Universiteti Europian i Tiranës po zhvillon një festival takimesh në pesë nga qytetet më të mëdha në Shqipëri. Aktivitetet vijnë në kuadër të panairit work&study dhe kanë në fokus orientimin dhe këshillimin e maturantëve për të bërë zgjedhjen e duhur në ndjekjen e studimeve të larta.

Pas një viti të vështirë, që pamundësoi zhvillimin e aktiviteteve në mënyrë të plotë për informimin dhe këshillimin e maturantëve, ky vit rikthen frymëmarrjen e dikurshme, por tashmë me më shumë energji dhe alternativa të reja. Rikthimi i panairit work&study, ‘zbret’ në qytetet e Shqipërisë universitetet private e publike, për të prezantuar para stafeve të shkollave dhe gjimnazistëve alternativat e tyre akademike. Universiteti Europian i Tiranës po zhvillon një sërë aktivitetesh, duke filluar nga forumi Universitet- Gjimnaz, public speaking, testi Garden, për ta përmbyllur me aktivitete të ndryshme argëtuese dhe muzikore.

Festivali i takimeve është planifikuar të zhvillohet në 5 qytete, ku deri më tani është përmbyllur me sukses në dy qytete, Vlorë dhe Shkodër, përkatësisht në datat 19 dhe 21 maj. Aktiviteti i radhës do të zhvillohet në qytetin e Korçës në datën 26 maj, për të vijuar në Elbasan në 28 maj dhe për t’u përmbyllur me një organizim dyditor në Tiranë, në datat 29 maj dhe 1 qershor.

UET ka një eksperience mbi 15-vjeçare në tregun e arsimit dhe të punës, e tashmë është një matës dhe studiues i fenomeneve të ndryshme, falë edhe kërkimeve që zhvillohen. Nga eksperienca e këtyre viteve, ajo që është vënë dhe që i mëshohet më shumë, është pjesa e të punuarit me gjimnazistët apo maturantët, në mënyrë që falë ndihmës që mund t’iu jepet nga shkollat ku studiojnë në bashkëpunim me universitetet, të jenë në gjendje të zbulojnë degën për të cilën kanë më shumë prirje dhe të mos zgjedhin një degë, të ndikuar nga shoqëria apo familja, dhe pas disa vitesh të mos e gjejnë veten aty, duke u detyruar të nisin një shkollë të dytë, apo të bëjnë një punë që s’ka lidhje me studimin e kryer. Të gjitha këto përkthehen në kosto, jo vetëm financiare, por edhe psikologjike.

Për t’iu paraprirë të gjitha këtyre zhvillimeve, jo më kot, UET këmbëngul dhe e përsërit vazhdimisht në forumet apo instancat për arsimin e lartë, që këshillimi i karrierës është shumë i rëndësishëm për maturantët, dhe institucionet parauniversitare duhet të bashkëpunojnë me institucionet e arsimit të lartë, në mënyrë që këta të fundit të marrin individë të vetëdijshëm, të bindur në zgjedhjen e tyre, për të përgatitur më pas kuadro të aftë, që të nesërmen do t’i shërbejnë interesave që kërkon vendi dhe zhvillimi shoqëror. Baza e veprimit dhe reformimit fillon nga informimi. Maturantët duhet të njohin së pari dëshirat dhe interesat e veta, e më pas të njohin dhe të informohen për të zgjedhur ato institucione që plotëson më së miri kërkesat dhe synimet që kanë.

Kështu që në kuadër të këtij qëllimi madhor, UET po zhvillon në këto qytete disa aktivitete, që shihen të nevojshme dhe dobiprurëse për maturantët, në mënyrë që të ata që janë të pavendosur të qartësohen dhe zgjidhin dilemën me veten, e ndërsa ata që ende nuk e dinë ku të studiojnë, të njohin me ofertën akademike që ofron UET.

Forumi Universitet-Gjimnaz

Ky forum zhvillohet prej vitesh në UET dhe tashmë është kthyer në një traditë. Përfaqësuesit e tij zhvillojnë takime me drejtues dhe mësues të shkollave të mesme për këshillimin e karrierës në komunitet, ku i informojnë mbi programet e ofruara dhe diskutohet mbi atë se çfarë mund të bëhet më mirë në këtë drejtim, për të qenë sa më afër të rinjve.

Nga viti në vit, në këto forume janë diskutuar çështje të ndryshme thelbësore të arsimit parauniversitar dhe janë hedhur propozime që kanë kontribuuar më tej në zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Në startimin që u bë në qytetin e Vlorës me drejtues të shkollave të mesme publike dhe private të këtij qyteti, përveç pedagogëve dhe drejtuesve të departamenteve, ishte i pranishëm edhe presidenti i UET-së, Selami Xhepa. Ndërsa rektori i UET, Tonin Gjuraj dhe zv/rektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, Drita Kruja, së bashku me pedagogë të tjerë, ishin të pranishëm në takimin vijues në Shkodër.

Përveç prezantimit të programeve, cilësisë së mësimdhënies, e cila së bashku me kurrikulat dhe lëndët po shkon drejt ndërkombëtarizimit, stafit akademik të përzgjedhur, u fol edhe për projektin që UET synon të realizojë në bashkëpunim me Institutin Europian Pashko. Ky projekt ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit me shkollat e mesme në veçanti, pasi shihen si target grupi kryesor ku bashkëpunimi është i domosdoshëm, në mënyrë që zhvillimi personal e akademik i nisur në këto institucione, të vijojë në të njëjtën linjë edhe në universitete.

