Trajnimi i UET, certifikohen 50 mësues të shkollave të mesme

Ditën e shtunë u realizua edicioni i nëntë i sesionit të tretë të Këshillimit të Karrierës në Komunitet. Aktivitetet trajnues u realizuan në kuadrin e projektit të Institutit Europian PASHKO për drejtuesit e mësuesit e shkollave të mesme profesionale për mentorimin e orientimin e karrierës së maturantëve.
Në edicionin e nëntë fokusi ishte në Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës UET dhe pjesëmarrës ishin drejtues dhe mësues nga gjimnazet me orientim profesional nga gjithë Shqipëria.
Në përfundim të gjimnazit, secili prej nesh me siguri që është hasur me plot dilema e pa asnjë ide për të ardhmen, ndoshta kemi përfunduar edhe në ndonjë degë apo profesion që nuk ia kemi parë hajrin.

Dhjetra pikëpyetje ngrihen në mendjen tonë.
Nisur nga kjo lind nevoja për këshillim karriere dhe përherë e më shumë kjo merr një vlerë të veçantë, duke e orientuar maturantin të zgjedhë profilin i cili i siguron atij një karrierë të suksesshme në tregun e punës.
Prandaj dhe Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës nisën projektin me trajnime për këshillimin e karrierës së këtyre gjimnazistëve.
Në kuadër të këtij projekti organizohen evente, takime, për të dhënë çmime, por dhe për të promovuar idetë e liberalizmit. Që prej bangave të gjimnazit, nxënësit të cilët janë në prag të marrjes së vendimit për arsimimin e tyre kanë mundësinë të marrin një orientim drejt së ardhmes.
Ky trajnim është shumë i rëndësishëm për maturantin sot por dhe institucionet e arsimit pasi duhet të njohin nivelin kulturor të tyre, nga vijnë etj. Gjithashtu në këtë kuadër është e rëndësishme të njihet zhvillimi i tij për të njohur nxënësin që më pas do të ndjekë arsimin e lartë, ky këshillim karriere bëhet pasi ka ikur koha kur rolin e këshilluesit e kishte prindi apo shoqëria dhe se sot është detyra e mësuesit për Këshillimin e Karrierës.

Projekti ka nisur që para dy vjetësh dhe trajnimi i parë është bërë me 105 mësues duke realizuar çertifikatën e parë të mentorshipit. Ndërsa tashmë projekti vjen i ristruktuaruar me një kohëzgjatje 5-vjeçare.
Nëpërmjet këtij projekti synohet që mësuesit të jenë akoma më kompetentë për të drejtuar pjestarët e komunitetit, prindërit dhe maturantët, apo dhe të tjerë në botën e biznesit, në sistemet arsimore shqiptare ose ndërkombëtare, publike apo private në mënyrë sa më profesinale që secili, kohën dhe paratë t’i harxhojnë në mënyrën më efiçente të mundshme.
Për dhjetë javë me radhë mësues të gjimnazeve të ndryshme do të marrin pjesë në trajnim duke e finalizuar atë me një çertifikatë përkatëse, ku shtunën e ardhshme do të jetë edicioni i dhjetë dhe i fundit me drejtues dhe mësues të shkollave të mesme private.