi. Romanin mund ta bësh me pak lekë dhe për filmin duhen më shumë lekë. Zakonisht as shteti i Shqipërisë dhe as ai i Kosovës nuk kanë aq shumë lekë, që të prodhojnë filma sa duhet ose sa kemi nevojë. Kjo është arsyeja.

Në jetën tuaj keni pasur ndonjë shembull që e keni ndjekur, ose ndonjë idhull?

Kam pasur shumë idhuj. Kur isha i ri më shumë kisha idhuj këngëtarët të viteve ’70, si Tom Jones etj., po ashtu edhe aktorë. Madje kam pasur ëndërr që të bëhem aktor, por gjithmonë kisha frikën a do të jem i suksesshëm, sepse nëse do të qëlloja aktor i mesëm apo dështak, atëherë dështonte edhe jeta. Kam pasur frikë ta sprovoja veten, por tani kohë pas kohe e sprovoj para pasyrës. Ismail Kadarenë e kam idhull që nga rinia, edhe në formën e shkrimit, edhe të suksesit. Nga shkrimtarët  e huaj kam Hemiguej dhe Remark. Edhe në moshën time, prapë kam idhuj.

Keni shkruar pothuajse 25 vepra. Cilën prej tyre do të veçonit dhe pse?

Romani më i mirë mendoj se është “Zhvarrimi”. Po ashtu do vlerësoja edhe “Zogjtë e qyqes”. Kam frikë se do i hyj në hak edhe romanit “Kalorësit e Dardanisë”, të cilin kam menduar ta bëj spektakël filmi. Është një zhanër që ne nuk e kemi as në letërsi as në filma. Do të ishte një film i tipit të filmit “Skënderbeu”, pasi filma të tjerë historik ne nuk kemi. Kjo është një temë e veçantë. Është miti për 500 kalorësit e Dardanisë që kanë luftuar në shekullin e parë të epokës sonë, në gjysmën e Evropës. Nuk ka qenë obligim nacional, por ka qenë një obligim nga Perandoria Romake që të ndihmojë në pushtimin e territoreve evropiane. Është miti për kalorësit e Dardanisë. Shteti i Dardanisë ka qenë i fuqishëm në atë kohë dhe duhet të çonte 500 kalorës. Nga ajo që kam lexuar, unë kam krijuar mitin për ta,  njëlloj si për Skënderbeun.

A keni pasur synim Çmimin Kadare kur e keni shkruar romanin “Zogjtë e qyqes”?

Të jem i sinqertë, krejt rastësisht ka qenë konkurrimi. Kam pasur besim, se nëse do të kenë durim juria ta lexojnë 15 faqet e para, të cilat i kam dërguar fillimisht, kam qenë i sigurt që do ta fitoj. Kur e kam parë lajmin në gazetë, natyrisht ka qenë befasi, një gëzim i madh dhe i papritur. Asnjë prej anëtarëve të jurisë nuk e kam njohur personalisht, vetëm si emra publikë apo kam lexuar shkrimet e tyre. Ata e pëlqyen romanin tim, e vlerësuan, gjë që ishte shumë e mirë për mua. Kam marrë edhe një çmim tjetër në Prishtinë për romanin “Zhvarrimi”, i cili është për Gjergj Kastriotin dhe Pjetër Bogdanin, dy personalitete historike, që jam përpjekur në aspektin artistik të sjell mitin për varrin dhe zhvarrimin. Çmimi Kadare është i dyti, edhe më i rëndësishmi për shkak të vendit që zë në letërsinë shqiptare.

Kur e ke takuar për herë të parë dhe të fundit Ismail Kadarenë, meqenëse u bërë edhe fitues i çmimit që mban emrin e tij?

Kadarenë e kam takuar për herë të parë në vitin 1980 në Prishtinë, ishte rastësi. Ai erdhi me gruan e vet, Helena Kadare pasi do të botoheshin komplet librat e tij. Njëkohësisht tek ne erdhi një gjysmë informacioni se do të bëhej film me Michel Piccoli dhe Marcelo Mastroianni, në rolin kryesor të priftit dhe gjeneralit. E kisha obligim nga redaksia ta kontaktoja, e takova dhe biseduam pikërisht për këtë çështje. Ai ishte nga Shqipëria dhe në atë kohë shërbimi sekret jugosllav e kishte nën mbikëqyrje dhe unë e kisha frikën e asaj mbikëqyrje.

Megjithatë ishte një takim emocionues, pasi unë e kisha idhull. Biseduam kryesisht për filmin, për Michel Piccoli, për Marcelo Mastroianni, për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në pika të shkurtra sigurisht, pasi as ai nuk jepte shumë informacione, ose kishte rezerva meqenëse ende nuk ishte bërë filmi. Mandej filmi nuk u bë pas skandalit në Shqipëri, të cilët refuzuan ekipin e filmit franko-italian.

