UET ‘hedh kapelet’ e brezit 2021, lançon projektin e ri të zhvillimit

Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi të enjten (15 korrik) ceremoninë e diplomimit të studentëve të vitit akademik 2020-2021, vit që përkon me 15 vjetorin e themelimit të këtij institucioni polivalent të arsimit të lartë. Pas shkëputjes nga pandemia e COVID-19, e cila kufizoi jetën njerëzore në shumë aspekte, ashtu si edhe jetën akademike e studentore, UET riktheu këtë traditë të kurorëzimit të suksesit, arritjeve e përpjekjeve të studentëve dhe stafit akademik, me synimin e qartë dhe të vetëm:  për të dhënë dhe arritur më të mirën.

Të diplomuarit nga 5 fakultetet e UET-së, patën mundësinë të marrin vlerësimet dhe urimet e përfaqësuesve më të lartë të UET-së dhe pedagogëve të tyre, si dhe të përjetojnë mes shumë emocionesh hedhjen e kapelës, si një moment festimi, për një fazë jetësore që mbyllet me sukses, duke diktuar një rrugëtim më të gjatë profesional. E ndërsa vitet kalojnë dhe UET vulos emrin e tij në historinë e arsimit të lartë shqiptar, dinamizma të reja shfaqen në sfond, bashkë me përkushtimin dhe dëshirën për të qenë gjithmonë të parët dhe për të sjellë sërish e vazhdimisht gjëra të mëdha për Shqipërinë.

Në fjalën e tij, presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa tha se prej 13 vitesh që UET ka ndarë diplomat e para, më shumë se 15 mijë ekonomistë, juristë, inxhinierë, profesionistë të të gjitha fushave të dijes, kanë zgjedhur të ndërtojnë karrierën e tyre të ardhshme duke u formuar pranë UET. Për këtë arsye, ai falenderoi gjithë të rinjtë që ia kanë besuar formimin profesional dhe të ardhmen UET-së. Më tej, Xhepa lançoi projektin e zhvillimit, i cili përfshin partneritetin me Kolegjin Profesional të Tiranës dhe zhvendosjen në kampusin tjetër.

“Jemi duke realizuar edhe një hap tjetër të rëndësishëm, atë të zhvendosjes drejt një kampusi të ri universitar, i cili plotëson nevojat më të përshtatshme të zhvillimit institucional. Deri në përfundim të kampusit të ri, universiteti do të vazhdojë të funksionojë në ambientet e simotrës së vet, Kolegjit Profesional të Tiranës, që bëhet zgjatim i universitetit tonë. Ky partneritet i ri, jo vetëm që rrit qëndrueshmërinë tonë të universitetit, por njëherësh zgjeron mundësitë e zgjedhjes së studentëve, pasi portofoli ynë do të përfshijë në këtë mënyrë, të gjithë ciklin e studimeve, që ndjekin pas shkollës së mesme, nga diplomat e formimit profesional, deri te studimet doktorale, që janë niveli më i lartë i studimeve akademike. Duke u rilokuar në premisa të reja, universiteti ynë do të kontribuojë në zgjerimet e jetës sociale të kryeqytetit, duke përçuar vlerat më të mira që ne kemi krijuar ndër vite. Ekosistemi që krijon UET, kudo ku janë vendosur, janë themelore, jo vetëm për suksesin tuaj, por edhe një model për komunitetin ku ne punojmë”, deklaroi Xhepa.

Kjo ceremoni diplomimi ishte një ngjarje e veçantë, sepse shenjoi diplomimin e brezit të parë të diplomave të reja, të programeve që u hapën në vitin akademik 2018- 2019. Në këtë vit, 3 fakulteteve të UET-së, iu shtuan 2 fakultete të reja, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike dhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, duke e bërë kështu një institucion të përplotësuar në ofertën e vet akademike, me më shumë mundësi studimi për të rinjtë.

Ceremonia u shoqërua me përshëndetjen e rektorit aktual të UET-së, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, si dhe rektorit të parë të këtij institucioni Prof. Dr. Ferit Duka, si dhe ish-rektores Dr. Nevila Nika. Disa studentë, ndanë gjithashtu, emocionet e tyre, rrugëtimin e 3 viteve dhe shpresën për të qenë po kaq të suksesshëm në jetë, sa ishin në auditorë. UET solli në këtë ceremoni dy figura të njohura, të sipërmarrjes dhe jetës publike, për të dhënë mesazhe frymëzimi dhe kurajoje për studentët, në nisje të një rrugëtimi të ri jetësor.

Commencement speech

Aksioneri kryesor i ONE Comunication, Elvin Guri, një investitor dhe sipërmarrës me përvojë 25 vjeçare, i cili e ka përqendruar veprimtarinë e tij në ndërmarrje industriale, kujtoi për studentët periudhën kur ai ishte në të njëjtën moshë dhe gjendej mes humë pikëpyetjeve për jetën dhe të ardhmen. Tashmë që ai gjetur veten dhe u ka dhënë përgjgije të gjithave pyetjeve që rëndodnin në kokën e tij, është në gjendje të udhëzojë të rinjtë,që vetëm nëpërmejt punës dhe përgatitjes do të zbulojnë dhe ndjekin rrugën së cilës i përkasin.

Nga ana tjetër, gazetari dhe analisti i njohur, Baton Haxhiu zgjodhi të mbante një fjalim para studentëve të titulluar “Pse nuk duhet ta lini Shqipërinë”, duke prekur kështu një çështje përvëluese, që djeg sa herë që bëhet temë diskutimi. “Ky është vendi më i bukur, që mund të përjetoni dhe e shijoni në jetën tuaj”, tha Haxhiu, duke shtuar se largimi do të ishte një nisje e gabuar e jetës. “Po ju them me bindje, se Shqipëria ka nevojë për ju, ju i duheni Shqipërisë dhe do ta bëni më të mirë, nëse e shijoni atë në veçantitë e saj”, tha ndër të tjera gazetari, i cili rrëfeu se me profesionin e tij kishte pasur mundësi të zgjidhte në shumë vende të Evropës dhe botës, por qëndroi në Shqipëri, për të kontribuar për të dhe shqiptarët që e duan.

Mbyllet kështu një tjetër vit akademik, me shumë peripeci, të diktuara kryesisht nga pandemia. Kufizimet dhe masat e marra për ruajtjen e jetës, lindën nevojën e përshtatjes me sisteme dhe mënyra të reja të shkëmbimit të dijes dhe aftësimit profesional. Aty ku qëndron vullneti dhe dëshira, shkërmoqet pamundësia. Me shpresën e ditëve më mira për shoqërinë shqiptare, UET vijon përpara, frymëzues dhe novator, sepse gjëra të mëdha na presin!