UET është kthyer në një brand name i dalluar në Shqipëri dhe më gjerë, i cili me kalimin e kohës është deiversifikuar. Veç programeve tradicionale që ka pasur që prej fillimit në shkencat shoqërore, në ekonomi, juridik, shkencat politike, të komunikimit, etj. janë zhvilluar edhe shkencat e infermierisë dhe mjekësisë teknike, duke marrë shkas edhe nga prirjet që ka tregu i punës jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë.

I rëndësishëm është edhe fakti, që UET zhvillon në ambientet e tij herë pas herë forume apo takime në formë trajnimesh apo leksionesh të hapura, ku sillen në vëmendje problematika të ndryshme të arsimit në Shqipëri dhe diskutohet mbi atë se çfarë duhet të përmirësohet më tej.

Public speaking me maturantët

Të folurit në publik shihet si një pjesë e rëndësishme, që nevojitet jo vetëm në programet që kanë të bëjnë me komunikimin, por në çdo fushë, profesion që përfshin ndërveprimin njerëzor. Për sa kohë tjetri si nocion është pjesë e jetës së gjithsecilit, domosdoshmërisht futet në mes komunikimi, i cili në vetvete nuk përfshin vetëm faktin e transmetimit të një mesazhi. Komunikimi është art dhe të dish të komunikosh duhet ta mësosh këtë art, duhet të mësosh teknikat e duhura për të qenë i dëgjueshëm dhe bindës, e nga ana tjetër të njohësh audiencën të cilës duhet t’i flasësh. Përveç mesazhit futen në lojë elementë të tjerë, ndërtimi i karakterit, kompetenca, karizma, në mënyrë që të jesh i pëlqyeshëm nga audienca. Padyshim që logjika, argumenti janë të rëndësishëm, por në këtë puzzle futet edhe mjeti i ndërlidhjes emocionale.

Departamenti i Komunikimit në UET ka nisur këtë vit një trajtim-konkurs për maturantët mbi artin e të folurit në publik, i cili është zhvilluar kryesisht me disa nga shkollat e kryeqytetit. Maturantët pasi trajnohen nga pedagogë të këtij departamenti mbi bindjen dhe të folurin në publik, demonstrojnë aftësitë e tyre nëpërmjet një eseje që prezantohet para një jurie dhe në fund përzgjidhet fituesi, të cilit i ofrohet edhe bursë.

Ky aktivitet është zgjeruar edhe më tej, duke dalë jashtë auditorëve të UET-së dhe gjimnazeve të Tiranës, për t’iu dhënë mundësi maturantëve në qytete të marrin njohuritë themelore dhe të trajnohen mbi të folurin në publik, një proces që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.

Gjej degën sipas tipit që je

Shpesh dyzimi i më i madh i maturantëve për zgjedhjen e degëve të studimit, është pamundësia për të kuptuar aftësitë personale dhe profesionin që të përshtatet më tepër. Maturantët e marrin vendimin e tyre duke u ndikuar nga rrethi familjar dhe shoqëror, mbi perceptimet apo vlerësimet që qarkullojnë. Të shtyrë nga ky presion, ata vetëm pasi nisin një program, fillojnë të kuptojnë pak nga pak se nuk gjejnë veten në zgjedhjen e tyre, duke u detyruar të bëjnë një zgjedhje të dytë.

Pjesë e këshillimit të karrierës së maturantëve, përveç informimit mbi tregun e punës dhe programet që ofrojnë institucionet e arsimit të lartë, është edhe zbulimi i aftësive që kanë studentët, në përputhje me personalitetin e tyre. Në këtë kuadër, UET po aplikon testin Garden, për të ndihmuar maturantët të kuptojnë se çfarë program studimi u përshtatet me personalitetin.

Zyra e Këshillimit të Karrierës dhe Pedagogët e UET gjatë aktiviteteve dhe takimeve të zhvilluara në qytete, po iu ofrojnë maturantëve mundësinë e realizimit të këtij testi, në mënyrë që kuptojnë aspekte të pazbuluara te vetja më herët, apo që nuk janë vënë në pah nga mësuesit e tyre, në mënyrë që gjithë aftësitë, energjinë, fokusin e tyre ta kthejnë drejt asaj që munden të bëjnë më mirë. Vetëm kështu, duke bërë gjënë që duan, do të kontribuojnë në profesionalizmin dhe lumturinë e tyre.

Argëtim dhe muzikë me UET

Ky është një aspekt që nuk mungon kurrë në Universitetin Europian të Tiranës, pasi janë të shpeshta koncertet apo shfaqjet që realizojnë studentët. Nuk është e rëndësishme të jesh profesionist apo të studiosh për arte, mjafton që të kesh pasion dhe ti gjen hapësirën e duhur për të shprehur frymëzimin tënd. Së fundi, studentë nga të gjitha fakultetet e UET-së, realizuan një koncert me këngë shqiptare dhe të huaja, në 3-vjetorin e krijimit të UET Band.

Panairi work&study ka bërë që një pjesë e shpirtit festiv të UET-së të zhvendoset në këto qytete, që bashkë me informimin, edukimin, mos mungojë as argëtimi, ky aspekt i gëzimit të shpirtit njerëzor.