Promovohet në UET libri për fushatën elektorale të 25 prillit

 

Department’s Book Review solli këtë të premte në UET promovimin e librit më të ri të shtëpisë botuese UET Press, “Zgjedhje të pazakonshme & Thyerje të dialektikës”, me bashkautorë studiuesit Shpendi Gashi dhe Bjorn Kamberi.

UET në bashkëpunim me Institutin Europian Pashko dhe Gazetën Liberale, lançuan në mars të këtij viti, “Campaign Observer”, një projekt, i pari në llojin e vet,  që synonte vëzhgimin dhe analizimin, ditë pas dite, të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit. Përgjatë 30 ditëve, dy studiuesit, Bjorn Kamberi dhe Shpendi Gashi, nën mentorimin përkatës të dy pedagogëve të UET-së, Anjeza Xhaferaj Rreli dhe Florian Cullhaj, sollën nëpërmjet Gazetës Liberale, print dhe online, 30 shkrim- analiza, mbi ecurinë e fushatës, problematikat e shfaqura, komunikimin politik të liderëve politikë, programet politike, si dhe gjithë elementët që ndërtuan dhe për rrjedhojë sollën rezultatin përfundimtar.

Tashmë që fituesi është shpallur politikisht dhe ligjërisht, ku ankimimet e rezultateve janë rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor dhe pritet certifikimi përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vjen për studiuesit, politologët dhe lexuesit e thjeshtë, një libër që analizon intensivisht në formë dhe përmbajtje, atë çka ndodhi përgjatë një muaji.

Libri i ardhur me risi, jo vetëm në konceptim, por edhe materializim, i ndarë në dy pjesë me dy tituj, përmban edhe dy parathënie nga analistët dhe gazetarët, Mustafa Nano dhe Artur Zheji.

Në një bashkëbisedim me pedagogët dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dy autorët rrëfyen sfidën e tyre, për të marrë përsipër një punë të tillë intensive dhe të paprekur më herët.

Shpendi Gashi, i cili analizoi fushatën e Partisë Socialiste, përmbledhur ne libër me titullin “Zgjedhje të pazakonshme”, falenderoi instancat dhe strukturat e UET-së, për faktin se gjithmonë gjenden pranë djemve dhe vajzave që kanë si qëllim akademizimin, teksa renditi sfidat e tij në realizimin e shkrimeve.

Ishte një gjë e re për ne, sepse nuk kishim eksperiencë për të bërë studime analitike të përditshme, por ia dolëm. Përpos të gjithave, duhet që analizat të ishin shumë të ftohta, përtej sentimenteve që mund të kesh për një krah apo një tjetër. Kur vjen puna të analiza, ti thjesht duhet të rendisësh faktet dhe të ngresh të gjithë tezat, mbi ato fakte që janë të dukshme”, u shpreh Gashi.

“Ishte në vizionin e Henri Çilit që kjo sagë shkrimesh të mbetej në traditën e përhershme, të analizës objektive të fushatës, sa herë që ato ngjasin”, tha Kamberi, i cili analizoi fushatën e Partisë Demokratike, përmbledhur në libër me titullin “Thyerje të dialektikës”. Ai shtoi më tej, se periudha, që nga zgjedhjet e deri tani kur u publikua libri, është një periudhë reflektimi që i shërben edhe librit.

“Kjo periudhë reflektimi që pas mbarimit të zgjedhjeve, i shërben edhe prezantimit të këtij libri. Kjo hapësirë kohore, që pas zgjedhjeve deri më tash na lejon ta shohim më kthjellët atë që ndodhi dhe analizat e mia dhe Gashit i shërbejnë kthjelltësimit mbi ecurinë e fushatës dhe rezultatet që ajo prodhoi”, tha Kamberi.

Mbi librin

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, Ervis Iljazaj tha se autorët janë munduar të sjellin analiza objektive, për një fushatë që ishte ndryshe nga të tjerat, për shkak të pandemisë, por edhe pranisë së rrjeteve sociale.

“Autorët sollën shkrime, observime të përditshme të fushatës elektorale, duke marrë elementët kryesorë. Libri është një këndvështrim i ftohtë, objektiv, pa emocione, i shkruar dhe vëzhguar nga dy ekspertë të komunikimit dhe shkencave politike. Politika është bërë komunikim, nuk mund të kuptohet më pa të, aq më tepër që ka pasur zhvillim të teknologjive. Gjuha e politikës është vendimtare apo thelbësore, për të vendosur fatin e zgjedhjeve. Gjithsesi, edhe komunikimi politik ka një limit dhe ndikimi i tij në suksesin e një fushate zgjedhore është i kufizuar, sepse sado komunikim të bëjmë në politikë do të përplasemi me realitetin”, tha Iljazaj.