Kontakti i dytë ishte në vitin 2014. Patëm një bisedë pak më të gjerë, mbi një orë, me tema nga më të ndryshmet, nga ato politike, tema të cilat unë i trajtoj, por që edhe ai i kishte trajtuar më herët. Unë në atë kohë isha kritik ndaj disa qëndrimeve të tij. Në vitet ’98- ’99, Kadare merr një informacion të gabuar ndaj Ibrahim Rugovës, i cili ishte president i Kosovës, ndërsa mendonte se ishte shumë i butë dhe duhej ta radikalizonte çështjen e konfliktit me Serbinë. Unë isha te grupi i njerëzve që mendoja se nuk duhet ta bënte. Unë kisha bërë disa shkrime kritike ndaj Kadaresë. Kur u takuam në vitin 2014, ai më tha se kishte gabuar dhe i kishte kërkuar falje Ibrahim Rugovës.

A jeni krenar për atë që keni arritur sot?

Është vështirë të thuhet. Jam pjesërisht i kënaqur me atë që kam arritur, por besoj që kam shumë vjet që ta plotësoj ëndrrën time, atë që synoj të arrij. Jam krenar me punën time, nuk them me atë sesa jam i suksesshëm.

Loer Kume, stomatologu që bën letërsi: Ta jetosh jetën mes shumë pasionesh

Loer Kume, një emër i ri në letërsinë shqipe, u shpall fitues i Çmimit Kadare në vitin 2019 me librin e tij me tregime “Amygdala Mandala”. Teksa në përditshmëri ushtron profesionin e stomatologut, Kume tregoi para maturantëve se jeta e tij ndahet mes shumë pasionesh, për muzikën, pikturën, letërsinë, për vetë faktin se vjen edhe nga një familje artistësh. Ai i këshilloi studentët që për të qenë të suksesshëm duhet të lexojnë për të zhvilluar fantazinë, e cila përkthehet më tej në vizione, falë të cilave gjërat ecin para dhe ndryshojnë.

“Unë këmbëngul që është shumë i rëndësishëm zhvillimi i fantazisë përmes leximit. Njohja e muzikës, pikturës, arteve janë të dobishme. Sidomos njohja e muzikës, pasi ajo nga godet qendra që ne nuk e dimë që i kemi, ajo na zhvillon”, u shpreh ndër të tjera Kume.

Në çfarë moshe keni filluar të shkruani dhe cili është autori juaj i preferuar?

Shkrimet e mia të para kanë qenë sapo kam filluar të shkruaj. Pastaj u shkëputa dhe u riktheva duke shkruar tekste këngësh, pasi pasioni im i madh ka qenë muzika. Kam pasur grupe muzikore, kompozoja, bëja muzik, dhe fillova të shkruaja tekste këngësh. Më pas kalova në prozë poetike dhe në skica tregimesh. Tashmë nuk kam shkrimtarë të preferuar, pasi unë lexoj prej shumë vitesh dhe tashmë lexoj për punë, jo për qejf, që do të thotë se lexoj gjithçka, sepse mësoj, mësoj stilin. Kam gjetur kënaqësi të madhe në leximin e Borges, Kazanzaqis, i merrja me vete. Vazhdimisht habitem në letërsi, nuk mbaron kurrë kjo ndjenjë.

Çfarë ju frymëzon të shkruani një libër dhe cili nga librat tuaj është më i pëlqyeri?

Nuk bëj dallime, të tërë librat e mi më kanë brenda mua dhe asnjë nuk ngjan me njëri-tjetrin. Nuk mund të kenë as shenjë barazimi dhe as shenjë krahasimi mes tyre, pasi secili shpreh diçka të ndryshme.

Aktualisht materiali që po shkruaj dhe jam drejt përfundimit, më ka frymëzuar vdekja e një njeriu, por jo vdekja e saj më shumë sesa jeta e saj. Nuk ka rëndësi shumë vdekja jonë, por jeta, pasi ajo mbetet. Ne jemi ndoshta kafshët më lehtësisht të vdekshme, por gjërat që bëjmë në jetë është ajo që i jep rëndësi ekzistencës sonë, mënyrës sesi e drejtojmë jetën. Kjo ngjan si parimore, por ama është e vërteta. Vdekjen nuk e kontrollojmë dot, por ama mund të kontrollojmë jetën. Njeriu është i jetshëm, jo i vdekshëm!

Cili është kuptimi i “Amygdala Mandala” dhe pse zgjodhët pikërisht këtë titull?

Kur unë krijova dhe botova “Lux”, librin tim të parë me tregime, ideja ime ishte ideja e një libri koncept. Sepse nuk ishte ideja që të shkruaja tregime dhe t’i botoja, por duhet të kishte një fill, duhet të kishte një ide qendrore dhe sigurisht pastaj gjithë këto idetë qendrore të tregimeve. Në “Lux” unë zgjodha konceptin e dritës, sepse të gjitha tregimet i lidhte filli i dritës dhe secili prej tyre kishte dritë brenda, në një formë apo në një tjetër.

