10 të nominuar nga brezi i tretë i të diplomuarave, Shpat Kolgega merr Çmimin e Karrierës UET 2021

“Suksesi i çdo shkolle mund të matet me kontributin që Alumni jep në jetën tonë kombëtare”. Kështu do të shprehej në shtator të vitit 1946, presidenti amerikan John F. Kennedy, gjatë fjalimit të tij në një përvjetor të shkollës private, Choate në Wallingford.

Pavarësisht viteve, zhvillimeve apo transformimeve që mund të ketë pësuar shoqëria, pasuria njerëzore mbetet e pazëvendësueshme. Thënia e presidentit amerikan është po aq aktuale, po aq me vlerë dhe po aq kumbuese, sa mund të ketë tingëlluar para 75 vitesh. Institucionet arsimore ku marrim dijen dhe formimin profesional, mbeten gjithmonë një ‘vulë’ e jetëshkrimit dhe rrugëtimit tonë profesional.

Universiteti Europian i Tiranës ka qenë pioner edhe në këtë aspekt, ashtu si edhe në shumë zhvillime të tjera universitare dhe arsimore. Pavarësisht se kishte rreth 4 vite krijim, i dha një vëmendje të veçantë studentëve që dilnin nga auditorët dhe pozicionoheshin në tregun epunës, duke kontribuar në fusha të ndryshme. Në 13 maj të vitit 2010, u themelua shoqata “UET ALUMNI”, një organizëm që mban kontakte me ish-studentët dhe ndjek në vazhdimësi ecurinë e karrierës së tyre,  brenda dhe jashtë vendit. Ndër vite shoqata ka pasur disa drejtues, duke filluar nga Rudin Lala, Ervin Saljani më tej, Eneda Tarifa dhe aktualisht drejtohet nga Adela Danaj.

Gjithashtu, prej vitit 2013, “UET ALUMNI” akordon çdo vit “Çmimin e Karrierës”, fituesit e të cilit janë ish-studentë të formimeve të ndryshme profesionale, që kanë bërë karrierë dhe janë të mirë pozicionuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Në këtë vit, të nominuarit për këtë çmim ishin nga brezi i tretë i të diplomuarave, gjatë viteve 2008- 2011. Lehtësimi i masave dhe përmirësimi i situatës pandemike, krijoi mundësinë e zhvillimit të aktivitetit me prani të konsiderueshme të ish-studentëve dhe pedagogëve të UET-së, duke rikujtuar kështu gjallërinë dhe shpirtin rinor që karakterizon këtë universitet. Nëpërmjet një ceremonie, zhvilluar në Aula Magna, u dha edhe Çmimi i Karrierës UET 2021, fitues i të cilit u shpall Drejtori i Filialit Tiranë në Postën Shqiptare, Shpat Kolgega. Drejtori i Filialit Tiranë në Postën Shqiptare, Shpat Kolgega.

Gjatë ceremonisë, drejtuesit më të lartë të këtij institucioni, folën mbi rëndësinë e këtij rrjeti, duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit me projekte dhe ide të reja, tashmë që edhe UET zgjerohet dhe pritet së shpejti të zhvendoset në kampusin e ri, me më shumë hapësira, komoditete dhe mundësi të reja.

Presidenti Selami Xhepa: Bashkëpunimi i UET Alumni, një detyrim për komunitetin

Presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa tha se takime të tilla, janë ngjarje që mbartin emocion dhe nostalgji, për ish-studentët e njëkohësisht edhe për stafin e UET-së. Përveçse iu shërben ish-studentëve për të rikujtuar momentet e kaluara në këto auditorë, sipas Xhepës, këto takime janë po aq të rëndësishme edhe për UET-në, për të plotësuar misionin me të cilin është themeluar ky institucion.

“Ne shpresojmë shumë që të kemi ndihmuar sadopak në ndërtimin e karrierave tuaja të suksesshme kudo ku jeni, si menaxherë dhe biznesmenë, inxhinierë apo juristë, në administratën publike, sektorin privat, organizatat ndërkombëtare, apo kudo ku ju kontribuoni në shoqëri. Teksa ktheheni në këtë universitet, pas një dekade, gjërat mund të duken se janë njësoj, jemi në të njëjtat premisa dhe gjeni të njëjtët auditorë, por përmbajtja ka ndryshuar shumë. Jo vetëm se dija që është prodhuar nga universiteti, është mjaft më e sofistikuar dhe se eksperienca që është krijuar na ka bërë më gjithë prezent në shoqëri, por edhe se jemi mjaft më të zgjeruar në disiplina të reja, që nga mjekësia teknike, te Inxhinieria, te artet e bukura, filozofia, etj. Jeta e universitetit tonë ka ndryshuar në mënyrë të rëndësishme. Së shpejti, universiteti do të rialokohet në ambientet e reja, jashtë zhurmës së qytetit, duke iu dhuruar studentëve të ardhshëm më shumë qetësi dhe lidhja me natyrën, aq shumë të nevojshëm nga lodhja që kemi krijuar nga mbiurbanizimi dhe jeta e ngarkuar që të krijon qendra. Do të jeni shumë të mirëpritur të na vizitoni në shtëpinë tuaj dhe tonën të ardhshme”, tha Xhepa.