Profesor Fatos Tarifa, e quajti një sfidë të madhe ruajtjen e objektivitetit nga autorët, në realizimin e analizave, që sipas tij kërkon një mjeshtëri të madhe.

“Një nga problemet më të mëdha në shkencat sociale është objektiviteti, i cili nuk garantohet në asnjë rast. Të ruash në një masë të caktuar objektivitetin e shqyrtimit të fakteve dhe analizës së atyre fakteve, është një mjeshtëri e madhe. Edhe përzgjedhja e fakteve është çështje zgjedhjesh”, tha Tarifa.

Pedagogu Fation Cullhaj tha se projekti i “Campaign Observer” synon të sjellë edhe një libër të dytë, mbi analizimin e fushatës nëpërmjet instrumenteve teorikë e shkencorë.

“Projekti nisi në këtë formë: unë dhe Anjeza do të mbronin anën shkencore, ndërsa Shpendi dhe Bjorni anën publicistike, që do të thotë se do të dilet me dy botime. Ky libër publicistik është njëlloj screenshoti, ashtu si dy studiuesit e mendojnë, në botëkuptimin dhe gjykimet e tyre”, theksoi Cullhaj.

Ndërsa, pedagogia Anjeza Xhaferaj Rreli përgëzoi autorët për guximin dhe punën e kryer. Kush shkruan në shtypin e shkruar, është sfidë të shkruash qoftë edhe për një javë dhe jo më për ditë, që s’të jep mundësi të reflektosh mjaftueshëm. Megjithatë ju e keni bërë”, tha ajo.

Parathëniet e librit

Çfarë fushate bëri Rama?

Nga Mustafa Nano

Për Edi Ramën, politika, më shumë se çdo gjë tjetër, është një spektakël. Dhe rolin e tij në politikë ai e përfytyron/përkufizon si atë të një showman-i. Me fjalë të tjera, për të nuk ka rëndësi se çfarë thua, por ka rëndësi se si e thua. Me fjalë të tjera akoma, ka më shumë rëndësi të promovosh një rrenë bukur, sesa të mbrosh një të vërtetë mërzitshëm. Ai është shumë stil e pak substancë. Dhe është kështu jo sepse nuk ka substancë (ka më shumë se aktorët e tjerë të skenës politike), por së pari sepse beson te fuqia e tij stilistike, e së dyti sepse beson që njerëzit në përgjithësi janë të prirur të tërhiqen prej dukjes, fasadës. Këtë të fundit na e ka bërë të qartë kur i është dashur të shpjegojë ngjyrosjen e fasadave të pallateve të Tiranës në vitet 2000. Ai ka folur me atë rast për efektin e buzëkuqit te nuset e varfra, dhe për efektin e fasadave shumëngjyrëshe në psikën e banorëve të Tiranës.

Bazuar edhe në këtë tipar të tijin, ai hyri në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit për të bërë atë që anglezët e quajnë character assassination. Këtë gjë e kishte bërë edhe në zgjedhjet e katër viteve më parë, duke e përkufizuar ironikisht kundërshtarin e tij si “çun të mirë, por pak përtac”. Media pranë tij i bëri jehonë kësaj gjetjeje, dhe ngadalë-ngadalë e shndërroi në një stigmë mbi kurrizin e Bashës. Në një moment të caktuar, Rama i vuri kundërshtarit të tij nofkën kinse dashamirëse “king”, të cilën e huazoi nga zhargoni urban i kohës së komunizmit. Kuptimi ishte ai i qëmotshmi: djalë i mirë. Veçse toni ishte paternalist e përçmues. Ndërsa përcaktorin përtac e zëvendësoi me një sinonim më të bujshëm: “gjumash”. Mediat e “konfirmonin” këtë cilësi të Bashës me një foto të këtij të fundit, ku ai shfaqet duke bërë pafajësisht një sy gjumë në avion, apo me lajme që thoshin se ai kthehej në shtëpi për të fjetur në orët e pasdites. Si provë për këtë jepej fakti që Basha nuk shihej kurrë pasditeve në qytet, në ndonjë bar apo restorant, duke shëtitur në bulevard apo për ndonjë vrap të lehtë në parkun e madh të qytetit. Ishte e qartë se çfarë Basha kishte synuar t’ia merrnin për përkushtim familjar, propagandistët socialistë ia shitën për letargjí publike. Dhe jo pa sukses. Kjo lloj fushate ngjiti tek një pjesë e votuesve.