Rasti i “Amygdala Mandala” është i njëjti. Pasi kisha totalin e tregimeve që do të konkurroja, nuk po gjeja lidhjen. Ishte tamam si epifami, sikur të godet ajo ideja. U ula në tavolinë dhe thashë këtu duhet edhe një krijesë, që është totalisht e imja, sajesë e imja. Duhet të ishte futur te ajo “Libri i qenive imagjinare” të Borgesit, por nuk është futur dhe që quhej Amygdala Mandala. Amygdala janë qendra nervore në formë lajthie që gjenden ne tru dhe që përgjigjen për impulset tona më bazike, për frikën dhe të gjitha reaksionet që çlirohen nga frika, për ato impulset bazë, më primitivet. Mandalat janë simbole në fetë orientale në përgjithësi, por sidomos në atë hindu, që nga një pikë fillon hapja e rrathëve koncentrikë. Ideja e Mandalës është Zoti, pra çdo pikë mund të jetë Zoti dhe Zoti është i kudondodhur. Nga Amigdala përhapen këta rrathët koncentrikë dhe futen në gjithçka dhe marrin e japin informacion ndaj gjithçkaje. Amigdala Mandala, kjo krijesa e çuditshme është në të gjitha tregimet e tjera brenda librit.

Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni me anë të këtij libri?

Nuk kam dashur të jap asnjë mesazh. Kur unë distancohem nga të qenit shkrimtar, e shoh veten si medium, si ai njeriu që lidh sytë dhe lëshohet dhe diku do të përfundojë. Padyshim që kjo do një strukturë, do diçka të mirë menduar, pasi nuk mund të shkosh kuturu. Gjëja që urrej më shumë ne letërsi është didaktizmi, kur t’i nis të shkruash me idenë që do të japësh një mesazh apo një mësim. Nëse do të kisha bërë këtë gjënë, nuk do të isha këtu me ju.

Sa të vështirë e patët për të vendosur se çfarë do të studionit në universitet?

Vij nga një familje artistësh dhe në fakt ka qenë një moment, një batutë e hallës sime që më ka ndikuar. Nuk më ndikuan shumë, por më thanë diçka: “artin mund ta bësh edhe pasi të jesh i siguruar. Ndërsa që të sigurohesh, duke ndjekur rrugën artistike në Shqipëri është tmerrësisht e vështirë, po ashtu edhe në botë. Ka shumë konjuktura, pengesa, ngërçe që të kapin rrugës”. Zgjodha rrugën e gjatë por të shëndetshme. Konkurrova për Mjekësi, Stomatologji, Juridik dhe Shkenca Sociale.

Si është ndërthurur jeta juaj profesionale, si stomatolog, me dëshirën për të shkruar?

Profesioni im më jep gjithë kohën e mjaftueshme që t’i dedikohem pasionit tim. Unë e kam zgjedhur profesionin qëllimisht. Pasioni im ishte drejtësia, por hoqa dorë nga ai pasion, sakrifikova për stomatologjinë, për arsye se jam më në kontroll të kohës sime dhe të mendjes sime.

Profesionet që të japin liri të mendjes janë shumë të pakta dhe mua më duhej liri e mendjes pasi kjo është gjëja më esenciale për mua. Profesioni më jep të ardhurat e mjaftueshme për të jetuar, më jep kontrollin mbi kohën, më jep kontakt me njerëzit nga të cilët unë marr histori pafund.

A mund të bëni një renditje të gjërave në jetën tuaj, nga ajo më e rëndësishmja tek ajo më pak e tillë?

Unë jam grumbullues i madh. Të gjitha gjërat janë të rëndësishme për mua. Jam i lidhur pas gjërave fizike, jo në sensin material, por në sensin emocional. Jam i lidhur pas gjërave që më sjellin kujtime, jo pas gjërave që më bëjnë të ndjehem i plotësuar.

Sa ju ka mbështetur familja në zgjedhjet që keni bërë gjatë jetës?

Unë doja të isha rock star, por nuk më lanë. Doja të mësoja kitarën. Kam pasur gjithmonë bindjen tek talenti im letrar dhe nuk është vënë në diskutim kjo gjë. Më kanë lënë në rrugën time dhe më kanë lënë të kuptoj që kanë besim tek unë. Sigurisht, pak kontroll dhe orientim duhet në informacion, sepse çdo prind e di ku i ka prirjet fëmija, ku mund të japë. Megjithatë çdo njeri mund të japë kudo besoj.

Në fillim ishit fitues i Çmimit Kadare dhe më pas pjesë e jurisë që jep këtë çmim. Si ishte të vlerësonit Z.Gani Mehmetaj?

Kur ishim në mbledhje secili prej anëtarëve e kishte vendosur paraprakisht që do të ishte fitues Mehmetaj. Ishte një vendim unanim. Vendosëm pa diskutim për të, për shkak vetë vlerave artistike, për stabilitetin në shkrim, për posturën që ka.