Presidenti i UET tha më tej se në këtë dekadë e gjysmë që universiteti ka hapur dyert, mijëra studentë janë diplomuar dhe dhjetëra lektorë më të mirët në fushat përkatëse, kanë qenë pjesë e këtyre auditorëve, duke e cilësuar si një nga kapitalet më të mëdha që është ndërtuar gjatë viteve. Xhepa kërkoi nga ish-studentët që të japin bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre, për integrimin e të brezave që do të diplomohen në vijimësi.

Shumë prej jush, tani luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në shoqëri në këtë dekadë ndryshimesh madhore që ka pësuar vendi. Ju keni të drejtë të pretendoni pjesën tuaj të suksesit. Por si pjesëtarë të komunitetit të studentë të universitetit tonë, edhe ju, sëbashku me stafin e UET, kemi detyrim të kontribuojmë, që edhe brezat e të diplomuar të rinj të integrohen. Bashkëpunimi dhe mbështetja juaj janë edhe një detyrim, që kemi ndaj familjes ku jetojmë sëbashku, dhe komunitetit të cilit i përkasim. Dija juaj na ndihmon shumë të përmirësohemi edhe në fushën akademike, të pasurojmë kurrikulën mësimore, të sjellim dijen që kërkohet nga tregu, pjesë e së cilës ku tashme jeni”, u shpreh Xhepa, duke shpresuar që mbrëmje të tilla mos mbeten thjesht kujtime, por të kthehen në praktika.

 Rektori Tonin Gjuraj: UET Alumni, ambasadorët e universitetit

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, kujtoi momentet kur diplomohej brezi i tretë i studentëve në UET, teksa gjendej me shërbim në Izrael.

“Kisha një lidhje shpirtërore me UET, sepse pata fatin të isha dekani i parë i Shkencave Sociale. Edhe pse isha larg, lidhja me institucioni ishte e përditshme. Ju keni qenë një brez i shkëlqyer dhe kjo ishte një nxitje që më shtyu të ribëhesha sërish pjesë e këtij institucioni”, tha Gjuraj.

Më tej, Rektoi e vuri theksin në bashkëpunimin e krijuar ndër vite mes stafit akademik, administratës dhe studentëve, i cili ka shërbyer si gur themeli për krijimin e institucioneve të reja apo ndërmarrjen e nismave madhore. Gjuraj i cilësoi ish-studentët, si ambasadorët e universitetit, që flasin më mirë për suksesin që ka ky institucion.

“Në UET, një nga pikat më të forta, është bashkëpunimi i jashtëzakonshëm brenda trekëndëshit staf akademik- administartë- studentë. Ne e kemi pasur filozofi tonën, të pasurit të studentëve në qendër të vëmendjes. Duke pasur parasysh këtë bashkëpunim, ne arritëm të ngrinim disa institucione, që vijojnë edhe sot e kësaj dite.

Në këto vite, UET ka zhvilluar një debat goxha intensiv, sa i takon reformave në arsimin e lartë, dhe për këtë përmenda edhe impaktin që ne kemi pasur. Pse ne ishim kaq të guximshëm dhe të sigurt në një debat të tillë? Sepse ne e njihnim produktin e këtij institucioni, ju njihnim ju. Ju nuk përfaqësoni vetëm historinë e Universitetit Europian të Tiranës. Ju jeni në fakt e ardhmja e këtij universiteti, sepse jeni imazhi i vërtetë e këtij institucioni në tregun e punës. Jeni ambasadorët tanë jashtë këtyre mureve. Jeni të mirëpritur dhe dëshirojmë fort të avanconi projekt-ide për zhvillimin e institucionit, i cili rritet me kalimin e viteve, pasi siç e dini, nga tre ne kemi kaluar në pesë fakultete. Në këtë kuptim them që jeni e ardhmja e UET-së, sepse pa projektet, idetë, lobimet tuaja”, u shpreh Gjuraj.

Administratori Tildi Çadri: UET, habitati për të përjetësuar projektet e ish-studentëve

Për administratorin e UET, Tildi Çadri, takimi me UET Alumni dhe ceremonia e dhënies së Çmimit të Karrierës pati një rëndësi të veçantë, pasi ishte i pari në të cilin ai merrte pjesë, si drejtues i UET.