Basha kishte dalë i dobët prej zgjedhjeve të katër viteve më parë. Qeveria disamujore PD+PS, të cilën Basha e konsideroi në të nxehtë si një fitore të tijën, më saktë si një garanci (mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve) që ai ia mori “me pahir” kundërshtarit të tij, u lexua më pas prej shumë vetëve, sidomos prej demokratëve, si një kurth që dhelpra Rama ia kishte ngritur qengjit Basha. Me shumë gjasë, me këto përcaktime (“mashtrues” për Ramën e “naiv” për Bashën), demokratët po ushqenin një paranojë të tyren pas humbjes. Këtë e bënin sepse kishin nevojë për një alibí pas humbjes, dhe evidentimi i Ramës si i paskrupullt, i pabesë, i poshtër, ua jepte këtë alibí. Mirëpo, dashje pa dashje, po e vizatonin kreun e partisë së tyre si sylesh e tuhaf, që e hante si pa të keq karremin e kundërshtarit të tij. Sidomos kur ky karrem ishte një copë pushteti. Dhe ishte kjo që Rama e shfrytëzoi në zgjedhjet e fundit.

Hapi fjalë gjatë fushatës se ishte i gatshëm të qeveriste vendin në krye të një koalicioni të madh PS+PD, duke lënë të nënkuptohej se për këtë ishte marrë vesh edhe me Bashën. Synimi: t’u mbushej mendja demokratëve se gjërat ishin kopsitur, dhe se vota e tyre nuk kishte asnjë rëndësi. Ka ende njerëz që e besojnë këtë version, dhe u thotë mendja se në shtator, ose e shumta gjatë vitit tjetër, Shqipëria do të drejtohet nga një qeveri me Ramën kryeministër e me Bashën zëvendëskryeministër, sido që nuk ka asnjë provë mbi ndonjë marrëveshje të tillë parazgjedhore.

Ramës i është dashur, sigurisht, të flasë edhe produktin e punës së tij. Nuk mund ta injoronte këtë diskutim. Ai kishte tetë vjet kryeministër, e katër vite duke mbajtur timonin i vetëm në dorë, gjë që e kishte kërkuar me ngulm. Madje, timoni, tok me tepsinë, kazanin, byrekun e gjetje të tjera gastronomike, u bënë metaforat e fushatës së tij në vitin 2017. Por rezultatet e premtuara nuk u panë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në katër vitet e fundit, ndodhën edhe dy tragjedi. Mirëpo këto dy tragjedi i erdhën Ramës si një “dhuratë nga qielli”, i erdhën pikërisht atëherë kur ai nuk kishte se çfarë të shiste për sukses e kur atij, shí për këtë arsye, i ishte fikur entuziazmi (shqiptarët kishin ca kohë që nuk mendonin për gjë tjetër, veçse “për me e la kët ven që s’bohet” e për të ikur në Gjermani). Dhe ishin këto tragjedi që e rimotivuan, dhe e rigjallëruan si me magjí. Në javët që pasuan tërmetin shkatërrimtar në Shqipërinë e Mesme, ai u pa të vinte rreth nëpër Shqipëri, me synimin për t’i ndenjur punës mbi kokë. Ai shihej mes rrënojave të pallateve nga mëngjesi në mbrëmje, ku duke u qarë hallin njerëzve, ku duke hedhur batuta, duke e shndërruar gjithçka në një shfaqje argëtimi, e ku duke u ngjallur shpresë atyre që kishin humbur gjithçka. Krahas kësaj, ai u pa të merrte rrugët e botës për të kërkuar ndihmë, të cilën e gjeti.

Fill pas “gëzimit” të parë, i erdhi i dyti, pandemia e COVID-19, të cilën e pa si një rast tjetër për të shkëlqyer. “Unë do të shndërrohem në një lypës për vendin tim,” u dëgjua të thoshte më shumë se njëherë, dhe shumë njerëzve, teksa e shihnin të vinte rreth me shallvare e tuta sporti, u ngjante njëmend me një lypës. E bëri një pjesë të publikut të besonte se “shyqyr që u ndodh ai në krye të punëve”, dhe se “ai qenkësh i prerë për të drejtuar vendin në momente të vështira”.

Edi Rama, i vetëdijshëm mbi efektin e bëmave të tij gjatë këtyre dy tragjedive (“gëzimeve”), gjeti se çfarë të mbante për sukses të qeverisjes. Gjatë fushatës mbeti sa në Thumanë a Mamurras për të përuruar shtëpi banimi, aq edhe në Rinas për të pritur vaksinat. Pa këto dy ngjarje, ai do të notonte në të thatë gjatë fushatës. Nuk do kishte se çfarë të thoshte. Do të ishte i zbuluar ndaj sulmeve të opozitës. E me shumë gjasë, do të humbiste.

