I kthyer në një traditë, Departamenti i Arteve të Aplikuara në UET zhvillon edicionin e dytë të konkursit të arteve UET Talent 2

Universiteti Europian i Tiranës është një prej universiteteve, i cili gjithmonë qëndron pranë studentëve duke i nxitur dhe stimuluar jo vetëm nëpërmjet procesit mësimor, por edhe nëpërmjet aktiviteteve dhe konkurseve të shumta. Pikërisht nëpërmjet tyre, studentët dhe maturantët të prirur në arte shpërfaqin talentet dhe aftësitë e tyre në fusha të ndryshme ku ata studiojnë. Një prej konkurseve që UET do të zhvillojë për të dytin vit rresht është edhe konkursi i talenteve, UET Talent, ku çdo i ri që mendon se ka talent në Kanto, Instrument, Aktrim, Kërcim, Pikturë, Skulpturë, është i ftuar të marrë pjesë. Ndryshe nga formatet e tjera televizive dhe jo vetëm që kemi parë deri më sot, ky format është risi në Shqipëri, jo vetëm sepse zhvillohet në një Universitet, por është i lidhur ngushtë me misionin e UET për formimin dhe edukimin e të rinjve nëpërmjet universitetit dhe mësim nxënies. UET Talent ofron mundësinë jo vetëm të interpretimit dhe garës, por edhe të njohjes së universitetit në një këndvështrim tjetër, atë të argëtimit dhe jo vetëm të mësimit.

Misioni i një Universitetit është përgatitja e brezave në mënyrën më të mirë të mundshme dhe UET Talent është një vlerë e shtuar në kurrikulën dhe jetën e Universitetit. Gjatë realizimit të një konkursi të rëndësishëm janë edhe anëtarët e jurisë, të cilët japin opinionet, mendimet, kritikat, qëndrimet e tyre mbi personazhet që marrin pjesë në konkurse. Edhe juria e UET Talent përbëhet nga individë, të cilët janë tepër të kualifikuar dhe zënë poste të rëndësishme ne universitet. Të pranishëm në jurinë e UET Talent janë profesorët e nderuar që e kanë tashmë emrin në historinë e artit shqiptar, si Zhani Ciko, Edith Mihali, Shqipe Zani. Prima Balerina e Teatrit të Operës dhe Baletit, njëkohësisht pedagoge e Baletit në UET, znj. Adela Muçollari, si dhe shkrimtari dhe poeti Ermir Nika, njëkohësisht edhe drejtues i Departamentit të Arteve.

Për sa i përket pjesëmarrjes së studentëve, mund të regjistrohet kushdo, studentë nga UET, studentë të universiteteve të tjera, gjimnazistët, si dhe çdo i ri që skenën e ka pasion, por deri sot nuk ka përformuar ndonjëherë. Padyshim, si në çdo konkurs edhe këtu do të ketë fitues, por jo vetëm një, do të jenë disa të tillë, dhe mbi të gjitha do të ketë fitues në të gjitha fushat e konkurrimit. Faza e parë do të jetë prezantimi dhe interpretimi i çdo konkurrenti dhe më pas do të jetë finalja dhe gjysmëfinalja. Të gjithë fituesit do të jenë pjesëmarrës edhe në UET Alumni Festival, i cili është dhe aktiviteti më i madh që UET zhvillon çdo vit pak para përmbylljes së vitit akademik. Përfitimet që do të kenë më të mirët si një konkurs që zhvillohet në Universitet , më të mirët do të përfitojnë të drejtën e Studimit në UET nëpërmjet Bursës së Talentit, gjysëm burse, para kontratë regjistrimi me tarifë më të ulët si dhe mundësinë për të përformuar në aktivitetet e të shumta jo vetëm në UET por edhe në skena kombëtare dhe rajonale, këshillim karriere, leksioneve të hapura etj.

Universiteti Europian i Tiranës prej tre vitesh ka hyrë në një fazë të re të misionit të tij, jo vetëm duke pasur thuajse çdo degë studimi, por edhe me një qasje tjetër akademike, duke i ofruar cdo studenti mundësinë që përveç studimeve të ketë edhe një jetë studentore sa më të larmishme dhe kreative. Pikërisht nëpërmjet aktiviteteve, konkurseve të shumta, studenti del nga petku i të qënit formal dhe zyrtar gjatë gjithë periudhës mësimore dhe përqafon jetën interaktive që UET ofron pikërisht nëpërmjet këtyre aktiviteteve. Në UET, prej disa vitesh zhvillohen aktivitete të ndryshme shkencore, social-kulturore, edukative etj. UET Talent tashmë është një prej tyre dhe shumë shpejt do të jetë një traditë e suksesshme e këtij universiteti.