Çadri kërkoi nga studentët që t’i bashkëngjiten të ardhmes së UET-së, i cili do të hyjë në një stad të ri progresi, ku përveç instalimit në një kampus të ri, me më shumë hapësira për studentët, do të ketë inovacion edhe në programe të cilat do të vijnë në gjuhën angleze, për të mundësuar akses, jo vetëm të studentëve shqiptarë, por edhe për ata të huaj.

Tashmë në 15-vjetorin e tij të themelimit, së bashku me cilësinë e padiskutueshme të ofertës akademike, do të hyjë në një stad tjetër të progresit të tij. E ardhmja e UET do të instalohet shumë shpejt në një kampus modern, të aftë për të akomoduar cilësisht çdo program studimi dhe për të përmbushur çdo nevojë të studentëve. Portofoli i programeve tona të studimit do të shtohet me programe inovative në gjuhën angleze, për të mundësuar aksese jo vetëm të studentëve shqiptarë, por edhe për ata të huaj, duke diversifikuar komunitetin tonë, po ashtu edhe shkëmbimet kulturore. UET ka forcuar partneritetin me institucionet dhe bizneset strategjike, për të cilin ndajmë të njëjtën filozofi dhe qasje drejt edukimit, me fokus studentin.

Ju jeni referenca më e mirë për çdo student tonin dhe besoj barometri më i saktë i cilësisë sonë. Ju jeni lobistët më të mëdhenj të universitetit dhe si të tillë efektoni drejtpërdrejtë në tregu e punës, duke garantuar në forcimin e imazhit dhe garantimin e suksesit të universiteti. UET do t’ju mirëpresë kurdoherë për çdo propozim, referencë, projekt dhe ide, duke ju vënë në dispozicion habitatin e duhur për të përjetësuar projektin tuaj.

UET Alumni janë pjesë e një ekosistemi dhe sfidat janë gjithmonë të njëjtat, ashtu siç thotë edhe një fjalë, “nuk jemi në të njëjtën varkë, por jemi në të njëjtin det”. Po e mbyll fjalën time me shprehjen e Çarls Dikens- Çdo udhëtar ka një shtëpi të vetën dhe mëson ta dojë atë më shumë, sa më shumë që udhëton nëpër botë. UET do të jetë gjithmonë shtëpia juaj”, u shpreh Administratori i UET.

Shpat Kolgega: Patëm fatin të studionim në UET

Çmimi i Karrierës është i pari i këtij lloji i dhënë në Shqipëri nga një universitet privat. Ky çmim synon të vlerësojë dhe promovojë arritjet e ish-studentëve të diplomuar pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Nga 10 ish-studentët e nominuar, fituesi i Çmimit të Karrierës  UET 2021 u shpall Shpat Kolgega, i cili për rreth një dekadë ka krijuar eksperiencat e veta profesionale në disa fusha, si: gazetari, politikë, organizata rajonale dhe administratë. Në vitin 2013, Kolgega e ka filluar karrierën në administratën publike, si specialist i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ndërsa në vitet 2017-2019 ka shërbyer si zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Qeverinë Shqiptare. Aktualisht, Kolgega është Drejtori i Filialit Tiranë në Postën Shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, Kolgega kujtoi momentin e ardhjes dhe regjistrimit në UET, kur pavarësisht se kishte skepticizëm për institucionet arsimore private, ai u bind që ishte vendi i duhur për të studiuar.

Ishin ato vitet kur dolën universitet e reja jopublike dhe filluan modernizimin e arsimit të lartë. Ne patëm fatin të ishim në një universitet ndryshe, ku liria e mendimit ishte te studentët. Liria e mësimdhënies ishte te pedagogët. Nuk ishim ata studentët e ngurtësuar  Kishim një lloj lirie që na ndihmoi të dilnim jashtë kornizave dhe të ecnim përpara, ku përveç dijes, u bazuam edhe te rrjeti që krijuam, nëpërmjet edhe aktiviteteve që zhvilloheshin në UET.  Kjo ka qenë ndihmesa kryesore për të ecur përpara, gjë që më ka ndihmuar edhe mua”, tha Kolgega, duke theksuar më tej rëndësinë e aktiviteteve që zhvillohen në UET, si një mundësi për zgjerimin e njohjeve dhe shkëmbimeve.

Fituesit e Çmimit të Karrierës ndër vite

Ardit Çela, 2013

Esmeralda Shkjau, 2014

Agi Haxhimurati, 2015

Suzana Numani, 2016

Fation Shehu, 2018

Ira Elbasani, 2019

Fationa Gjona Kokaj, 2020

Të nominuarit e Çmimit të Karrierës, 2021

Aida Maho

Erlis Hereni

Edi Vlusha

Roland Spahiu

Viliem Kurtulaj

Anisa Gjini

Ledia Meta

Erinda Fiku

Shpati Kolgega

Xhensila Frasholli