Fushata e Bashës, përparësitë dhe pengesat e rënda

Nga Artur Zheji

Në fushatën zgjedhore që i parapriu zgjedhjeve politike të 25 Prillit 2021, Lulëzim Basha kishte disa përparësi të thekshme dhe po aq, pengesa të rënda, që më pas u vërtetuan si: “pengesa shumë të rënda!”

Le ta fillojmë nga “pengesat”, ose duke ndjekur kuptimin e thellë të kësaj fjale, është mirë të analizohen pikat kyçe, ku u “pengua” fitorja e kësaj fushate.

Së pari, moskontrolli i territorit, që lidhet me mungesën e madhe që krijuan “Bashkitë rozë”, në të vërtetë, kështjella agresive dhe luftarake të kundërshtarit. Të cilat fabrikonin punësime apo lehtësira lokale, duke krijuar qindra e mijëra favours, të cilat nuk kishin kurrfarë lidhjeje me sfondin politik të betejës së madhe. Porse, ishin shumë të rëndësishme këto, në “përkudesjen tringëlluese” të familjeve influente të qytezave apo komunave shqiptare, sipas raporteve 3D të patronazhistëve të kudo ndodhur.

Së dyti, e ndoshta edhe së pari, bindja e rreme se: PD nuk mund të jetë kurrë Forcë Dominante politike në Shqipëri, pa një, a më shumë aleanca me forca dhe parti të tjera. Basha ishte nën një trysni të madhe të atyre që i shkruanin në sulme publike apo i pëshpërisnin në vesh se ai, Basha: “Nuk dinte apo nuk donte të fitonte!”

Në peshën e kësaj, Basha e lëshoi dorën me aleatët, duke iu dhënë mundësira, përtej meritave të tyre reale. Në të vërtetë, “aleancat” dhe aleatët, patën një performancë të trishtueshme në çdo nivel, duke mos shtuar asgjë të rëndësishme në rezultatin final…

Së treti, në radhën e “pengesave”, u shfaq “nostalgjia berishiste” e një pjese të madhe të demokratëve, që krijon pa dashje dhe pa baza, një frikë “të revanshit që po vjen!”, që e holloi mjaftueshëm pjesën gri të votuesve, pranë Partisë Demokratike.

Në të vërtetë lista është shumë më e gjatë, por edhe kaq, ishte mjaftueshmërisht “penguese”, duke krijuar te PD, “pengun” se këto ishin pengesa edhe të kapërcyeshme, edhe jo.

Mirëpo “fushata Basha” ishte edhe e nurshme, edhe goditëse, edhe pozitiviste.

1. E nurshme, sepse ishte më së shumti “për ndryshim!”, e pra “propozonte” dhe nuk konservonte, siç ishte Rama i detyruar të bënte në thelb të fushatës së tij.

E nurshme, edhe sepse “Fushata e Bashës”, nuk ra asnjëherë në grackat negativiste, provokuese dhe diversioniste që i përgatiste kundërshtari politik, më aktiv se kurrë. Basha në këtë Fushatë 2021, ndërpreu krejtësisht në formë, pikëlidhjet me “atin” politik, duke forcuar ndjeshëm “stilin” e tij.

2. Goditëse, sepse ishte mjaft afër “popullit”, pa u shndërruar në një fushatë populiste të rëndomtë. Në të vërtetë “klasi” i komunikimit apo “klasi” i sjelljes publike, pavarësisht pasionit të fortë dhe të drejtpërdrejtë, ky “klas” dhe kjo finesë nuk u komprometua asnjëherë. Duke ndenjur rrezikshmërisht përballë shtjellave nevrotike dhe jo rrallë “simpatike” të fushatizmit, me ngjyra të kërkuara rurale dhe populloriste të Ramës.

3. Fushata e Bashës, ishte pozitiviste, sepse linte të nënkuptohej “kapërcimi” i hakmarrjes politike dhe aq më tepër i hakmarrjes sociale (tradicionale në Shqipëri) dhe nuk linte të keqkuptohej që, përtej demokratëve dhe socialistëve, kishte edhe një “popull” të tretë që ishin: Shqiptarët!

Kjo që po shkruaj, është në të vërtetë vetëm një “cekje”, e asaj çfarë politikisht ndodhi në vigjilje të 25 Prillit që kaluam. Dhe më rezulton se, njeriu që kësaj radhe e mori shumë seriozisht “dukurinë Basha”, ishte, i pari i të gjithëve, Rama.

Nëqoftëse edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, do të bënin të njejtën gjë, rezultati zgjedhor do të mund të ishte i ndryshëm…

Por, ky është një “rrëfim” tjetër.